Mbrëmja ‘Gala’ e futbollit shqiptar një pjesë të mirë të saj ia kishte dedikuar kombëtares shqiptarë, e cila në 2024 bëri krenarë tifozët duke u përfaqësuar në Evropianin e Gjermanisë. Si kapiten, Berat Gjimshiti, me votat e të gjithë futbollistëve kuqezinj, u zgjodh si ‘Lojtari i Vitit të Kombëtares’, duke lënë pas Ardian Ismajlin dhe Kristjan Asllanin. Në mungesë, për shkak të ndeshjes në Champions, çmimin e tërhoqi nëna e tij Sevime Gjimshiti, ndërsa Ylber Ramadani mori çmimin ‘zemër kuqezi’, për të cilin votuan stafi teknik i kombëtares, me motivacionin ‘lojtari i cili jep zemrën në fushë’.
“Ndjehem shumë krenarë. Doja të falenderoja edhe trajnerin sepse edhe ai ka votuar që unë ta marrë këtë çmim. Jam jashtëzakonisht krenarë sepse dua ta përfaqësoj vendin dhe të arrijmë rezultate sa më të mira,”-tha fillimisht Ramadani.
Ramadani foli edhe për eliminatoret e Botërorit, që nisin me 21 mars kundër Anglisë, ndërsa në grup janë edhe Serbia, Andora dhe Letonia.
“Grupi nuk është i lehtë, por ne do futemi të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje. Kjo nuk diskutohet. Pa marrë parasysh se kë kemi kundërshtarë. Mendoj që futbolli ka surpriza dhe ne duhet të bëjmë maksimumin për të bërë diçka të tillë,”-u shpreh Ylber Ramadani, futbollist i kombëtares.
20-vjeçari Emir Rashica, me origjinë nga Kosova, u shpall telenti i vitit 2024.
“Çdo djalë i ri shqiptar dhe kosovar e ka ëndërr kombëtaren e madhe të Shqipërisë. Mirëpo gjërat duhet marrë hap pas hapi dhe besoj që do ta arrij,”-deklaroi Emir Rashica, futbollist i Skënderbeut.
Një moment special në mbrëmjen Gala kishte për protagonist trajnerin Sylvinho, i cili sëbashku me vajzën e tij Taty, tregoi një pasion tjetër që deri më tani nuk njihej, kënga. Ai performoi këngën ‘my ëay’, ndërsa në fund mori edhe duartrokitjet e sallës.