Shtetet e Bashkuara njoftuan se do të furnizojnë Ukrainën me municione thërrmuese për kundërsulmin e saj kundër forcave pushtuese ruse. Bombat thërrmuese janë pjesë e një pakete të re ndihmash ushtarake prej 800 milionë dollarësh për Ukrainën, që e çon ndihmën totale ushtarake amerikane në më shumë se 40 miliardë dollarë që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
“Municionet thërrmuese do të dorëzohen në një kornizë kohore që është e rëndësishme për kundërsulmin", u tha gazetarëve një zyrtar i Pentagonit.
Municionet thërrmuese janë të ndaluara nga më shumë se 100 vende. Rusia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë nënshkruar Konventën mbi Municionet Thërrmuese , e cila ndalon prodhimin, grumbullimin, përdorimin dhe transferimin e armëve.
Vendimi vjen pavarësisht shqetësimeve të përhapura se këto lloje bombash mund të shkaktojnë viktima civile. Pentagoni do të ofrojë municione që kanë një "normë pashpërthyeshmërie" të reduktuar, që do të thotë se do të ketë shumë më pak raunde të pashpërthyera bombash që mund të rezultojnë në vdekje të paqëllimshme civile. Bombat thërrmuese hapen në ajër për të goditur disa objektiva në të njëjtën kohë.
Presidenti Joe Biden tha në një intervistë për CNN se ishte një "vendim i vështirë" për t'i dhënë Ukrainës municione thërrmuese për herë të parë, por se ai përfundimisht ishte i bindur të dërgonte armët Kievit i nevojiten municione në kundërofensivë kundër Rusisë.
“Ishte një vendim shumë i vështirë nga ana ime. Dhe meqë ra fjala, unë e diskutova këtë me aleatët tanë, e diskutova këtë me miqtë,” tha Biden, duke shtuar, se ukrainasve po u mbarojnë municionet”.
Biden tha se municionet thërrmuese po dërgoheshin si një "periudhë tranzicioni" derisa SHBA të jetë në gjendje të prodhojë më shumë artileri.
“Kjo është një luftë në lidhje me municionet. Dhe atyre po u mbarojnë municionet, "Dhe kështu, atë që bëra më në fund, mora rekomandimin e Departamentit të Mbrojtjes, jo përgjithmonë, por për të lejuar këtë periudhë tranzicioni”, tha Biden.
Sipas Pentagonit, përdorimi i fundit nga Shtetet e Bashkuara në shkallë të gjerë i bombave thërrmuese ishte gjatë sulmit në Irak në vitin 2003. Por forcat amerikane i konsideruan ato një armë kyçe gjatë pushtimit të Afganistanit në vitin 2001, sipas organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “Human Rights Watch”. Në tre vitet e para të atij konflikti, vlerësohet se koalicioni i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara hodhi më shumë se 1500 bomba thërrmuese në Afganistan.
Përkrahësit e ndalimit të bombave thërrmuese thonë se ato vrasin pa dallim dhe rrezikojnë civilët shumë kohë pas përdorimit të tyre. Konventa për ndalimin e përdorimit të bombave thërrmuese është nënshkruar nga më shumë se 120 vende. Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina janë ndër vendet që nuk e kanë nënshkruar atë.
Gjatë një konference për shtyp para njoftimit të pakos së re ushtarake nga Pentagoni, Jake Sullivan, këshilltari i Sigurisë Kombëtare i Presidentit Joe Biden, mbrojti vendimin për dërgimin e bombave thërrmuese në Ukrainë.
Ai tha se Rusia ka përdorur municione të tilla kundër Ukrainës që nga fillimi i konfliktit duke shtuar se përdorimi i predhave të artilerisë nga Ukraina është aq i shpeshtë, sa është e vështirë që sigurohet prodhim i mjaftueshëm, për të mbuluar nevojat.
Lajmi kryesor: