Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se zgjedhja e presidentit të ardhshëm të vendit do të kërkojë bashkëpunim me opozitën, duke theksuar se Vetëvendosja është e gatshme për dialog dhe koordinim për këtë proces.
“Sa i përket zgjedhjes së presidentit, ju e dini që këtë duhet bërë në bashkëpunim me opozitën për shkak të asaj kërkese të një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese para më shumë se një dekade, që kërkohen 80 deputetë t’i kenë votat e tyre të fshehta në kuti. Jemi të gatshëm, jemi të vullnetshëm, jemi të interesuar për komunikim dhe bashkëpunim por kjo nuk është asgjë e re nga ana jonë”, ka thwnw ai
Kurti tha se numërimi i votave ende nuk ka përfunduar dhe se pas certifikimit të rezultateve do të nisin diskutimet për formimin e institucioneve të reja.
"“Jemi ende duke pritur numërimin e votave. Votat janë ende duke ardhur dhe duke u numëruar. Me rastin e përmbylljes së numërimit të votave ne do të mund të fillojmë të bisedojmë për hapat e ardhshëm. Duhet ta keni parasysh atë që është evidente përsëri, që Lëvizja Vetëvendosje është fituese e padiskutueshme bashkë me partnerët tanë të koalicionit parazgjedhor. Ne do të jemi bartës të themelimit të institucioneve të legjislaturës së 11-të”, tha Kurti
Sipas tij, ka optimizëm që si konstituimi i Kuvendit të Kosovës, ashtu edhe formimi i qeverisë së re, do të realizohen pa pengesa.
“Unë jam optimist që gjërat do të shkojnë mbarë e mirë edhe sa i përket konstituimit të Kuvendit edhe sa i përket formimit të Qeverisë”, është shprehur ai.
Komente







