Zyrtarimi i trajnerit italian, Alberto Xakeronit në krye të kombëtares shqiptare, duket se është vetëm çështje ditësh.

Sipas "Procesit Sportiv", presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armando Duka është takuar në fshehtësi me 66-vjeçarin dhe gjasat janë që palët të kenë arritur një marrëveshje. Po të njëjtat burime, bëjnë të ditur se italianit i është ofruar një kontratë 1-vjeçare, me të drejtën e zgjatjes edhe për një vit tjetër.

Pas shkarkimit të Christian Panucit, për rezultate të dobëta në krye të pankinës kuqezi, janë përfolur disa emra që mund të merrnin drejtimin e kombëtares, duke filluar nga  Edi Reja, Safet Sushiç, Bensik Hasi apo Arjan Peço. Emri i Xakeronit ishte  "surprizë". Mesa duket, Duka ka zgjedhur të "peshkojë" sërish në Itali, por kësaj herë një trajner i cili ka një CV shumë të pasur në trajnim.

Alberto Xakeroni ka drejtuar ekipe si Udineze, Milan (kampion i Italisë), Inter, Lacio, Torino dhe Juventus. Gjithashtu, 66-vjeçari ka qenë në krye të një skuadre në Kinë, ka qenë më parë në stolin e Japonisë, e ndërsa së fundmi ishte në krye të kombëtares së Emirateve të Bashkuara Arabe.