Zelensky kthehet nga Turqia bashkë me ish komandantët ukrainas që luftuan në Mariupol, Moska: Erdogan dhunoi marrëveshjen

Kur lufta shënoi ditën e saj të 500-të,  Presidenti Volodymyr Zelensky udhëtoi drejt ishullit të Gjarprit në Detin e Zi, që u bë simbol i rezistencës ukrainase përballë agresionit rus. Ndërkohë në Ukrainë në Donetsk dhe Lyman 8 persona humbën jetën pasi një ndërtesë banimi u sulmua me raketa.

Përmes një video mesazhi, nga ishulli i Gjarprit, Zelensky falenderoi për rezistencën.

“Dua të falenderoj nga këtu, në këtë vend të fitores, çdo ushtar, për këto 500 ditë. Faleminderit çdokujt që lufton për Ukrainën. Sepse ne jemi vend i trimave"”, tha Zelensky në video.

Në imazhet e publikuara, presidenti ukrainas shkoi në ishull në bordin e një gomoneje ndërsa vetë kishte veshur një jelek antiplumb dhe xhup të zi.

Ndërkohë nga Turqia, presidenti Zelensky u largua sot me 5 ish komandantët e lartë ukrainas të batalionit Azov. Komandantët udhëhoqën vitin e kaluar luftimet për mbrojtjen e portit të Mariupolit, qyteti më i madh që rusët kanë vënë nën kontroll gjatë agresionit të tyre.

“Po kthehemi në atdhe nga Turqia, dhe po sjellim në shtëpi heronjë tanë”, tha Presidenti Zeleksky.

Kjo duket se ka zemëruar Rusinë e cila thotë se Turqia shkeli kushtet e marrëveshjes të firmosur vitin e shkuar, për shkëmbimin e robërve të luftës, sipas së cilës, ata duhej të qëndronin në Turqi.

 “Askush nuk na ka informuar për këtë. Këta persona duhet të qëndronin në territorin turk deri në fund të konfiktit” tha zëdhënësi i Kremlinit i tha agjencisë shtetërore të lajmeve RIA Novosti.

Ndërkohë gjatë konferencës për shtyp në Stamboll Presidenti turk Erdogan pohoi se “Ukraina padyshim e meriton të anëtarësohet në NATO”.

“Duke qenë në solidaritet me Ukrainën, ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për t'i dhënë fund luftës”, tha Erdogan.

Erdogan ka bërë me dije gjithashtu se muajin e ardhshëm Putin do të vizitojë Turqinë.

"Ne kemi dëgjuar palën ukrainase për shkëmbimin e të burgosurve - shtoi Erdogan - po negociojmë edhe me palën ruse. E diskutova këtë çështje edhe me Putinin, i cili do të vizitojë Turqinë muajin e ardhshëm. Shpresoj se do të kemi rezultate për të burgosurit së shpejti, por ndërkohë” vazhdojmë punën për çështjen e korridorit të misrit”.

Zelensky nga ana e tij falënderoi SHBA-në për vendimin për të furnizuar Kievin me bomba thërrmuese

Nga ana tjeter vendimi i Presidentit Vladimir Putin për t'u ofruar mundësinë luftëtarëve mercenar të grupit Wagner, që të zhvendosen në Bjellorusi, ka shkaktuar pasiguri mes vendeve lindore të NATO-s se prania e tyre mund të shkaktojë paqëndrueshmëri më të madhe në rajon.

Polonia filloi sot dislokimin e mbi 1,000 trupave në lindje të vendit, tha ministri i mbrojtjes, mes shqetësimeve në rritje të vendit anëtar të NATO-s se prania e mercenarëve të grupit Wagner në Bjellorusi mund të çojë në rritje të tensioneve në kufirin e saj.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:06
Polonia dislokon trupa në kufi me Bjellorusinë mes drojës nga grupi Wagner

1688846899_sss.jpg

Të shtunën Polonia filloi dislokimin e mbi 1,000 trupave në lindje të vendit, tha ministri i mbrojtjes, mes shqetësimeve në rritje të vendit anëtar të NATO-s se prania e mercenarëve të grupit Wagner në Bjellorusi mund të çojë në rritje të tensioneve në kufirin e saj.

Vendimi i Presidentit Vladimir Putin për t'u ofruar mundësinë luftëtarëve mercenar të grupit Wagner, të drejtuar nga Yevgeny Prigozhin që të zhvendosen në Bjellorusi, ka shkaktuar pasiguri mes vendeve lindore të NATO-s se prania e tyre mund të shkaktojë paqëndrueshmëri më të madhe në rajon.

