Të “nxituar” e cilësoi procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të PD, deputeti demokrat Saimir Korreshi, ndërsa shoi se kjo ka qenë arsyeja kryesore që nuk mori pjesë në Kuvendin e 30 prillit.
“Arsyeja pse nuk kam qenë në Kuvendin e 30 prilli është se i gjithë procesi mbas ikjes së Bashës ka qenë i nxituar me qëllim, e gjitha ndodhi vetëm për t’u larguar Basha. Unë bashkë me një pjesë të kryesisë së degës Lushnje, ku kërkova zgjatjen e procesit, mos të behej me 3 ditë. Unë nuk mund të marrë pjesë kështu në Kuvend. Ka edhe arsye të tjera, për mënyrën sesi u përfaqësuan degët.”, tha ai.
I ftua në “Sot Live në Shqipëri” me gazetarin Andi Kapxhiu, deputeti tha se në këto kushte të pabarabarta që ka krijuar Sali Berisha për procesin e zgjedhjes së kryetarit të ri të PD, është i vetmi që mund të fitojë
“Procesi i zgjedhjes së kryetarit të ri të PD është vazhdimi i 30 prillit. Thamë në qershor që Basha nuk i dha mundësi kandidatëve të tjerë për të bërë fushatë, e njëjta gjë po ndodh tani! A del dot një kandidati të bëjë fushatë për 15 ditë? Nuk gjen dot as staf! Çfarë zgjedhjesh janë këto? Asnjë kandidatë tjetër nuk fiton dot përballë Berishës.”, u shpreh.
Sipas Korreshit Partia Demokratike është e përçarë dhe pavarësisht përpjekjeve mund të ngjitet, por asnjëherë nuk do të bashkohet si dikur, pasi përplasjet kanë qenë shumë të forta.
“Tentuam që PD ka nevojë të bashkohet. PD mund të ngjitet, por nuk mund të bashkohet, ka kaluar në inate personale konflikti. Ka pasur një përplasje shumë të madhe mes demokratëve, pavarësisht se ne mund të duamë shumë. Ngjitja mund të bëhet vetëm përmes tolerimit, në asnjë mënyrë tjetër.”, tha ai.
Problematikat kryesore brenda partisë siç theksoi deputeti kanë ardhur nga lartë. Ai tha se në zgjedhjet e pjesshme vendore, me PD e përçarë humbën të gjithë demokratët.
“Problematika ka qenë dhe mbetet lartë më tepër. Është fuqia që kanë personat lartë, që kanë dirigjuar prej 30 vitesh, që kanë peshë në vendimmarrje, ata kanë potencë të diktojnë në vendimmarrje dhe ecurinë e degëve. Më 6 mars, humbën të gjithë demokratët, humbëm të gjithë.”, tha deputeti.
I pyetur lidhur me profilin ideal të figurës së ardhshme të presidentit, Korreshi dha emrin e tij, i cili ishte autori Visar Zhiti
“Në grupin parlamentar nuk është bërë asnjë diskutim për zgjedhjen e presidentit. Një person për presidenti që mendoj unë është Visar Zhiti, është një njeri që asnjëherë s’ka qenë i përfshirë në politik.”, u shpreh ai.
Kujtojmë se Kuvendi Kombëtar i Rithemelimit ka caktuar datën 22 maj për zgjedhjen e kryetarit të ri të PD, teksa Sali Berisha ka deklaruar kandidaturën e tij. Demokratët kanë afat deri më 7 maj për shpallur kandidaturën e tyre, ndërsa deri më tani Berisha është i vetmi kandidat në garë.