Berisha deklaroi se objektiv i fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 Qershorit do të jetë Shqipëria e zhvilluar Evropiane, ndërsa realizimi i saj do të arrihet përmes programit të Partisë Demokratike dhe aleatët që shtohen progresivisht në këtë parti.
Në prononcimin për mediat, Berisha tha se Partia Demokratike shkon drejt zgjedhjeve me aleatë të shumtë, por pa përmendur emra konkret të partive, ndërsa për Partinë Socialiste duke akuzuar kreun e saj Edi Rama, deklaroi se i janë larguar aleatët. Nga ana tjetrin, Kryeministri nuk la pa ironizuar edhe kandidatin më të ri të Partisë Socialiste për Peqinin, ish-gazetarin Alfred Peza.
“Makineria elektorale e PD është në xhiro të shpejta që po fuqizohen çdo ditë e më shumë. Ne jemi të vendosur të angazhohemi në një fushatë elektorale, në më të zhvilluarën, në një fushatë ku do të ndalimi në të gjithë problematikën e vendit...Spikatin dy linja kryesore, ajo e PD-së që shton aleatët progresivisht dhe ajo e PS-së që i ikin aleatët dhe ecën drejt vetmisë. Gjen Alfred Pezën që thotë se kam idhull Alfred Moisiun. Pra shkëmben një aleat dhe kthehet me një kolonel, të gjenral Moisiut... Unë fitoren e bazoj te programi dhe aleancat dhe këtë e kam faktuar. Aleancat mund ti mbash kur ke një qëndrim korrekt, luajal dhe konstruktiv”, tha Berisha për mediat.
Kryeministri deklaroi gjithashtu se në 20 vjet Partisë Demokratike nuk i është larguar asnjë aleat.
“Në një 20 vitet ti nuk gjen një aleat të larguar nga Sali Berisha të ketë thënë se po ikën për shkak të mungesës së luajalitetit të tij. Rama bazon gjithçka në pabesinë e tij. Imagjinoni ju. Theu Blushi këmbën dhe unë i urova shërim, e dini ju pse nuk i shkoi, sepse spitali ku ndodhej nuk përshtat se është i rregullt, është më ngrohje dhe standarde më të mira dhe nuk mund të dalë një spital i tillë në Shqipëri, prandaj e la pa e vizituar. A mund të bazohet në një alternativë të tillë një forcë politike? Pra është një linjë që bazohet në një fushatë të qytetëruar në arritje të mëdha dhe vlerësim kritik të të gjithë veprimtarisë së saj dhe një forcë politike që nuk pranon asgjë tjetër përveç trillimeve. Fakti që spitali ku po merrte ndihmë zoti Bushi është një nga më të mirët që ekziston në tërë rajonin, e la kryetarin e zotit Blushi pa shkuar për ta uruar dhe uroi siç e urova unë. Unë i bëra një mesazh, pra e mbyllim. Kjo parti është në xhiro të plotë dhe nuk është aspak e ftohur”, deklaroi shefi i mazhorancës.
Kjo është mbledhja e dytë që zhvillohet në kuadër të pregatitjeve për fushatën e zgjedhjeve të 23 Qershorit. Disa ditë më parë Kryeministri Berisha, në cilësinë e kreut të Partisë Demokratike mblodhi Grupet e Punës në rrethe.
Redaksia Online
(Greta Malaj/Shqiptarja.com)