“Mbi 1000 ushtarë dhe pothuajse 200 automjete dhe pajisje luftarake kanë filluar të vendosen në lindje të vendit”, shkroi zoti Mariusz Blaszczak në rrjetin Twitter. “Kjo demonstron gatishmërinë tonë për t'iu përgjigjur përpjekjeve për destabilizim pranë kufirit të vendit tonë”.

Të dielën e kaluar Polonia tha se do të dërgonte 500 policë për të forcuar sigurinë në kufirin me Bjellorusinë.

Gjatë javëve të fundit Polonia ka shënuar një rritje të numrit të emigrantëve që përpiqen të kalojnë kufirin nga Bjellorusia. Sipas zyrtarëve të kufirit, mbi 200 persona u përpoqën të kalonin ilegalisht të premten, mes tyre shtetas nga Maroku, India dhe Etiopia.

Polonia e ka akuzuar Bjellorusinë se ka krijuar artificialisht një krizë migrantësh në kufi që nga viti 2021 duke sjellë individë nga Lindja e Mesme dhe Afrika dhe duke u përpjekur t'i shtyjë ata përtej kufirit.

Një komandant i lartë i grupit mersenar Wagner u citua të ketë thënë të shtunën se luftëtarë të grupit po përgatiteshin të vendoseshin në Bjellorusi. / VOA/

Ora 21:17
Moska e zemëruar me Erdogan, I ktheu Ukrainës robërit e luftës

 

1688843835_peskob.jpg

“Kthimi nga Turqia në Ukrainë e komandatëve të batalionit Azov është një dhunim i kushteteve të marrëveshjes si nga Kievi ashtu dhe Ankara"

Kjo u bë e ditur nga zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, pasi Presidenti Volodymyr Zelensky njoftoi kthimin e tij nga Stambolli në Kiev me pesë komandantët, të cilët Rusia ia kishte dorëzuar Turqisë në shtator me kusht që të mos largoheshin nga vendi.

“Rusia nuk është informuar për transferimin e komandantëve të Azov nga Turqia”, shtoi Peskov i cituar nga RIA Novosti.

Komandantët, të cilët në Ukrainë cilësohen si heronj, udhëhoqën vitin e kaluar luftimet për mbrojtjen e portit të Mariupolit, qyteti më i madh që rusët kanë vënë nën kontroll gjatë agresionit të tyre.

“Po kthehemi në atdhe nga Turqia, dhe po sjellim në shtëpi heronjë tanë.Ushtarët ukrainas Denys Prokopenko, Svyatoslav Palamar, Serhiy Volynsky, Oleh Khomenko, Denys Shleha më në fund do jenë pranë familjeve të tyre", tha Presidenti Zeleksky përmes një mesazhi në aplikacionin Telegram.

Moska liroi disa prej forcave ukrainase në shtatorin e kaluar, pas një marrëveshjeje për shkëmbimin e robërve të luftës, të ndërmjetësuar nga Ankaraja, sipas së cilës, komandatët duhet të qëndronin në Turqi deri në përfundim të luftës.

Ora 19:15
VIDEO/ Shokuese, ushtarët ukrainas filmojnë vdekjen e tyre

Një video shokuese qarkullon në rrjete sociale. Një njësi ushtarësh nga Kievi hyjnë në një korije ku ishin fshehur ushtarët rusë.

Këmbësorët ukrainas të shoqëruar nga një mjet i blinduar pasi studiojnë ambientin hyjnë në pyllin e vogël. Kamera GoPro filmon sesi ukrainasit qëllohen njëri pas tjetrit nga ushtarët rusë që ishin të fshehur.

I plagosur mbeti edhe ai që mbante kameran. Ai përpiqet të rezistojë dhe vazhdon të qëllojë. Pastaj ... errësirë.

Sot shënohen 500 ditë që nga nisja e luftës në Ukrainë. Kombet e Bashkuara (OKB) kanë bilancin e viktimave, duke vlerësuar se 9 mijë civilë kanë humbur jetën, përfshirë 500 fëmijë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

Shikoni videon.

 

Ora 14:58
Spanja: Ukraina nuk duhet të furnizohet me bombat thërrmuese në asnjë rrethanë

Bombat thërrmuese nuk duhet të dërgohen në Ukrainë "në asnjë rrethanë". Kështu deklaroi ministrja e Mbrojtjes e Madridit, Margarita Robles, gjatë një konference për shtyp.

