Nëse projektstatuti i hartuar nga grupi i punës i drejtuar nga Fatmir Xhafaj do të miratohet në pikën 5 të rendit të ditës, atëherë ai do ta konfirmojë kryeministrin në detyrën e kryetarit të partisë. “Kur Partia është në pushtet dhe kryetari i saj zgjidhet Kryeministër, zgjedhjet për kryetarin e partisë do të zhvillohen nëse kërkohet nga të paktën 10% e delegatëve dhe kërkesa mbështetet nga shumica e delegatëve në Kongres”-thuhet në nenin 42, pika 6 e riformuluar të statutit të partisë.
Ndryshimet e reja statusore në Partinë Socialiste do të bëjnë të pamundur qëndrimin e një kryetari në drejtimin e partisë, në rast se ai humbet zgjedhjet e përgjithshme. Me rregullat e reja, dorëheqja e kryetarit të partisë është e detyruar, e nëse ai nuk e jep dorëheqjen, automatikisht mandati i tij ndërpritet dhe Asambleja bën zgjedhje të reja. Neni 42 i statutit të ri përcakton zgjedhjen e kryetarit të partisë. “Mandati i kryetarit të partisë është 4 vjet.
Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: Jep dorëheqjen; Partia humbet zgjedhjet e përgjithshme; Humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesë e së paku 1/3 e anëtarëve të partisë; Dënohet me vendim të formës së prerë nga gjykata me heqje lirie. Në rastet e germave “b” dhe “ç”, kryetari i partisë është i detyruar të japë dorëheqjen. Në rast se kjo nuk ndodh, atëherë ndërprerja e mandatit të tij ndodh automatikisht dhe Asambleja Kombëtare fillon procedurat e zgjedhjes së kryetarit të ri të partisë, jo më vonë se një muaj nga ndërprerja e mandatit të kryetarit.
Në rastin e pikave, “b”, “c” dhe “ç”, ish-kryetari i partisë nuk ka të drejtë të rikandidojë për një mandat të ri”-thuhet në ndryshimet statutore. Po në këtë nen saktësohet se kryetari i partisë nuk mund të ushtrojë më shumë se 3 mandate. “Kryetari i partisë nuk mund të zgjidhet më shumë se tre herë radhazi në atë funksion, përveçse në rastin kur gjatë mandatit si kryetar i partisë ka ushtruar edhe detyrën e kryeministrit. Periudha e ushtrimit të detyrës së kryeministrit nuk llogaritet si mandat i kryetarit të partisë për efekt rikandidimi”-thuhet në këtë nen.
Po ashtu, ndryshimi tjetër i paralajmëruar është ai papajtueshmërisë me detyrën e kryetarit të partisë në nivel vendor, duke krijuar kështu kufizime të mëdha për funksionarët shtetërorë që të zgjidhen në krye të punëve të partisë. “Përfaqësuesit e partisë në degët e qeverisjes vendore dhe lokale, ministrat, deputetët, kryetarët e këshillave të qarqeve, kryetari i bashkisë, prefekti, kryetari i këshillit të bashkisë, kryetari i njësisë administrative, gjatë ushtrimit të mandatit të tyre nuk mund të jenë kandidatë apo të zgjedhur në detyrën e kryetarit të partisë për njësinë administrative, kryetarit të partisë për bashkinë, apo funksione të tjera të caktuara nga Asambleja”-thuhet në një tjetër amendim që i është bërë statutit aktual të partisë.
Redaksia Online
(E.Ç/Shqiptarja.com)