Zgjedhjet e 2017, strategjia e PD nga
alibia e humbjes tek “ushtria e votave”

Zgjedhjet e 2017, strategjia e PD nga<br />alibia e humbjes tek “ushtria e votave”
Aksioni i ri politik kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, përpos zhurmimit të zërave kritikë ndaj lidershipit të partisë për humbjen e katër palë zgjedhjeve, synon edhe përcaktimin një strategjie për zgjedhjeve e 2017.

Sipas burimeve brenda PD, por edhe në bazë të urdhrave të Lulzim Bashës, të zbardhura nga Shqiptarja.com, strategjia e Bashës për zgjedhjet 2017, konsiston në dy plane. Së pari, kryetari i opozitës ka nisur të ndërtojë gradualisht alibinë për një humbje të mundshme në zgjedhjet e 2017.

Në çdo dalje të tij, që nga samiti i PPE, në takime me demokratët, në konventat e partive apo intervistat televizive, Basha po paralajmëron humbjen e zgjedhjeve, me argumentin se kundërshtari politik do të përdorë paratë e drogës, trafikantët dhe kriminelët për të deformuar vullnetin e zgjedhësve.

Si kusht për të evituar këtë fat të pretenduar, Basha ka kërkuar largimin e kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm Tahiri, çka më shumë se një kërkesë është një iluzion për të shtyrë ditët politike.

Megjithatë, mesazhi i Bashës u adresohet kryesisht kritikëve në parti, Selamit, Topallit, Bregut, Bodes etj., duke i paralajmëruar se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimin i partisë edhe në rast të një humbjeje. Gjithsesi, në rast humbjeje të mundshme, qëndrimi i Sali Berishës mund të jetë vendimtar për fatin e Bashës pas zgjedhjeve të 2017.

Lëvizja e dytë
Strategjia e opozitës për zgjedhjet e 2017 nuk konsiston vetëm në ndërtimin e alibisë së humbjes. Krahas retorikës për rrethanat e deformimit të votës, Lulzim Basha ka nisur mobilizimin e strukturave dhe bazës së Partisë Demokratike për zgjedhjet e 2017, duke hedhur poshtë çdo dyshim për bojkot të zgjedhjeve. Lëvizja konfirmohet edhe nga urdhri nr. 17 i datës 3 tetor, i kryetarit të PD, për krijimin e regjistrit të votuesve.

Urdhri parashikon ngritjen e grupeve të punës në të gjithë Shqipërinë, për identifikimin e anëtarëve formalë të PD, votuesit pa adresë dhe votuesit në emigracion.

Krahas zbatimit të këtij urdhri, krerët e degëve të Partisë Demokratike kanë nisur mbledhjet me departamentet përkatëse, për të ndarë detyrat, por në kuadër të zgjedhjeve të 2017. Misioni kryesor i departamenteve do të jetë kontaktimi me votuesit e pakënaqur të Partisë Socialiste si dhe i njerëzve të lëkundur, për të maksimizuar rezultatin në 2017.

Ushtria e mbrojtjes së votës  
Kryefjala e strategjisë së Partisë Demokratike për zgjedhjet e 2017 do të jetë mbrojtja e votave. Në një mbledhje të tensionuar, e mbajtur pas disfatës në Dibër, në diskutim janë hedhur idetë dhe tezat më radikale, për zgjedhjet e 2017, deri tek mundësia e një aleance me botën e krimit, për t’i përgjigjur kundërshtarit, sipas tyre, më të njëjtën monedhë.

Nuk kanë munguar as tezat për rebelim dhe gjakderdhje, teza këto të hedhura nga deputeti Gent Strazimiri. Por, përgjithësisht, diskutantët e kanë vlerësuar si të drejtë strategjinë e ndjekur për mbrojtjen e votave në Dibër, ndonëse sipas tyre, fuqia e hashashit kishte qenë më e madhe nga sa ishte parashikuar.

Në këtë kuadër, kjo taktikë pritet të konfirmohet edhe në zgjedhjet parlamentare të 2017, ku të fortët që kanë humbur postet në vitin 2013, do të jenë në ballë të fushatës, në çdo zonë zgjedhore. Krahas koordinatorëve dhe drejtuesve të fushatës në 12 qarqet, të fortët e PD do të mbulojnë zgjedhjet sipas bashkive. Ata do të jenë në krye të një grupi të madh njerëzish, që do të quhet “ushtria e mbrojtjes së votës”. Numri i anëtarëve të kësaj strukture do të përkojë me numrin e qendrave të votimit në të gjithë Shqipërinë. 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Kredimarrësit e këqinj s’do marrin më kredi, si e vlerësoni rregulloren e BSH?



×

Lajmi i fundit

Forcat e armatosura ukrainase janë gati për një sulm të ri në Kursk

Forcat e armatosura ukrainase janë gati për një sulm të ri në Kursk