Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe homologu i tij ukrainas, Volodymyr Zelensky, nënshkruan sot një marrëveshje në Paris sipas së cilës Kievi do të blejë deri në 100 avionë luftarakë Rafale dhe pajisje të tjera.

Marrëveshja e nënshkruar në bazën ajrore Villacoublay të Francës nuk është një kontratë blerjeje dhe shitjeje dhe parashikohet të realizohet "brenda një afati kohor prej rreth 10 vitesh", shtoi presidenca.

Pas marrëveshjes për blerjen e avionëve, presidenti francez Emmanuel Macron dhe homologu i tij ukrainas Volodymy Zelensky zhvilluan një konferencë për shtyp.

Macron tha se Ukraina dhe aleatët e saj evropianë janë të gatshëm të marrin pjesë në bisedimet e paqes, por vuri në dukje se Rusia vazhdon të intensifikojë sulmet e saj ndaj Ukrainës.

Ai thotë se sulmet e vazhdueshme ruse në infrastrukturën energjetike të Ukrainës tregojnë “se Rusia nuk dëshiron paqe” dhe nuk do ta ndalë agresionin e saj.

“Ne mbetemi të vendosur dhe mbetemi të fortë dhe të bashkuar për paqen. Nuk ka të bëjë vetëm me sigurinë e Ukrainës, por edhe me sigurinë e të gjithë evropianëve që është në rrezik”, tha ai, teksa shtoi se marrëveshjet e nënshkruara do të ndihmojnë në forcimin e ushtrisë ukrainase në këtë pikë kritike të luftës.

“Ne kemi treguar se si në afat të shkurtër, ashtu edhe në afat të mesëm dhe të gjatë, jemi të gatshëm të ndihmojmë Ukrainën, çfarëdo që të duhet”, thotë ai.

Presidenti francez përmend gjithashtu punën e vazhdueshme për kredinë e dëmshpërblimit të BE-së për Ukrainën dhe përdorimin e aseteve të tjera për të ndihmuar Kievin.

“BE-ja do të duhet të gjejë mënyra për të ruajtur pavarësinë financiare të Ukrainës që tani e tutje, për disa vitet e ardhshme, derisa kjo luftë të përfundojë”, tha ai, duke theksuar se kjo është e rëndësishme për t’i dërguar një sinjal Vladimir Putinit të Rusisë se ai “nuk do të jetë në gjendje të vërë bast për lodhjen e Evropës” me luftën.