Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky shpreson që raundi i ardhshëm i bisedimeve Ukrainë-Rusi, me ndërmjetësimin e SHBA-ve, të zhvillohet këtë muaj.
Zelensky deklaroi se rezultati i arritur nga bisedimet e mëparshme nuk është i mjaftueshëm, sipas agjencisë ukrainase të lajmeve, Ukrinform.
"Deri më sot, nuk mund të themi se rezultati është i mjaftueshëm. Përfaqësuesit ushtarakë kanë diskutuar disa çështje seriozisht dhe në mënyrë thelbësore. Megjithatë, çështjet e ndjeshme politike, çështjet e kompromiseve të mundshme dhe takimi i nevojshëm midis udhëheqësve ende nuk janë përpunuar mjaftueshëm. Ne po mbështetemi në takimin e ardhshëm dhe do të ishte e përshtatshme që ai të zhvillohet në shkurt", tha Zelensky.
Sot përfundoi raundi i tretë i bisedimeve në Gjenevë midis Ukrainës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Edhe pse i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, kishte shprehur optimizëm për bisedimet të cilat zgjatën rreth dy orë, si pala ruse ashtu edhe ajo ukrainase treguan se ato kishin qenë "të vështira".
Moska dhe Kievi mbeten larg njëri-tjetrit për çështjet kryesore të territorit dhe kushtet e një armëpushimi të mundshëm në konfliktin katërvjeçar.
Rusia ka kërkuar kontroll të plotë të Donbasit lindor të Ukrainës, i përbërë nga rajonet e Donetskut dhe Luhanskut. Kievi e ka refuzuar prej kohësh këtë kërkesë, pasi për ta kjo do të ishte të heqësh dorë nga territori sovran ukrainas.
Një tjetër pikë ngërçi në bisedime është statusi i centralit bërthamor të Zaporizhzhisë. Termocentrali - më i madhi në Evropë ndodhet në vijën e frontit dhe ka qenë nën kontrollin rus që nga marsi i vitit 2022.
Komente