“Spanja, bazuar në angazhimin e vendosur që ka me Ukrainën, ka gjithashtu një angazhim të fortë për të mos dorëzuar disa armë dhe bomba në asnjë rrethanë”, tha Robles. "Jo bombave thërrmuese dhe po vetëmbrojtjes së Ukrainës, e cila ne besojmë se nuk duhet të kryhet me bomba thërrmuese," tha ajo.

Ora 14:55
Kievi: Ne nuk do të përdorim bomba thërrmuese në Rusi

1687716365_lufta.jpg

Ukraina thotë se nuk do t’i përdorë bombat thërrmuese në territorin e Rusisë, me të cilat do të furnizohet nga SHBA. Ministri ukrainas i Mbrojtjes Oleksiy Reznikov deklaroi se do t’i përdorin vetëm për të çliruar territore ukrainase.

"Ne kemi parime kyçe për të cilat partnerët janë informuar me shkrim. Ukraina do t'i përdorë këto municione vetëm për të çliruar territoret e saj, ato nuk do të përdoren në territorin rus të njohur zyrtarisht, por vetëm në zonat ku forcat e armatosura ruse janë të përqendruara”.

Ora 14:46
500 ditë luftë në Ukrainë! OKB: Vdiqën 9 mijë civilë! Zelensky viziton ishullin e gjarpërinjve

Sot shënohen 500 ditë që nga nisja e luftës në Ukrainë. Kombet e Bashkuara (OKB) kanë bilancin e viktimave, duke vlerësuar se 9 mijë civilë kanë humbur jetën, përfshirë 500 fëmijë, që nga fillimi i pushtimit rus të Ukrainës më 24 shkurt 2022.

"Sot shënon një fazë të re të zezë në një luftë që vazhdon të shkaktojë humbje të tmerrshme në mesin e civilëve ukrainas," tha Noel Calhoun, ndihmës shefi i Misionit të OKB-së për të Drejtat e Njeriut në Ukrainë.

Edhe pse këtë vit numri i viktimave ishte mesatarisht më i ulët se në vitin 2022, ai filloi të rritet përsëri në maj dhe qershor, thanë vëzhguesit. Në një sulm me raketa në Kramatorsk, në lindje të Ukrainës, më 27 qershor, 13 civilë u vranë, duke përfshirë katër fëmijë.

Larg vijës së frontit në Lviv, në perëndim, dhjetë njerëz u vranë në granatimet herët në mëngjesin e së enjtes, në atë që kryebashkiaku e quajti sulmin më të madh në infrastrukturën civile që nga fillimi i pushtimit. Në atë sulm, 42 persona u plagosën, duke përfshirë tre fëmijë, sipas një raporti të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Ukrainës të publikuar të premten.

Në ditën e 500-të të luftës, Volodymyr Zelensky mbërriti në ishullin e gjarpërinjve ku vendosi lule për ushtarët e rënë.

"500 ditë luftë totale. Ishulli i gjarpërinjve. Ishulli i lirë i Ukrainës së lirë. U jam mirënjohës të gjithë atyre që luftuan këtu kundër pushtuesit. Ne përkujtuam heronjtë që dhanë jetën në këtë betejë, një nga më të rëndësishmet e luftës. Lavdi dhe nder të gjithë atyre që luftojnë për sigurinë e Detit të Zi".

Ora 10:54
Rusia godet qytetin ukrainas Krivi Rih gjatë natës

Forcat ruse shënjestruan qytetin ukrainas Krivi Rih në një sulm me dron gjatë natës, duke plagosur të paktën një person dhe duke dëmtuar disa ndërtesa dhe automjete, thanë zyrtarët lokalë më 8 korrik. Një burrë 26-vjeçar u shtrua në spital "me lëndime mesatare", shkroi në Telegram Oleksandr Vilkul, kreu i Këshillit të Mbrojtjes të qytetit.

"Shkatërrimi [i shkaktuar nga sulmi] është i konsiderueshëm," tha Vilkul, duke shtuar se sulmet shkaktuan zjarr që "u shua menjëherë nga shpëtimtarët".

Dronët goditën një ndërmarrje bujqësore, "duke shkatërruar një nga ndërtesat e saj dhe duke dëmtuar rëndë një tjetër," tha Vilkul.

Shtatë kamionë u dëmtuan gjithashtu në sulm, tha zyrtari.

Vilkul tha se situata ishte "nën kontroll" në Krivi Rih, një nga qytetet më të mëdha të provincës juglindore Dnipropetrovsk.

"E gjithë infrastruktura e rëndësishme, transporti publik dhe institucionet sociale dhe mjekësore funksionojnë normalisht," tha Vilkul.

