Zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, Palmer: SHBA do standardet më të larta ndërkombëtare

Zgjedhjet e 25 prillit në Shqipëri, Palmer: SHBA do standardet më të larta ndërkombëtare

Matthew Palmer

Matthew Palmer, zëvendës ndihmës Sekretar i Shtetit dhe përfaqësues i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, tha për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të investojnë mjaft energji dhe kapital politik tek Shqipëria. Ai tha gjithashtu se SHBA dëshirojnë të shohin që zgjedhjet e prillit në Shqipëri të kryhen në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare. Zoti Palmer i bëri i komentet në një intervistë me kolegun Ilir Ikonomi, me rastin e 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Amerikë-Shqipëri më 15 mars 1991.

Zoti Palmer, si i shihni marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë 30 vjet pas rivendosjes të tyre?

Matthew Palmer: Është diçka vërtet e jashtëzakonshme që ne po festojmë 30 vjetorin këtë vit dhe presim njëqindvjetorin e marrëdhënieve Amerikë-Shqipëri në vitin 2022. Vizita ime e parë në Tiranë ka qenë në vitin 1993, vetëm dy vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve, dhe u prita nga Ambasadori William Ryerson. Sigurisht duke parë Shqipërinë sot, duke parë Tiranën sot dhe duke e krahasuar me 28 apo 30 vjet më parë, ka pasur një rritje të jashtëzakonshme. Jam mjaft i sigurt se këto prirje do të vazhdojnë në të ardhmen.

Nëse i pyet shqiptarët sot pritshmëritë e tyre për angazhimin e SHBA në Shqipëri janë shumë të mëdha. Njerëzit gjithmonë pyesin: Përse Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë më shumë për Shqipërinë, pasi ne jemi edhe partnerë strategjikë. Cili është mendimi juaj?

Matthew Palmer: Ne e vlerësojmë thellësisht partneritetin që kemi me Shqipërinë. Shqipëria është një vend që kontribuon, jo vetëm për paqen dhe sigurinë rajonale, por edhe për paqen dhe sigurinë globale. Ka qenë një partnere e jashtëzakonshme për ne në aleancën e NATO-s. Është një marrëdhënie që ne e vlerësojmë, që ne mendojmë se ka shumë potencial në rritje dhe ku unë parashikoj që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të investojnë mjaft energji dhe kapital politik.

Shqipëria përballet me zgjedhje së shpejti dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Yuri Kim po bën presion mjaft të fortë për lista të pastra të kandidatëve, që asnjë kandidat me të kaluar kriminale të mos përfshihet në to. Përse është kjo një përparësi kaq e madhe për Shtetet e Bashkuara? Si lidhet kjo me sigurinë e Shteteve të Bashkuara?

Matthew Palmer: Forca e demokracisë në Shqipëri ka rëndësi thelbësore për marrëdhëniet Amerikë-Shqipëri. NATO-ja është jo vetëm një aleancë interesash, por edhe një aleancë vlerash. Në hapësirën demokratike në Shqipëri ka pasur shumë hapa pozitive dhe ka ende shumë punë për të bërë. Ne u ndjemë shumë të kënaqur që pamë parlamentin shqiptar të miratonte legjislacionin, në përputhje me rekomandimet e ODIHR për reformën zgjedhore. Ne duam të shohim që legjislacioni i ri të vihet në zbatim dhe që zgjedhjet e prillit të kryhen në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur demokracinë, qeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës, në të gjithë botën. Kjo është sidomos e vërtetë kur flasim për një partner amerikan dhe një aleat amerikan. Pra, ne kemi një interes këtu, kemi një interes tek rezultati. Ne duam ta shohim demokracinë shqiptare të lulëzojë, të rritet dhe të zhvillohet, po ashtu si dëshiron edhe publiku shqiptar.

Reforma në drejtësi. Ka pasur një shtytje të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara për reformën në drejtësi, e cila po vazhdon prej disa vitesh. Si do të siguroheni ju që, pas reformës, Shqipëria nuk do të rrëshqasë prapa dhe rezultatet e arritura nuk do të përmbysen? Më duket se është një pyetje e rëndësishme.

Matthew Palmer: Po, është një pyetje e rëndësishme. Dhe unë mendoj se është e rëndësishme të theksohet përparimi i bërë. Tani kemi kuorum për Gjykatën Kushtetuese, e cila është formuar; Gjykata e Lartë po shqyrton çështje, kanë filluar të trajtohen çështjet e prapambetura, procesi i verifikimit po funksionon. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të punuar me partnerët tanë shqiptarë që reforma gjyqësore të mos e humbasë forcën dhe që përparimi i bërë të vazhdojë, që të vazhdojë prirja e deritanishme. Ne mendojmë se sundimi i ligjit është thelbësor për demokracinë, për rritjen dhe begatinë.

Pritshmëritë tek shqiptarët kanë qenë gjithashtu shumë të larta për investimet ekonomike nga Shtetet e Bashkuara, por nuk kemi parë investime serioze deri më tani që nga rivendosja e marrëdhënieve dekada më parë. Ç’mendoni?

