Zgjedhjet e nxehta të 6 marsit, 10 pritshmëritë për 6 bashki

Zgjedhjet e nxehta të 6 marsit, 10 pritshmëritë për 6 bashki

Sali Berisha dhe Lulzim Basha

Vendimi për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit më shumë duket si një pushim i detyruar i kërkuar nga trajneri në një ndeshje mes dy palëve armike në Partinë Demokratike se sa një ndeshje e zakonshme mazhorancë-opozitë. Dekreti i presidentit Meta e ndërpreu në mes krizën e rëndë në Partinë Demokratike duke i dhënë mundësinë si Lulzim Bashës dhe Sali Berishës për të marrë frymë thellë, të organizohen, të masin forcat dhe të hidhen në një betejë për të treguar sa sa fuqi reale kanë dhe sa vlejnë realisht.

Protesta e dhunshme e 8 janarit krijoi perceptimin se do kishim përpasje të tjera përveç të shtunës së dytë të vitit 2021, ndërkohë që dekretimi i presidetit Ilir Meta ishte si një zjarrfikëse po të kujtojmë se Sali Berisha po më 8 janar deklaroi se “Komisioni i Rithemelimit të PD do vijonte protestat në selinë e PD në ditët e ardhshme”. Të paktën që nga sot dhe për 42 ditë, deri më 6 mars, kjo nuk do ndodhë dhe armiqtë brenda PD nuk do përleshen as me sopata, freza e shkallë, e as me shkopinj bejzbolli, fikse zjarri e ndërrim bravash në muret e godinës që na kujtoi pas 500 vjetësh betejat e osmanëve në Kalanë e Krujës me komandant Vrana Kontin brenda dhe strategun Skënderbe që godiste pas shpine nga malet aty pranë.

Si kryetari zyrtar, Basha dhe drejtuesi i lëvizjeës “Foltore”, Berisha, do jenë të zënë me fushatën në terren dhe 6 marsi do shërbejë për ta si letër lakmuesi se sa mbështetje kanë. Vërtetë do kandidojnë më vete, por ndonëse të vakta në horizont po dalin gjithnjë e më shumë shanse për marrëveshje e aleanca pavarësisht se sherret mes tyre janë nën hijen e rëndë të 8 janarit. Por kur të dy mendojnë se përballë do kenë Edi Ramën mund t’i mbledhë ata nën çadrën e vet.

Nga ana tjetër, Partia Socialiste vijon ta ndjekë fati dhe është aq e avantazhuar në këto zgjedhje saqë ka komoditetin të mos i quajë ato për jetë e vdekje por të mendojë më shumë për standartet. Por çfarë pritet të realitet të sjellin zgjedhjet e pjesshme e 6 marsit?

