Zgjedhjet 2019/PS, dilemat Dako-Sejdini, PD një listë plot vrima

Zgjedhjet 2019/PS, dilemat Dako-Sejdini, PD një listë plot vrima

Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini

Kur kanë mbetur thuajse një vit nga zgjedhjet e reja lokale të 2019, në prapaskenë duket se forcat politike kanë nisur përgatitjet, pavarësisht se ende nuk kanë parashtruar një plan të detajuar sa i përket kandidaturave konkrete për kryetar bashkish ashtu edhe aleancave zgjedhore.

Më konkrete në këtë drejtim duket se është PS e cila në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare ka shtruar shinat për zgjedhjet në fjalë duke kombinuar aspektin organizativ me atë që tashmë njihet si “llogaridhënia publike para qytetarëve”.
Në fokus të kësaj janë figurat qëndrore të PS duke filluar që nga Kryeministri Rama, Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj, ajo e Drejtësisë Etilda Gjonaj, i Financave Arben Ahmetaj, i Energjitikës Damian Gjiknuri e deri tek Sekretari i Përgjithshëm i PS Taulant Balla.

Ndërsa në kampin opozitar deri tani duket se mbizotëron në “heshtje e shurdhët”. Me përjashtim të disa zërave që vinë nga kampi i LSI për firmosjen e një marrëveshje me PD për zgjedhjet vendore, sa i përket kandidatëve dhe strategjisë elektorale thuajse nuk është hedhur asnjë hap.

Megjithatë, përtej perdes së statutit, funksioni themelor i Kuvendit Kombëtar të PD ishte forcimi i pozitave të kryetarit të PD Basha në funksion të këtyre zgjedhjeve, duke i dhënë dorë të lirë jo vetëm  emërimit të kryetarëve të degëve të PD në qarqe, por edhe sa i përket ndikimit vendimtar për zgjedhjen e kandidatëve për kryetar bashkishë.

Si shkojnë PS- PD- LSI në zgjedhje
Socialistët shkojnë në zgjedhjet e 2019 me një bollëk bashkishë të fituara në zgjedhjet e 2015, falë edhe koalicionit që kishin me LSI në këto zgjedhje. PS ka nën administrim bashkitë kryesore të vendit duke filluar nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Fieri, Korça, Vlora etj., të cilat e bëjnë të ndjeshme peshën e saj në elektorat. Sa i përket PD-së, ajo ka vetëm një bashki të nivelit të parë që është Shkodra, ndërsa drejton dhe 15 bashki të tjera në një nivel dytësor, duke e bërë peshën e saj elektorale shumë më të zbehtë në raport me PS. Edhe LSI, falë votave të PS, drejton 4 bashki ku më të spikaturat janë ajo e Beratit dhe e Gjirokastrës, dhe më pas vijnë Prrenjasi e Çorovoda.

Por ndryshimi kahjes së LSI, duke u bërë aleate me PD, qartazi duket se do ta ndryshojë të gjithë konfigurimin e raporteve në zgjedhjet vendore të 2019. PS pretendon të rimarrë këto bashki të njohura si bastione të saj, të cilat u detyrua që t’ia dorëzonte LSI-së, për shkak të marrëveshjes elektorale të 2015. Nga ana tjetër PD nuk është se pret shumë nga aleatët e saj, të cilët në këto momente thjeshtë llogarisin se çfarë mund të ‘zhvasin’ nga këto zgjedhje në këshillat bashkiakë./JavaNews

Bashkitë kryesore të vendit
Tirana e cila do të jetë edhe fushëbeteja kryesore e përballjes pozitë-opozitë në këto zgjedhje, duket se më shumë se sa për PS mbart një seri pikëpyetjesh për opozitën. Kryebashkiaku Erion Veliaj duket në pozita favorizuese, por ai ende nuk ka marrë një konfirmim zyrtar nga PS nëse do ta përfaqësojë sërish këtë forcë politike në garën për kryebashkiak të kryeqytetit.

Kurse në kampin opozitar Tirana paraqitet një sfidë tepër e vështirë dhe shumë komplekse. E para PD ka një historik shumë negativ në krye të Bashkisë së Tiranës, duke filluar që nga mandati i vjedhur i kryetarit të Bashkisë në 2011 nga ana e Lulzim Bashës që është edhe kryetar i PD, e deri tek plagët e panumërta që kjo forcë politike i hapi kryeqytetit kur qeveriste vetë, plagë të cilat edhe pas 2 dekadash vijojnë të jenë të dukshme dhe që kanë dëmtuar rëndë cilësinë e jetesës e të bashkëjetesës në Kryeqytet.

Nga ana tjetër edhe mbështetja e LSI duket se për PD nuk pritet të ketë ndonjë ndikim pasi kthesat e forta politike, imazhi opozitar i kësaj force politike, retorika politike me fjalor tërësisht banal e të papranueshëm nga lidershipi i LSI, ka dëmtuar rëndë reputacionin e saj politik.

Braktisjet e një pas njëshme nga ana e këshilltarëve të LSI është shembulli më kuptimplotë i rrudhosjes së peshës elektorale të LSI në pushtetin vendor, por edhe në elektorat. Pozita e vështirë në të cilën ndodhet LSI duket edhe nga këmbëngulja me të cilën ajo po kërkon koalicion me PD. Ndryshe nga si sillej me PS kur marrëveshjet elektorale i shtynte për në minutat e fundit, madje dhe duke i refuzuar ato.

