TIRANE- Hetuesit shqiptarë kanë mbërritur në Shqipëri bashkë me zemrën e Ilia Karelit (Kudret Kume). Eksperti mjeko-ligjor Zija Ismaili dhe prokrurori i çështjes Ardian Beu në Fier, ishin ata që firmosën marrjen në dorëzim të zemrës pranë autoriteteve greke. Aktualisht për ekzaminimet e metëjshme është ngarkuar mjeksia-ligjore, më pas do t’u dërgohet familjarëve të cilët ende nuk kanë vendosur për një rivarrim të trupit. Materialet e tjera për ngjarjen pritet të vijnë në ditët në vijim, pasi mësohet se Ministria e Drejtësisë të dërgojë letërporosi autoriteve greke. Bëhet fjalë për një sërë provash materiale, si pamjet filmike, dëshmitë e gardianëve dhe disa prej të burgosurve që ndanin qelinë me viktimën Kudret Kume.

Zhvarrimi i Kumes
Sjellja në Shqipëri e zemrës së Kudret Kumes, duket se do të detyrojë familjen e tij për të kryer zhvarimin e personit që u torturua për vdekje nga gardianët e burgut. Familjarët e Kumes kanë deklaruar se nëse Greqia i kishte hequr organet e brendshme do të mbante përgjegjësi të dyfishtë. Pritet që brenda kësaj jave zemra e Kumes të vijë në Shqipëri, ku pas ekzaminimeve ajo do i dorëzohet familjarëve në Zhupan të Fierit. Duket se këta të fundit, do marrin vendimin për zhvarosjen e trupit të Kumes, me qëllim varrosjen e zemrës së bashku me trupin e tij.

Heqja e zemrës së Kudret Kumes, është kryer në laboratorin ku trupi i të ndjerit ju nënshtrua ekspeprtizës. Vetë grekët, e argumentuan heqjen e zemrës me faktin se nevojitej për ekzaminimin e saj, me qëllim nxjerrjen e konkluzjoneve përfundimtare, që do të qartësojnë shkaqet e vdekjes së Kudret Kumes.

Hetimet në Fier
Në një kohë kur prokuroria greke ka nisur hetimet duke vënë në përgjegjësi penale 15 gardianë të burgut të Nigritas, paralelisht me hetuesit helenë ka nisur hetime dhe prokuroria e Fierit. Kjo e fundit është vënë në lëvizje, pasi një kallëzimi të depozituar nga familjarët e Kudret Kumes, të cilët në kallëzimin e tyre kanë kërkuar zbardhjen e të vërtetës dhe dënimin e personave që torturuan për vdekje Kumen. Nisur nga kjo situatë, prokuroria urdhëroi kryerjen e ekspertizës mjeko-ligjorë, ekspertizë e cila ende nuk ka përfunduar.

Në rast se, në Greqi, gardianët dënohen vetëm për shpërdorimin e detyrës, apo tejkalim të detyrave funksionale, prokuroria shqiptare do t'i hetojë për llogari të saj gardianët e Burgut të Nigridas, edhe pse Prokuroria greke thuhet se ka si provë të akuzës ndaj 15 gardianëve, momentet kur shfaqet i dënuari 42-vjeçar teksa torturohet.

Shkrimi u publikua sot 25 prill 2014 në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia online
(d.a/shqiptarja.com)