Ray J po lufton për jetën pasi mjekët i kanë thënë se zemra e tij është në rrezik dhe duket se u ka treguar fansave se pret të vdesë vitin e ardhshëm.

“Kjo është e zezë. Kjo është, si me thënë, fundi,” tha këngëtari 45-vjeçar i R&B gjatë një transmetimi në Instagram duke treguar nga kraharori. “2027 është padyshim fundi për mua.”

Autori i këngës “Sexy Can I” fajësoi përdorimin e substancave për problemet e tij shëndetësore, duke rrëfyer: “Jam shkatërruar.” “Mendova se isha i madh, se mund ta përballoja gjithë alkoolin, se mund ta përballoja gjithë Adderall-in, se mund t’i përballoja të gjitha drogat, por nuk munda,” pranoi ai. “Ma shkurtoi kohën këtu.”

Më herët këtë muaj u raportua se reperi ishte shtruar në spital me pneumoni të rëndë pasi kishte përjetuar “dhimbje në zemër”. “Zemra ime po rreh vetëm 25%,” tha këngëtari në një tjetër video në Instagram duke shtuar në përshkrim se “pothuajse vdiqa”.

Megjithatë, Ray J tha se po përpiqet të mbetet optimist për prognozën e tij.

“Për sa kohë përqendrohem dhe jam në rrugën e duhur, gjithçka do të jetë në rregull,” tha ai. “Shëndeti im nuk është mirë, ndaj i falënderoj të gjithë që po më mbështesin dhe po luten për mua gjatë gjithë kohës që kam qenë në spital.”

Por çfarë është zemra e zezë për të cilën flet Ray J?

Indi i zemrës që bëhet i zi lidhet më së shpeshti me alkaptonurinë, një çrregullim i rrallë gjenetik metabolik në të cilin trupi nuk arrin të shpërbëjë acidin homogjentisik. Me kalimin e kohës, ky acid grumbullohet në indet lidhës,e përfshirë valvulat e zemrës, duke shkaktuar ndryshim ngjyre dhe komplikime të tjera.

Por “zemra e zezë” mund t’i referohet gjithashtu vdekjes së indeve ose nekrozës, e shkaktuar nga mungesa e qarkullimit të gjakut ose e oksigjenit.

Nuk është e qartë saktësisht nga çfarë po vuan Ray J, por përdorimi i rëndë dhe kronik i substancave mund të çojë në dëmtime të indeve të zemrës.

Droga dhe medikamentet mund t’i ngushtojnë rëndë enët e gjakut, duke kufizuar qarkullimin dhe duke i privuar indet nga oksigjeni dhe lëndët ushqyese, gjë që në fund mund të çojë në nekrozë.

“E kam shkatërruar zemrën në anën e djathtë,” tha Ray J në videon në Instagram. “Është, si, e zezë … është si një armë.”

A mund të kurohet zemra e zezë?

Ray J gjendet në regjim shtrati dhe se tani po merr tetë lloje medikamentesh, ndërsa mjekët përpiqen të stabilizojnë zemrën e tij dhe t’i zgjasin jetën.

Ata e kanë përgatitur për mundësinë që mund t’i nevojitet një pajisje në organ për të ruajtur ritmin e rrahjeve, por gjithçka mbetet ende për t’u parë. Ndërkohë, mesazhi i tyre është i prerë: pa alkool, pa duhan.

Ndërkohë ai nuk po mbështetet vetëm te mjekësia moderne, por thotë se ka ndërmend të shkojë në Haiti për të provuar edhe “voodoo”.

Ray J tha për TMZ se ndryshimet në stilin e jetesës nuk kanë qenë të lehta, por është i vendosur të kthehet në rrugë të mbarë për të qenë i pranishëm në jetën e fëmijëve të tij.

Aktualisht, atij i ndalohet t’i shohë ata për shkak të një urdhri mbrojtës penal të lëshuar pas arrestimit të tij në nëntor 2025, kur dyshohet se i drejtoi armën bashkëshortes së tij, Princess Love.