KQZ e përfundoi certifikimin e rezultateve të 11 majit me 3 qarqet e fundit, Tiranës, Durrësit dhe Elbasanit, ndërsa nga PD përsëritej e njëjta kërkesa për shtyrje të këtij procesi.

Përfaqësuesi ligjor i PD-së, Franci Nuri, kërkoi që të mos vijohej me certifikimin e rezultatit, deri sa KQZ t’u vinte në dispozicion të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI, procesverbalet për çdo qark dhe dokumentacionin që vërteton se çdo zgjedhës në diasporë ka nënshkruar për të marrë fletën e tij të votimit. Kërkesë të cilën një ditë më parë PD e dorëzoi edhe në mënyrë shkresore.

"Ne do të kërkonim të mos shpalleshin ende rezultatet përsa kohë nuk na janë vënë në dispozion dokumentat që kemi kërkuar, janë të dhëna të domosdoshme që të mos vonohet procesi ankimor për qarqet përkatëse", tha Franc Nuri. 

Lidhur me votën e diasporës në Greqi, për të cilën opozita ka ngritur pretendime për manipulim, kreu i KQZ-së Ilirjan Celibashi deklaroi se kompania DHL e ka dorëzuar tashmë të gjithë dokumentacionin i cili do t’i vihet në dispozicion edhe Partisë Demokratike.

"Kemi si të dhënë faktin që për votimin nga jashtë, për shtetasit shqiptarë banues në Greqi është dorëzuar në KQZ i gjithë dokumentacioni, i plotë dhe këtë do t’ua vëmë menjëherë në dispozicion. Ndërkohë do të përgatisim dhe dispozicion dhe dokumentacionin edhe për këto 3 qarqe në vijim të asaj çfarë keni kërkuar për qarqet e tjera",- tha Celibashi.

PD e cilëson votën e diasporës, një proces të dështuar duke ia faturuar përgjegjësinë, Ilirjan Celibashit që sipas tyre ka lejuar shpërndarjen e votave edhe nga nënkontraktorë të DHL-së, ndonëse në kontratë është e ndaluar.

Çfarë ndodh tani?

Certifikimi i rezultatit të zgjedhjeve për një qark, i hap rrugë subjekteve zgjedhore që brenda 5 ditëve të ankimojnë procesin në KAS, e në rast se do të rrëzohen edhe nga komisioni i Apelimit, kanë të drejtën për ta çuar në Kolegj Zgjedhor.

Këtë të drejtë, PD filloi ta vërë në zbatim me ankimimin e parë që ka depozituar për rezultatin e Kukësit, qark për të cilin kërkon pavlefshmëri dhe përsëritje të zgjedhjeve.

Vetë Berisha paralajmëroi se nuk do ta njohin rezultatin dhe se do të përgatisin një raport për të vënë në dijeni ndërkombëtarët mbi shkeljet e pretenduara nga Partia Socialiste. 

Tabela Përmbledhëse e Rezultatit të votimit në qarkun Tiranë
1. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka marrë 164.316 vota
2. Lëvizja Bashkë ka marrë 13.381 vota
3. Lëvizja Atdheu ka marrë 836 vota
4. Partia Koalicioni Euroatlantik  ka marrë 8.992 vota
5.Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë 230.157 vota
6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 16.520 vota
7. Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare ka marrë 1.318 vota
8. Partia Aleanca Demokracia e Re ka marrë 570 vota
9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim ka marrë 2.066 vota
10. Partia Mundësia ka marrë 23.650 vota
11. Partia Socialdemokrate ka marrë 14.781 vota
Tabela Përmbledhëse e Rezultatit të votimit në qarkun Durrës
1. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka marrë 58.978 vota
2. Lëvizja Bashkë ka marrë 1.995 vota
3. Lëvizja Atdheu ka marrë 342 vota
4. Partia Koalicioni Euroatlantik  ka marrë 1.369 vota
5. Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë 84.028 vota
6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 4.652 vota
7. Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare ka marrë 371 vota
8. Partia Aleanca Demokracia e Re ka marrë 59 vota
9. Koalicioni Djathtas për Zhvillim ka marrë 1.004 vota
10. Partia Mundësia ka marrë 4.100 vota
11. Partia Socialdemokrate ka marrë 414 vota
Tabela Përmbledhëse e Rezultatit të votimit në qarkun Elbasan
1. Koalicioni Partia Demokratike – Aleanca për Shqipërinë Madhështore ka marrë 42.519 vota
2. Lëvizja Bashkë ka marrë 1.543 vota
3. Lëvizja Atdheu ka marrë 173 vota
4. Partia Koalicioni Euroatlantik  ka marrë 2.436 vota
5. Partia Socialiste e Shqipërisë ka marrë 93.765 vota
6. Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet ka marrë 6.302 vota
7. Partia Aleanca Kombëtare Shqiptare ka marrë 359 vota
8. Partia Aleanca Demokracia e Re ka marrë 60 vota
9.  Koalicioni Djathtas për Zhvillim ka marrë 417 vota
10. Partia Mundësia ka marrë 3.267 vota
11. Partia Socialdemokrate ka marrë 1.858 vota