TIRANE - Kreu i mazhorancës Berisha nuk është i qetë sa duket në lidhje me problemet e brendshme në PD, tashmë që fushata e “piketimit” të kandidatëve për deputetë ka filluar.

Pavarësisht se kryeministri përpiqet që problemet që ka brenda kupolës blu ti kalojë me akuza kundër Ramës dhe për më tepër për ta transferuar dhe krizën e PD tek PS, nuk mund ta fshehë kurrsesi me akuza ndaj kundërshtarit politik, ndonëse strategjia e diversionit shpesh herë ka bërë punë në radhët e kampit rozë.

Tashmë që PD dhe aleatët e saj janë në fundin e mandatit të dytë qeverisës, vetë listat e përfolura për kandidatë për deputetë e tregojnë më së miri këtë. Berisha ka dërguar në qytetin bregdetar të Durrësit, madje kanë filluar punën në zonat e përcaktuara në të cilën do të jenë në listat prioritare rajonale të PD për zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit të këtij viti, të gjithë bashkëpunëtorët e tij më të ngushtë në kryeministri, por dhe në dikastere të ndryshme.

“Sistemimi” i tyre në listat e sigurta për deputetë, tregon më se miri se do të ketë zhvendosje në qarqet përkatëse. Konkretisht, tashmë është i sigurt kandidimi i Drejtorit të kabinetit të kryeministrit, Oerd Bylykbashi, sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Gjergj Lezhja dhe kandidatit për president të PD Artan Hoxha në qarkun e Durrësit, kandidim që nxjerr jashtë loje tre deputetët aktualë të PD, ku ende mbetet mister cili do të dalë.

Ndërkohë që në Tiranë do të kandidojë prefekti Keltis Kruja e zv.ministrat Eno Bogzo, Taulant Bimo dhe Edit Harxhi, të cilët dhe këta tre do zhvendosin nga lista e sigurt e qarkut të Tiranës deputetë aktualë, në Kukës Avenir Peka e Isuf Çela, të dy këta do zhvendosin dy deputetët aktualë, duke qenë se vetëm Noka është në krye të listës.

Ndërsa në Fier zv.ministri Alfred Rrushaj, në Elbasan botuesi Fahri Balliu dhe i rikthyeri ish-kreu i PD Eduard Selami, në Vlorë Arben Qirjako dhe dy këshilltarët e kryeministrit Glori Hysi e Petraq Milo, në Korçë Eduard Ypi dhe këshilltarja Suzana Guxholli dhe në Berat Astrit Veliaj dhe Dhori Kule, do bëjnë zhvendosjet përkatëse, duke larguar jashtë listës prioritare deputetët aktualë.

Parë në këtë këndvështrim, sipas përllogaritjeve nga PD i bie të mbetën pa kandiduar, nëse vërtet Berisha nuk shton më asnjë prej bashkëpunëtorëve të tij, 16 deputetë aktualë, që mbeten jashtë listave.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 10.03.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)