Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme të bisedojë me Vetëvendosjen për zgjidhjen e ngërçit për çështjen e presidentit të ri të Republikës.

Pas një takimi gati tre orësh me Albin Kurtin këtë të shtunë, Bedri Hamza deklaroi se kërkesa kryesore e PDK-së vijon të mbetet aprovimi final i ligjit për Specialen.

“Partia Demokratike e Kosovës është e gatshme në të njëjtën ditë, në seancën e radhës, për të biseduar dhe gjetur zgjidhjen për presidentin edhe t’i japim votat për presidentin. Bisedat i kemi përfunduar”, tha Hamza.

Takimi Kurti-Hamza vjen pasi Qeveria e Kosovës vlerësoi mbrëmë në orët e vona se nuk ka pengesa ligjore për nismën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Afati i fundit për zgjedhjen e presidentit është 6 tetori.