Guvernatori rajonal i Dnipropetrovsk, Serhiy Lysak tha se zjarri shpërtheu në dy vende pas sulmit, duke shkatërruar disa depo, pajisje dhe automjete.

“Zjarri përfshiu rreth 360 metra katrorë”, ka shkruar Lysak në një mesazh në Telegram.

Ora 07:47
SHBA do i dërgojë Ukrainës bomba thërrmuese, Biden: Vendimi ishte i vështirë, por ukrainasve po u mbarojnë municionet

Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të furnizojnë Ukrainën me municione thërrmuese për kundërsulmin e saj kundër forcave pushtuese ruse. Bombat thërrmuese janë pjesë e një pakete të re ndihmash ushtarake prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën, që e çon ndihmën totale ushtarake amerikane në më shumë se 40 miliardë dollarë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.

“Municionet thërrmuese do të dorëzohen në një kornizë kohore që është e rëndësishme për kundërsulmin", u tha gazetarëve një zyrtar i Pentagonit.

Municionet thërrmuese janë të ndaluara nga më shumë se 100 vende. Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë nënshkruar Konventën mbi Municionet Thërrmuese , e cila ndalon prodhimin, grumbullimin, përdorimin dhe transferimin e armëve.

Vendimi vjen pavarësisht shqetësimeve të përhapura se këto lloje bombash mund të shkaktojnë viktima civile. Pentagoni do të ofrojë municione që kanë një "normë pashpërthyeshmërie" të reduktuar, që do të thotë se do të ketë shumë më pak raunde të pashpërthyera bombash që mund të rezultojnë në vdekje të paqëllimshme civile. Bombat thërrmuese hapen në ajër për të goditur disa objektiva në të njëjtën kohë.

Presidenti Joe Biden tha në një intervistë për CNN se ishte një "vendim i vështirë" për t'i dhënë Ukrainës municione thërrmuese për herë të parë, por se ai përfundimisht ishte i bindur të dërgonte armët Kievit i nevojiten municione në kundërofensivë kundër Rusisë.

“Ishte një vendim shumë i vështirë nga ana ime. Dhe meqë ra fjala, unë e diskutova këtë me aleatët tanë, e diskutova këtë me miqtë,” tha Biden, duke shtuar, se ukrainasve po u mbarojnë municionet”.

Biden tha se municionet thërrmuese po dërgoheshin si një "periudhë tranzicioni" derisa SHBA të jetë në gjendje të prodhojë më shumë artileri.

“Kjo është një luftë në lidhje me municionet. Dhe atyre po u mbarojnë municionet, "Dhe kështu, atë që bëra më në fund, mora rekomandimin e Departamentit të Mbrojtjes, jo përgjithmonë, por për të lejuar këtë periudhë tranzicioni”, tha Biden.

Sipas Pentagonit, përdorimi i fundit nga Shtetet e Bashkuara në shkallë të gjerë i bombave thërrmuese ishte gjatë sulmit në Irak në vitin 2003. Por forcat amerikane i konsideruan ato një armë kyçe gjatë pushtimit të Afganistanit në vitin 2001, sipas organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch”. Në tre vitet e para të atij konflikti, vlerësohet se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara hodhi më shumë se 1500 bomba thërrmuese në Afganistan.

Përkrahësit e ndalimit të bombave thërrmuese thonë se ato vrasin pa dallim dhe rrezikojnë civilët shumë kohë pas përdorimit të tyre. Konventa për ndalimin e përdorimit të bombave thërrmuese është nënshkruar nga më shumë se 120 vende. Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina janë ndër vendet që nuk e kanë nënshkruar atë.

Gjatë një konference për shtyp para njoftimit të pakos së re ushtarake nga Pentagoni, Jake Sullivan, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, mbrojti vendimin për dërgimin e bombave thërrmuese në Ukrainë.

Ai tha se Rusia ka përdorur municione të tilla kundër Ukrainës që nga fillimi i konfliktit duke shtuar se përdorimi i predhave të artilerisë nga Ukraina është aq i shpeshtë, sa është e vështirë që sigurohet prodhim i mjaftueshëm, për të mbuluar nevojat.

Ora 07:39
Erdogan duket se do të luajë një rol në shkëmbimin e të burgosurve midis Rusisë dhe Ukrainës

Zelensky tha në një konferencë të përbashkët shtypi tha se të burgosurit politikë, së bashku me të burgosurit politikë dhe fëmijët e dëbuar, kishin qenë një "temë kyçe" e bisedimeve të tij me Erdoganin në Stamboll.

