Kreu i PDK-së Bedri Hamza

Partia Demokratike e Kosovës thotë se vendi po shkon drejt një krize të re institucionale për shkak të mënyrës si po vepron shumica parlamentare në procesin për zgjedhjen e presidentit të ri.

Në një reagim publik, PDK shprehet se situata është krijuar nga papërgjegjshmëria e shumicës dhe nga, sipas saj, mungesa e gatishmërisë së kryeministrit Albin Kurti për një marrëveshje gjithëpërfshirëse mes partive.

“Numrat në Kuvendin e Kosovës janë të qartë dhe detyrimi kushtetues i shumicës parlamentare është të sigurojë funksionimin normal të institucioneve. Përkundër mandateve që ia kanë besuar qytetarët, Lëvizja Vetëvendosje ka treguar paaftësi për të qeverisur dhe papërgjegjshmëri, duke prodhuar kriza, polarizim dhe stagnim politik. Në vend të një qasjeje të përgjegjshme dhe shtetërore, shumica parlamentare ka vendosur të kandidojë një kandidat tërësisht partiak, pa koordinim me subjektet e tjera dhe pa mundësinë e arritjes së konsensusit. Partia Demokratike e Kosovës ka vepruar gjatë gjithë këtij procesi me maturi dhe përgjegjësi politike. Ne kemi marrë pjesë në konsultime, kemi hequr vijat e kuqe për të krijuar hapësirë për një zgjidhje dhe kemi qenë të gatshëm të mbështesim një kandidat konsensual që garanton unitet dhe stabilitet institucional. Si kontribut për stabilitetin, pas mosarritjes së një kandidature konsensuale, si subjekti më i madh politik opozitar kemi kërkuar që të zgjidhet një President i propozuar nga PDK-ja, si mekanizëm balancues për të shmangur përqendrimin e pushtetit në duart e një partie të vetme” thuhet në komunikatë

Në fund të reagimit, PDK thotë se përgjegjësia për situatën aktuale i takon shumicës parlamentare.

“Fatkeqësisht, të gjitha këto mundësi u refuzuan. Përgjegjësia për situatën e krijuar dhe për pasojat që mund të sjellë bie plotësisht mbi shumicën parlamentare dhe mbi ata që e kanë mandatin për ta qeverisur vendin. Kosova ka nevojë për stabilitet politik, institucione funksionale dhe lidership që vendos interesin e shtetit mbi interesin partiak”, thuhet në reagim.

U.D/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 28 Shkurt, 17:02

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA dhe Izraelit ndaj Iranit?