TIRANË- Sot është afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve që do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 9 nëntorit. Dy kandidatët e PS, Ervin Ceca në Berat dhe Brunilda Mersini në Vlorë kanë dorëzuar dokumentet e kandidimit në KQZ. Ndërkohë kandidatët e tjerë, Florenc Doka në Cërrik, Altin Bojni në Mat dhe Gramoz Sako në Tepelenë, do i dorëzojnë dokumentet e kandidimit në KZAZ pasi janë bashki të vogla.
Dokumentet e kandidimit i ka dorëzuar edhe këshilltari i PD-së në Vlorë, Gjergji Nika, i cili është ‘zemëruar’ me Partinë Demokratike dhe ka vendosur të garojë si i pavarur në zgjedhjet e 9 nëntorit. Duke qenë se Nika është këshilltar i pavarur nuk ka pasur detyrim për të mbledhur firma, pasi ai është pjesë e Këshillit Bashkiak dhe sipas nenit 70 pika 4 e Kodit Zgjedhor, i mjafton një vërtetim që është anëtar i këshillit bashkiak për të garuar si kandidat i pavarur.
Ndërkohë, po sot kanë dorëzuar në KQZ kandidaturën si kandidatë të pavarur Dionis Sota në Vlorë, dhe Pavlo Shkrepa në Berat. Priten Amarildo Hoxha në Cërrik, Gabriel Guma në Tepelenë, Eduart Brahlika në Mat dhe Pavlo Shkarpa në Berat.
Në Cërrik, pritet të shihet nëse kandidati i “Shqipëria Bëhet” Eligert Hima ka mbledhur firmat dhe a do t’i dorëzojë ato në KQZ.
Vetëm Tirana nuk do të shkojë në zgjedhje me datë 9 nëntor, pasi Gjykata Kushtetuese pezulloi dekretin e Presidentit Bajram Begaj pas ankimit të kryebahskiakut Erion Veliaj për shkarkimin me vendim të qeverisë.
Komente












