Në Shqipëri, rastet e reja me koronavirus rregjistruan një rritje, për shkak të shtimit të ndjeshëm të të prekurve në qytetin e Shkodrës, me 13 persona të rinj, nga 21 në total që u konfirmuan në 24 orët e fundit. Ndërsa ditët e fundit ishte vënë re një tkurrje e rasteve të reja, Shkodra është kthyer në një shqetësim për autoritetet, të cilat besojnë se qytetarët nuk po zbatojnë masat e distancimit social dhe po shkelin rregullat e karantinës. Në 10 ditët e fundit të prekurit janë më shumë se trefishuar, duke kapur shifrën e 70 rasteve
Në të gjithë vendin numërohen deri mesditën e së hënës, 467 të prekur, nga të cilët 221 raste janë vetëm në Tiranë. Kryeqyteti mbetet epiqendra e epidemisë, ku çdo ditë konfirmohen të infektuar të rinj. Përveç Shkodrës, Durrësi dhe Fieri janë dy qytetet e tjera me numër të lartë të prekurish, ndërsa në pjesën tjetër të vendit, rastet mbeten të kufizuara.
Pas katër ditësh në rënie, të dhënat e sotme, flasin për një rritje të lehtë dhe të numrit të të shtruarve, Në dy spitalet e Tiranës janë 52 pacientë. Prej tyre 7 janë në gjendje të kritike, ndërsa në terapi intensive janë dhe 7 të tjerë. “Në Shërbimin infektiv aktualisht janë 41 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 2 prej tyre janë të intubuar. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. Gjashtë pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 5 prej tyre pacientë janë të intubuar”, bëri të ditur drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik, Albana Fico. Numri i të shëruarve ka arritur në 232 persona pasi në 24 orët e fundit 15 të prekur rezultuan negative ndaj COVID 19-ës.
Situata në Shkodër
Shtimi i shpejtë i numrit të të prekurve me COVID-19 në Shkodër ka vënë në alarm strukturat shtetërore. Drejtuesë të lartë të policisë së Shtetit dhe të ushtrisë ishin sot në qytet duke inspektuar nga afër situatën në tregjet e qytetit dhe duke u bërë apel qytetarëve që të zbatojnë masat për parandalimin e përhapjes së COVID-19. Rastet e shtuara të të infektuarve, që e kanë renditur Shkodrën në zonën e dytë të kuqe në Shqipëri, vijnë si pasoje e moszbatimit të masave për distancimin fizik dhe nënvleftesimit të pasojave që sjell infektimi me COVID-19, por edhe mungesës së bashkëpunimit të qytetarëve me strukturat përgjegjese si në nivel vendor, ashtu edhe atë qendror.
Vatrat e para të infektimit në lagjet periferike të qytetit erdhën si pasojë e pjesëmarrjes së një numëri të madh qytetarësh në ceremoni varrimi dhe kujdesit të pakët për të zbatuar distancimin social. Por, përkeqësimi i situatës lidhet edhe me marrjen me shumë vonesë të masave për kontrollin e tregjeve të lira, ku ende situata vazhdon të jetë problematike.Në tregjet e lira të qytetit ishin sot për të inspektuar gjendjen drejtues të lartë të policisë, ushtrisë si dhe kordinatori i qeverisë për Shkodrën, i cili në fundjavë zëvendësoi prefektin e këtij qarku pas shkarkimit nga qeveria.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, tha se situata në Shkodër është pasojë edhe e neglizhencës së qytetarëve: “Nuk është absolutisht pozitive, që çdo ditë në qytetin e Shkodrës, falë edhe neglizhencës së qytetarëve, identifikohen qytetarë, të cilët janë bartës të këtij virusi. Nuk ka pse të vazhdojë kjo situatë në Shkodër. Ne i bëjmë thirrje çdo qytetari që të bëhet pjesë pozitive me kontributin e tij individual për të shëruar dhe kuruar këtë situatë në të cilën ne jemi aktualisht”.
Ndërsa Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë, Bardhyl Kollcaku, tha se prania e forcave të ushtrisë në qytet duhet t’i ndërgjegjësojë qytetarët për situatën e krijuar në Shkodër. “Shtimi i rasteve në Shkodër është një këmbanë alarmi dhe duhet të shërbejë për sensibilizimin e të gjithë qytetarët. Por, edhe fakti që shikojmë forcat e armatosura që të jenë në qytet me armatim, tregon se sa e rëndësishme është situata. Është një ngjarje e pazakontë, një situatë e pazakontë që ushtria, forcat e armatosura të jenë në terren. Kjo tregon se sa e rëndësishme dhe e vështirë është situata”, deklaroi general Kollçaku
Për kordinatorin e qeverisë në Shkodër, zv/ministrin e brendshëm Besfort Lamallari, kërkohet bashkëpunim i të gjithë strukturave për tejkalimin e situatës së rënduar të krijuar, pas shtimit të rasteve me COVID-19.
Ndërkohë, drejtuesit vendor të Bashkisë së Shkodrës, por edhe ish deputetë të opozitës nga ky qarku, prej disa javësh kanë kërkuar shtimin e numrit të testeve për të përcaktuar situatën reale të përhapjes së COVID-19 në qytet. Por, specialistët e Institutit të Shëndetit Publik kanë bërë të ditur se numri i testeve është i konsiderueshëm dhe në përputhje me testet që realizohen edhe në zona të tjera të vendit.
Pasdite në spitalin rajonal të Shkodrës, një 59 vjeçar, me inicialet M.S., nga Puka, i cili ndodhej në gjendje kome, ka ndërruar jetë. Një ditë më parë ai kishte rezultuar pozitiv ndaj COVID 19-ës por sipas Ministrisë së Shëndetësisë ai “ka rezultuar bartës, por pa simptoma”, duke saktësuar se dhe vdekja e tij ka ardhur “si pasojë e hemorragjisë cerebrale (aksident cerebral vascular) dhe jo si pasojë e COVID 19-ës”.
Qytetari nga Puka dyshohet të jetë një ndër 4 pacientët të cilët janë infektuar nga një infermiere e Spitalit rajonal të Shkodrës, e konfirmuar me koronavirus në 24 orët e fundit e që rezulton të jetë infektuar në komunitet. Edhe tre të tjerët janë në gjendje të rëndë shëndetësore “për shkak të patologjive për të cilat po trajtohen, por pa simptoma përsa i takon COVID 19-ës”, shpjegoi ministria në një deklaratë të shpërndarë pasdite. Të tre janë transferuar gjatë ditës në Tiranë.
Ndërsa deri më tani, personali mjekësor i prekur, 47 raste, ose 10 përqind e totalit të të infektuarve, e ka marrë virusin nga pacientët. Ndërkohë që rasti i Shkodrës, flet për të kundërtën, duke ngritur dyshime dhe për respektimin e rregullave nga vetë personeli shëndetësor./VOA
*Titulli origjinal: Koronavirusi, situatë shqetësuese në Shkodër, sot 13 raste të reja