Në momentin që po transmetohej drejtpërdrejt takimi, një vajzë nga një familje të përndjekurish iu ankua kryeministrit se ka mbaruar shkollën me rezultate të shkëlqyera por s'ka punë. Gjë që ka sjellë një stonaturë në startimin e fjalimit të Berishës por dhe të fushatës së PD në jug të vendit. Por Berisha ka dalë direkt nga situata, ku si gjithnjë sulmoi kreun e PS Edi Rama për ndërtesën shumë të përfolur e të akuzuar nga PD ditët e fundit në pronësi të familjarëve të Linda Bashës.
Kryeministri megjithëse ka qenë në një ditë të vakët, tha se dhe pse Rama në shkelje të hapur me ligjin ka zënë hapësirat publike për familjarët e tij. "Nga Berati mijëra vjeçar do i them Edi Ramës se duke shkelur ligje mund tu ndërtosh pallate tu zësh lulishten e dritaret gjitonëve të familjes tënde, por s'mund të bllokosh kurrë rrugën e integrimit. Muri që ke ndritur për të bllokuar statusin do të shembet përfundimisht me 23 qershor", tha Berisha.
Ai akuzoi kreun e opozitës si të vetmin në Evropë që përdor pushtetin e elektoratit të tij në mënyrë të pandershme me qëllim bllokimi ne rrugës evropiane, ndërkohë që u ndal edhe tek sistemi i taksimit që ndan të djathtët nga të majtët duke theksuar se Rama synon varfërimin e të pasurve me qëllim rimëkëmbjen e të varfërve. "Në shkojmë me projektin tonë të 4 viteve që vijnë. Ku zotohemi që në këtë vend të konsolidojmë shërbimet më të mira për në sistemin shëndetësor, arsimor, lëvizjen dhe transportin rrugor. Do krijojmë standardet më të mira për biznesin", tha Berisha.
RAMA
Kreu i PS Edi Rama ka reaguar menjëherë pas sulmeve që Berisha bëri në adresë të tij nga qyteti i Beratit ku mori pjesë në 22-vjetorin e themelimit të PD. Kreu i PS duke kritikuar deklaratat e Berishës për rritjen ekonomike nënvizoi se ai që i beson ato çfarë kryeministri i vendit nxjerr nga goja duhet të tallet me veten. "Çfarë vetëmohimi duhet për ta votuar një kryeministër që thotë Shqipëria e katërta në botë me Zvicrën e Brazilin! Kush e voton tallet me veten keq fare", shkruajti Rama në 'Twitter'.
Por pavarësisht akuzave të Berishës, kreu i PS vijon përgatitjet për qeverisjen e vendit. Kështu, Rama në Kroaci ka zhvilluar takime për detajimin e programit të Rilindjes. Ai ka vizituar Zagrebin ku ka zhvilluar një takim me Institutin e Financave Publike, me të cilin do bashkëpunohet për detajimin e programit të Rilindjes Kombëtare. "Është faza e thithjes së ekspertizës ndërkombëtare për të forcuar linjat bazë me detaje që e bëjnë programin instrument qeverisës", shkruan Rama në Twitter. Kreu i opozitës ka zhvilluar një takim edhe me Ministren e Jashtme të Kroacisë Vesna Pusiç, me të cilën ka biseduar për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit. "Folëm për standardet e zgjedhjeve dhe rolin që i takon Europës", deklaroi Rama në Twitter. Ai pritet që ditën e sotme do të jetë në mbledhjen e kryesisë së PS, ku do të vendoset për strategjinë e fitores e sloganin elektoral "Bashkë për Rilindjen". Slogan që do diskutohet e vendoset sot përfundimisht.
Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com, 20 janar 2013
(eç/shqiptarja.com)