Përveç Tiranës jo pa kokëçarje shfaqen për opozitën edhe disa bashki të tjera kryesore të vendit duke filluar që nga Durrësi, Elbasani, Korça, Fieri, Vlora etj.

“Mbretërit” e bashkive dhe betejat në bashkitë bastion
Në aksin Durrës- Elbasan janë dy kryebashkiak Vangjush Dako dhe Qazim Sejdini, të cilët i dominojnë këto dy qytete prej afro 11 vitesh, pasi kanë mundur të marrin 3 mandate. Nuk dihet ende nëse Rama do t’i ndryshojë apo do të vijojë të mbajë të njëjtët kalorës edhe në 2019. Gjithsesi, pesha e tyre është jo e papërfillshme, po të kemi parasysh dhe si ndërthuren interesat politike dhe ekonomike në këto 2 qarqe të mëdha.

Shenjat e panikut nga PD për zgjedhjet në Durrës u panë dhe pak ditë më parë kur kryetari i PD së Durrësit, Ferdinand Xhaferraj, artikuloi kërkesën drejtuar Bashës që të bojkotohen zgjedhjet lokale. Një thirrje e tillë dukshëm duket si kapitullim nga PD në Durrës ende ardhur zgjedhjet.

Xhaferraj kandidoi vetë përballë Dakos në 2011 dhe humbi, megjithë mbështetjen e Berishës dhe Metës që qeverisnin vendin. Kur nuk fitoi atëhere Xhaferraj përllogarit se PD përballë Dakos nuk ka asnjë shans të fitojë në Durrës ndaj kërkon bojkotimin e zgjedhjeve.

Por jo me pak interes janë edhe përballjet në disa zona bastion të PS dhe PD duke filluar me Dibrën dhe Kavajën që njhihen si zona të PD, por që kryetarët e bashkive janë dhe kanë qenë të PS. Ashtu si dhe Pogradeci dhe Përmeti të njohura si bastione të PS, por që kaluan në dorë të PD në 2019. A do të mundet PS të ruajë Dibrën dhe të rifitojë Kavajën, apo PD të mbajë Pogradecin dhe Përmetin? këto janë disa pikëpyetyje të cilat pritet të marrin përgjigje në 2019.

Koalicionet dhe pesha e aleatëve për 2 forcat kryesore politike
PS tashmë qeveris e vetme në nivel qëndror, falë fitores së thellë që arrit në zgjedhjet e përgjithshme të 2017. Por a vlen formula e të qeverisurit vetëm në zgjedhjet vendore?

Vetë natyra e zgjedhjeve vendore është shumë e ndryshme krahasuar me zgjedhjet politike. Në këto zgjedhje dominojnë kryesisht interesa lokale, që lidhen punësimet në institucionet nën administrimin e bashkive, leje të ndryshme ndërtimi apo shfrytëzimi, biznese që lidhen d.p.d me pushtetin lokal, ujësjellsa, kanalizime, kopshte, çerdhe, shkolla etj. etj. Pra interesat janë shumë më praktike. Në të tilla zgjedhje nuk pinë shumë ujë deklaratat makro që zakonisht bëjnë forcat politike për të demonizuar kundërshtarin politik.

Nisur nga kjo specifikë elektorale PS natyrshëm do të jetë e shytrënguar të bëjë koalicion edhe me forca të tjera të vogla politike, jo vetëm për të siguruar votat e mjaftueshme për kjryetarin e bashkisë, por edhe votat që i duhen në Këshillin Bashkiak. Koalicionet mund të mos jenë në bllok, por të fragmentarizuara, në bazë të peshës elektorale dhe ndikimit elektoral që kanë forca të ndryshme politike në qarqe të caktuara. Përshtatja e interesave në zona të caktuara duket se do të jetë edhe formula e PS në këto zgjedhje. Aleatët mund të mos i japin shumë PS, por në një farë mënyre nuk favorizojnë kundërshtarët e saj politik.

Për PD situata paraqitet jo vetëm e vështirë por deri diku e rrëmujshme. është e qartë se PD do të bëjë koalicione në shkallë kombëtare për të futur në trastën e saj sa më shumë vota. PD nën drejtimin e Bashës vjen pas një serie humbjesh dhe në horizont nuk duket asnjë shkëndijë që kjo forcë politike është reformuar, duke u bërë më bashkëkohore. Ajo vijon të njetë aty ku e ka lënë Berisha në 2013 me po të njëjtat slogane politike dhe mjete të natyrës kryesisht fizike të të bërit politikë. PD ka një problem të madh duke filluar që nga Tirana ku s’ka asnjë emër të lakuar që ta vendosë përballë Veliajt. Po kështu paraqitet situata dhe në disa bashki të tjera kryesore të vendit.

Në një analizë të ftohtë edhe koalicioni me LSI duket se për PD do të jetë një barrë duke parë edhe firon me të cilën po përballet kjo forcë politike në elektorat. Edhe vetë brenda PD ka kundërshti të forta për koalicionin me LSI, e cila mësë shumti ka aftësinë të marrë mandate nëpërmjet presionit ndaj aleatëve se sa të prodhojë vetë mandate. Megjithatë PD do jetë e shtrënguar të bëj koalicion me LSI, por për momentin Basha nuk nxiton sepse me kalimin e kohës sa më shumë gërryhet LSI, aq më i ulët do të jetë edhe pazari për Kryemadhin.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh

Tentoi të vriste 47 vjeçarin në Fier, arrestohet pas 3 vitesh