Zgjedhja e Vjosa Osmanit për presidente në Kosovë, e dyta grua në historinë e vendit mori vëmendje të gjerë në mediat ndërkombëtare.
“Reuters” e nisi artikullin duke thënë se Vjosa Osmani, një juriste me profesion, u shkollua në SHBA dhe se ishte kandidatja e Vetëvendosjes për postin e presidentes.
“Vjosa Osmani ishte në detyrë si presidente e Kosovës që nga nëntori i vitit të kaluar kur paraardhësi i saj, Hashim Thaçi dha dorëheqjen për shkak se u akuzua për krime lufte në Holandë”, shkruan Reuters.
Për zgjedhjen e Osmanit presidente shkroi edhe “Deutsche Welle” e cila në rreshtin e parë e quan atë lidere karizmatike.
“Liderja karizmatike 38 vjeçare mori mbështetjen nga parlamenti në një votim që u bojkotua nga partitë serbe. Ish-presidenti Hashim Thaçi e la postin në nëntor pasi u akuzua për krime lufte”, nis shkrimi i DW.
Agjencia e Turke e lajmeve “Anadolu Agency”, i kushtoi një rëndësi të madhe figurës së Osmanit.
Fjala e parë e Vjosa Osmanit si presidente në Kuvendin e Kosovës ka marrë vëmendjen e posaçme të mediave serbe. Një deklaratë e saj, u ka bërë përshtypje mediave serbe, sidomosn pasi theksoi se Serbia duhet të marrë përgjegjësinë për gjithçka që ka bërë në Kosovë.
Osmani tha se “drejtësia nuk do të arrihet derisa kriminelët serbë të dalin para drejtësisë. Paqja do të arrihet vetëm kur Serbia të pendohet”.
“FJALËT E GJARPRIT VJOSA OSMANI: Një histori rreth dialogut dhe kërkon që SERBIA TË JETË PËRGJEGJËSE PËR KRIMET”, shkruan “Espreso”.
“Blic” e titullon shkrimin e saj kështu: RETORIKA E FAMSHME E OSMANIT: Drejtësia nuk do të vihet derisa Serbia të mbajë përgjegjësi për krimet e kryera në Kosovë.
Ndërsa “B92” ka shkruar se Osmani i ka dërguar një mesazh Serbisë.
“Në fjalën e saj të parë para deputetëve, Presidentja e sapo zgjedhur e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se Serbia duhet të marrë përgjegjësinë për “gjithçka që ka bërë në Kosovë”, thuhet në krye të lajmit.