Zenepe Luka: Sot padis Sali Berishën për ‘Moskallëzim krimi’

Zenepe Luka: Sot padis Sali Berishën për ‘Moskallëzim krimi’
Gazetarja e njohur Zenepe Luka, pas botimit të librit “Izet Haxhia përballë Sali Berishës” depoziton sot në prokurorinë e Vlorës një padi penale për ish-presidentin Sali Berisha.
 
Luka i rikthehet një ngjarjeje të rëndë kur në vitin 1997, në kohën kur ajo punonte si korrespondente e gazetës “Koha jonë” dhe përcillte ngjarjet e pranverës së përgjakshme të atij viti në qytetin bregdetar, iu vu tritoli në shtëpi.
 
Izet Haxhia rrëfen në libër se tritoli në shtëpinë e Zenepes është vënë me urdhër të Azem Hajdarit, në një kohë që PD-në e kontrollonte totalisht Berisha.
 
Me këtë rast, Zenepe Luka i drejton një apel edhe ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.
 
 
 
Nga Zenepe Luka
 
Dy fjalë për librin “Izet Haxhia përballë Sali Berishës”
 
Këtë shkrim dua ta nis me dy fjalë për librin “Izet Haxhia përballë Sali Berishës” përgatitur nga gazetari i mirënjohur i DITA-s, Xhevdet Shehu.
 
Rrallë ndodh, që një libër me 340 faqe, ta përpish në disa orë sikurse më ndodhi me këtë libër. Sigurisht, ka arsye të ndodhë kjo, e para interesi për temën që trajton, autori,por në këtë libër të pazakontë, të
 
 
rrallë në llojin e vet, në radhë të parë lipset guxim, trimëri për të hedhur të zezën në të bardhë, për vetë problematikën që trajton, aq më tepër kur bëhet fjalë për krime të rënda në një shoqëri, shto pastaj, kur protagonisti kryesor ka qenë kreu i shtetit dhe sot është deputet i Kuvendit të Shqipërisë.
 
Xhevdet Shehu, një gazetar me përvojë, si gjithmonë, por edhe me këtë libër, ka treguar se gazetaria për të nuk është thjesht profesion, por një mision. Nëse do të ishim në një shoqëri të vërtetë demokratike dhe do të kishim shoqata të mirëfillta gazetarie, ky koleg duhej propozuar për medaljen më të lartë. Por, jam e sigurt se këtë do ta bëjë lexuesi i thjeshtë, që është “medalja” më e çmuar.
 
 
 
Padi për ish Presidentin Sali Berisha
 
Në faqet e këtij libri, ish truproja e ish Presidentit Sali Berisha, ka rrëfyer edhe për ngjarjen makabre të 10 majit të vitit 1998, vendosjen e tritolit në banesën time, kur punoja si gazetare e “Koha Jonë” në Vlorë.
 
Unë i dija të gjitha ato që Izet Haxhia, nënvizon në faqet 159-160 të këtij libri, por tashmë, që e kam në duar këtë libër, ai merr vlerën e provës dhe unë do t’i drejtohem gjykatës me një kërkesë-padi me objekt:
 
berisha-hajdari“Padis ish-Presidentin dhe ish-Kryeministrin e vendit, Sali Berisha, për moskallëzim krimi, duke shpresuar se do të vihet në lëvizje dosja që është pushuar në Prokurorinë e Vlorës”. Unë e di që autorët kanë ndërruar jetë, për shkak të hesapeve të tyre. Por, ka një nen në kodin penal, sipas të cilit përbën vepër penale nëse vihesh në dijeni për këtë krim makabër dhe e fsheh atë, aq më tepër kur je kreu i shtetit.
 
Duke iu lutur Zotit, që më shpëtoi bashkë me fëmijët, nuk dëshiroj të ndëshkoheni penalisht, por do të kërkoj dëmshpërblim për dëmin që iu shkaktua banesës.
 
 
 
Kërkesë drejtuar z. Izet Haxhia
 
Do të dëshiroja, që në gjyqin e kërkuar prej meje, që do të kisha dëshirë të binte në dorën e bashkëqytetares sime, Fatmira Hajdari, të dëshmonte fizikisht edhe z.Izet Haxhia.
 
A do të kërkojë ndëshkimin për djegien e gazetës “Koha Jonë” z.Nikollë Lesi?
 
