Votimi për presidentin në Kuvendin e Kosovës dështoi edhe në seancën e orës 19:00, pasi sërish deputetët e opozitës nuk u paraqitën në sallë. Kryeparlamentarja Albulena Haxhiu tha se deputetët e PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe ndodhen në zyrat e tyre në godinën e Kuvendit, por nuk zbresin në sallë për të marrë pjesë ne votim.
Me shpresë për të shpëtuar Kosovën nga një palë zgjedhje të tjera parlamentare të parakohshme, Haxhiu njoftoi se seanca e radhës do të mbahet sonte në orën 23:00.
"Për këtë seancë nuk janë deputetët e grupit parlamentar të PDK-së, LDK-së, AAK-së dhe Listës Serbe, më lejoni edhe njëherë si kryetare e Kuvendit të Kosovës që t’i bëj thirrje deputetëve që të vijnë në seancë. Ata, siç e dini tashmë, ndodhen në ambientet e Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe i lutem atyre që të zbresin në sallë ku po vazhdon seanca për zgjedhjen e Presidentit.
Ne i kemi edhe disa orë para se të bëhet pra 12 (mesnata). Me këtë rast po shoh të rëndësishme ta mundësojmë edhe një seancë tjetër në orën 23:00",- tha Haxhiu.
Lajmi kryesor:
Zgjedhja e presidentit/ Opozita bojkoton, Haxhiu shtyn sërish seancën e Kuvendit në orën 23 ! LDK kërkon si kandidate Vjosa Osmanin, Kurti: E thonë në publik, por jo zyrtarisht