Matthew Palmer: Mendoj se ka pasur disa investime të rëndësishme amerikane: Exxon ka qenë aktiv, Bechtel është aktiv. Me përparimin e Shqipërisë në institucionalizimin e sundimit të ligjit, qeverisjen e mirë, transparente e të përgjegjshme, kjo do të jetë një magnet për biznesin amerikan. Biznesi amerikan shkon atje ku mendon se mund të ketë fitim, atje ku mendon se interesat e tij do të respektohen nga një sistem i pavarur gjyqësor.

Ju keni theksuar më parë se qasja e SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, nuk ka ndryshuar me ndryshimin e administratës. Por, a do të ketë Departamenti i Shtetit nën drejtimin e Sekretarit Antony Blinken, një qasje më pak të drejtpërdrejtë, në kuptimin e ndërtimit të demokracisë apo në fusha të tjera?

Matthew Palmer: Unë mendoj se Sekretari Blinken, Presidenti Biden e kanë bërë plotësisht të qartë investimin e tyre në demokraci, në qeverisjen e mirë dhe në sundimin e ligjit. Unë mendoj se këto kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë thelbësore për interesat amerikane në Ballkanin Perëndimor, dhe unë shoh se administrata Biden-Harris është e angazhuar fort për të mbështetur demokracinë, reformën në drejtësi, transparencën dhe sundimin e ligjit. Kjo do të jetë thelbësore për angazhimin tonë.

A pritet ndonjë nismë e re madhore për Ballkanin apo për Shqipërinë në veçanti?

Matthew Palmer: Gjithmonë ka gjëra të reja. Për Shqipërinë, mendoj se ajo ku do të përqendrohemi është të bëjmë gjithçka mundemi për të ndihmuar vendin të ecë përpara në rrugën e tij evropiane. Do të dëshironim shumë të shihnim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare (IGC) për Shqipërinë. Ne mendojmë se kjo është diçka që Tirana e ka merituar, Shkupi gjithashtu. Do të dëshironim që Bashkimi Evropian ta mbajë premtimin dhe të organizojë konferencën e parë për të dy vendet.

Z. Palmer, është folur shumë kohët e fundit për të ashtuquajturën diplomaci vaksinash të ndjekur nga Kina dhe Rusia në Ballkan. A jeni të shqetësuar se Shqipëria mund të jetë në shënjestër?

Matthew Palmer: Ne do të dëshironim të shihnim që të gjithë në Ballkan të kenë qasje ndaj vaksinave dhe kjo është arsyeja pse administrata Biden-Harris po jep deri në 4 miliardë dollarë për të mbështetur nismën Covax. Ne mendojmë se përmes Covax-it dhe bashkëpunimit shumëpalësh bota mund të sigurojë më së miri shpërndarjen e drejtë të furnizimit me vaksina. Unë jam gjithashtu i bindur se në javët dhe muajt e ardhshme, furnizimi me vaksina do të rritet në mënyrë eksponenciale dhe do të ketë vaksina të mjaftueshme për të gjithë.

Z. Palmer, ju faleminderit.

Matthew Palmer: Faleminderit që më dhatë mundësinë./Voa

/I.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 16/03/2021 01:21

    Amerika do ju qendroje si cekan mbi koke shqipove ,sa t'ju mbushet rradakja ballkano-orientale-lindore, si te bejne zgjedhje normale dhe e bejne kete, se e dine c'probleme mund te krijoje nje vend ballkanik, qe ndizet nga perbrenda, per rajonin dhe me gjere.Dhe sa per ju komentuesit e meposhtem qe kujtoni qe U.S.A.,ju prish imazhi me ngjarjet e 6 Janarit e nuk mund te japin me mend,e keni shume gabim.Ata qe sulmuan Capitolin (p.s:dhe jo Shtepine e Bardhe-sqarim ky per/VELON/),ishin vetem nje tufe injorante ,gjysma militante fanatike e gjysma tjeter besues te verber te teorive konspirative dhe u arrestuan e po vazhdojne te arrestohen akoma e kesaj dite dhe do t'a paguajne shtrenjte ate qe bene.Me thoni sa jane arrestuar e denuar ne Shqiperi per cdo proteste te bere,per Gerdecin,per 97',per 21 Janarin,per cdo vjedhje e shperdorim te bere keto 30 vjet??

    Përgjigju
  • partizani: 15/03/2021 22:31

    fiks fare pa merak ik tashti futja ndonje hamburger andej nga vrimat e DC. shih mos zbulon ndon je komplot tjeter te te gradoje president ...

    Përgjigju
  • Free: 15/03/2021 21:11

    ca standartesh flasin kta se lan nam ne te gjith boten ...per nja 10 vjet mire eshte ta mbyllin.

    Përgjigju
  • velo: 15/03/2021 19:50

    Ne fakt do ti bejme zgjedhjet si ato te fundit ne SHBA.... Ju pushtuan shtepine e bardhe dhe e quajtet normale... Bla bla bla.....

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja

Sondazhi i Tiranës, PS i qëndron 18 mandateve, zbret PD me 4 deputetë! Surprizë partitë e reja me 8 mandate, fundoset PL-ja