Për vetë natyrën që ka, zoti Nikollë Lesi, botuesi i gazetës “Koha Jonë”, shpresojmë se do të formulojë edhe ai kërkesë-padi për dëmshpërblim për djegien e gazetës “Koha Jonë”, aq më tepër që disa nga autorët që akuzon Izet Haxhia, janë këtu, në Shqipëri, qytetarë të lirë.
 
Edhe një mesazh për Ambasadorin Lu
 
I nderuar z. Ambasador. Ju që jeni aq i interesuar për dekriminalizimin, për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të pushtetarëve dhe të zgjedhurve, që kanë bërë krime, vlerësojeni këtë libër, që është një provë e gjallë, për krimet që janë bërë në Shqipëri, në këto vite tranzicioni.
 
Përveç kësaj kërkese, unë ju bëj edhe një pyetje, i nderuar z.Lu:
 
Nëse do të ishte botuar një libër i tillë në SHBA, për Presidentin e vendit tënd, çfarë do të kishte ndodhur?
 
Gjëja më e dobishme që do të bënit, si Ambasador i Shtetit më të madh demokratik në botë, do të ishte që këtë libër me ngjarje e krime të mëdha, t’ia dorëzonit si provë materiale Prokurorit të Përgjithshëm z.Adriatik Llalla. Ky do të ishte filli i lëmshit, hapi i parë, për të realizuar reformën në drejtësi në Shqipëri. Të shpresojmë z. Ambasador!
 
 
Izet Haxhia: Tritolin Zenepes ia vuri Azemi…
 
(Fragment nga libri “Izet Haxhia përballë Sali Berishës”)
 
Pas një fjalimi të deputetit Patozi më 4 qershor 2015 në Kuvend dhe një replike të dërguar në redaksi nga gazetarja Zenepe Luka, redaksia pyeti një nga dëshmitarët e ngjarjeve të rënda të atyre viteve, Izet Haxhinë. Më poshtë, emaili i z.Haxhia për DITA-n:
 
“Unë nuk kam qenë në atë miting se që pas ngjarjes së Milotit ku gjoja iu bë atentat Azemit dhe është një ndodhi që nuk është sqaruar, sepse nuk ka pasë asnjë atentat ndaj Azemit, por ka qenë një diçka tjetër që do ta sqaroj ndonjëherë tjetër. Por me sa di unë dhe nga vetë goja e Azemit, i cili kur pinte apo donte të mburrej, tregonte bëmat e tij apo ato që urdhëronte… që kjo, pra vënia e tritolit në shtëpinë e Zenepes, është një akt i kryer me urdhër të Azemit, është e padiskutueshme. Sepse ai ka patur lidhje me një pjesë të bandës së Kakamit, që kanë qenë aktivë në atë periudhë në Vlorë. Bile m’u kujtua që për këtë akt, Azemi ka vënë në dijeni edhe Berishën, apo “Marshallin” siç e thërriste ai, për t’i treguar që ai ishte i fortë në Vlorë e me lidhje të fuqishme. Këto janë të dhëna nga njerëzit e afërt me Berishën e Azemin, të cilët kishin qejf të mburreshin edhe me akte terroriste.
 
Po, Zenepja ka të drejtë kur akuzon dhe drejton gishtin nga autorët, sepse pikërisht nga RD dhe 55 është akuzuar si nxitëse e trazirave në Vlorë, e sidomos për sulmin ndaj SHIK-ut. Por nuk duhet harruar Frrok Çupi, pasi ishte editoriali i tij te “Koha Jonë”, ndezësi i fitilit të luftës në Vlorë. Më vonë, “çuditërisht” Sala këtë person e bëri aleat e i dha poste. Ca gjëra e ca lidhje nuk arrij t’i konceptoj, sepse janë jashtë çdo logjike.
 
Azemi ka pasë mbajtë kontakte të vazhdueshme me pjesëtarë të bandës së Kakamit. Edhe për armët e SHIK-ut që u patën nisur me porosi të Salës, Azemi iu thoshte këtyre pjesëtarëve që ua kam nisur unë”./DITA/

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit

Lidhjet e Suel Çelës me Artan Hoxhën, Kikia në ‘Frontline’: Gazetaria mori goditje të jashtëzakonshme, gazetarë në shërbim të një prej organizatave më famëkeqe të krimit