“Për mua dhe për presidentin Erdogan, jetët njerëzore janë prioritet”, tha Zelensky, duke shtuar se partnerët e vendeve “kanë listën e njerëzve dhe ne po punojmë në mënyrë aktive për këtë çështje”.

Erdogan tha se do të kërkonte gjuhën e përbashkët kur të fliste me liderin rus, duke përfshirë edhe takimin e tyre në gusht.

“Veçanërisht për shkëmbimet e të burgosurve, ne kemi dëgjuar Ukrainën. Po dëgjojmë edhe Rusinë. Unë fola me zotin Putin”, tha Erdogan. “Muajin e ardhshëm do të mund të flasim sërish për këtë kur zoti Putin të ketë një vizitë në Turqi. Deri atëherë do të flasim për këtë në telefon.”

Ora 07:37
Zelensky: Turqia mbështet anëtarësimin e Ukrainës në NATO

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ishte “i lumtur kur dëgjoi” se Turqia mbështet përpjekjen e Ukrainës për t'u bashkuar me aleancën e NATO-s.

Zelensky, i cili foli së bashku me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në një konferencë të përbashkët shtypi në Stamboll, tha se të dy udhëheqësit diskutuan "çështjet kryesore të punës në kontekstin e NATO-s, veçanërisht përgatitjen samitin e Vilniusit".

Ukraina pritet të jetë në krye të axhendës së atij takimi javën e ardhshme.

“Unë ngrita çështjen e anëtarësimit të Ukrainës në aleancën e NATO-s dhe isha i lumtur kur dëgjova se Presidenti [Erdoğan] mbështet Ukrainën që të jetë anëtare e NATO-s”, tha Zelensky.

“Ne bëmë disa marrëveshje,” tha ai. I kërkova Turqisë të bashkohet në përpjekjet për rindërtimin dhe transformimin e Ukrainës, është një projekt kolosal dhe ne kemi nevojë për përvojën dhe teknologjinë e Turqisë për të na ndihmuar.

Ora 07:34
Zelensky në Stamboll! Erdogan: Turqia po punon për zgjatjen e marrëveshjes së grurit

Udhëheqësit e Ukrainës dhe Turqisë thonë se po punojnë për të zgjatur marrëveshjen e drithit të Detit të Zi që skadon këtë muaj. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të shtunën herët se ai diskutoi këtë çështje me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan në Stamboll dhe theksoi se Deti i Zi duhet të jetë një zonë sigurie.

Erdogan tha se Turqia po punon për zgjatjen e marrëveshjes dhe se ai do të flasë me presidentin rus Vladimir Putin për këtë çështje. Presidenti turk tha se në vend që të rinovojë një marrëveshje njëvjeçare çdo dy muaj, ai shpreson se ajo mund të vendoset për një periudhë dyvjeçare, me rinovim çdo tre muaj. Marrëveshja aktuale skadon më 17 korrik.

“Deti i Zi duhet të jetë një zonë sigurie, bashkëpunimi dhe jo një zonë lufte apo ndonjë krize apo të ashtuquajturi konflikt të ngrirë që mund të ndizet në çdo minutë dhe të godasë dhe të ndikojë në jetët e njerëzve”, tha Zelensky.

Erdogan tha se pas ndërmjetësimit të marrëveshjes së drithit, rreth 33 milionë tonë drithë ishin në gjendje të arrinin tek ata që kishin nevojë për të në vetëm një vit.

“Ne kemi treguar solidaritetin tonë me Ukrainën përmes ndihmës politike, ekonomike, humanitare dhe teknike”, tha Erdogan.

Ora 07:31
Zelensky: Mirënjohës për mbështetjen e Turqisë për integritetin tonë territorial

"Unë jam mirënjohës për mbështetjen e Turqisë për integritetin territorial të Ukrainës." Kështu deklaroi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, gjatë konferencës për shtyp në fund të takimit në Stamboll me presidentin turk, Recep Tayyp Erdogan.

Sipas shtypit turk, presidenti ukrainas "u shpreh mirënjohës për mbështetjen turke për iniciativën e grurit të Detit të Zi", duke nënvizuar nevojën "për të siguruar stabilitet në rajonin e Detit të Zi".

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se beson se vendi i tij do të rimarrë kontrollin mbi Krimenë.

“Ne folëm për situatën në Krime që Rusia ende e kontrollon në mënyrë të paligjshme dhe e përdor si një urë kërcënimesh dhe rreziku. Në çdo rast, ne do të rinovojmë kontrollin tonë mbi Krimenë”, tha ai.

SI.E.//Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë

Ja pse 'lirimi' i Sali Berishës i gëzoi të gjithë