  1. Zgjedhje e 6 marsit pritet të sjellin të vetmin test se sa mbështetje ka Lulzim Basha dhe sa ka Sali Berisha në Partinë Demokratike. Për herë të parë në këto 32 vjet, kjo betejë elektorale nuk do tregojë fare se është një ndeshje mes mazhorancën dhe opozitës dhe por kjo do kalojë në plan të dytë. Madje edhe nëse PS fiton të gjashta bashkitë, sytë e publikut do jenë te numërimi dhe shuma e votave që do marrë Lulzim Basha dhe shuma e votave që do marrë Sali Berisha. Këtu do kuptohet se cili prej tyre është më i fortë cili prej tyre zotëron shumicën në PD dhe në vartësi të rezultatit do ndikojë edhe në marrjen përfundimtare të drejtimit të Partisë Demokratike.
  2. Zgjedhjet e 6 marsit pritet të sjellin mundësinë që ose Lulzim Basha ose Sali Berisha mund të dalin në pension politik. Në rast se Lulzim Basha fiton dhe merr më shumë vota se grupi “Foltorja”, ai jo vetëm fuqizohet dhe merr drejtimin real të Partisë Demokratike por fitorja e tij automatikisht do ta dërgojë në pension politik Sali Berishën. Por ama nëse Sali Berisha fiton zgjedhjet e 6 marsit padyshim që shanset që ai të drejtojë PD-në siç ka ambicjen dhe ka premtuar janë të mëdha. Kjo ka një rrjedhojë që Lulzim Basha me shumë mundësi ka largimi nga drejtimi i PD dhe pensionimi i tij politik.
  3. Zgjedhjet e 6 marsit janë një sondim luksi për të parë kuotat reale të momentit të gjithë spektrit politik shqiptar. Vërtetë nuk ka kaluar një vit nga zgjedhjet parlametare, por gjatë kësaj kohe kanë ndodhur ngjarje politike që kanë përmbysur balancat duke ndryshur spektrin politik. Me Ramën, Bashën, Berishën dhe Metën, për herë të parë në këto 32 vjet politika shqiptare është katër polare. Ndërkohë, vërtetë këto zgjedhje do zhvillohen vetëm në gjashtë bashki, Shkodër, Durrës, Vorë, Lushnje, Dibër, Rrogozhinë, por ama duke marrë jo vetëm numrin, por faktin që janë bashki të rëndësishme zgjedhjet marrin një rëndësi të veçantë. Kështu, bashkia e Shkodrës dhe Durrësit janë bashki të kategorisë së parë dhe shpesh kanë qenë arena ku janë përcaktuar edhe fatet e zgjedhjeve të përgjithshme. Më pas Lushnja dhe Dibra vërtetë janë bashki të një niveli më të ulët, por ama janë potenciale dhe pozicione shumë të rëndësishme ku njëra ndodhet në Myzeqe dhe tjetra në qendrën e prefekturës. Ndërsa dy bashkitë e tjera Rrogozhina dhe Vora vërtetë janë bashki të vogla, por duke iu bashkangjitur katër bashkive të tjera pritet që rëndësia tu shtohet jo pak.
  4. Zgjedhjet e 6 marsit pritet të tregojnë edhe fuqië e ndikimit të vendimeve të diplomacisë amerikane në elektoratin e Partinë Demokratike. Pas shpalljes non grata të Sali Berishës SHBA është pozicionuar hapur pro Lulzim Bashës dhe po hapur kundër Sali Berishës. Nëse Basha fiton shumicën e votave të PD padyshim që e fituar në këtë përplasje do jetë edhe politika që ndoqi SHBA. Dukshëm kjo do tregojë që edhe elektorati shqiptar, specifikisht ai i djathtë, mbështeti këtë politikë. Por ama nëse fiton Sali Berisha dhe mbështetësit e tij, do ketë edhe ndikimin negativ të një vedimi të tillë të diplomacisë amerikane duke na kujtuar situatën e vitit 1997-1998 kur po ndaj Berishës SHBA u pozicionua kundër tij, por vetëm pak vite më pas, falë fitores në zgjedhje, SHBA e mbështeti atë.
  5. Zgjedhjet e 6 marsit pritet të na tregojnë vlerën reale të LSI po edhe të disa partive të tjera të vogla aleate me PD. Në fakt duket qartë që LSI në këto zgjedhje do bëjë aleancë me Sali Berishën dhe grupimin e tij “Foltorja”. Gjasat janë që të përfaqësohen me kandiatë të përbashkët dhe kjo i jep një vlerë më shumë koalicionit të tyre sidomos ndaj Lulzim Bashës. Në rast të një fitore të këtij koalicioni, dukshëm që shanset që LSI të ringrihet pas nock doën-it që mori më 25 prill janë të ëmdha. Në të kundërt LSI rrezikon të tkurret edhe më shumë. Kjo do të jetë një provë e rëndësishme të LSI-së se në cilin nivel politik ndodhet, sa mbështetje ka, por do krijojë gjithashtu edhe një perceptim më të qartë për të ardhmen e saj politike me një kthim në bazë të themeluesit të saj Ilir Meta.
  6. Zgjedhjet e 6 marsit pritet të tregojnë edhe forcën reale të momentit të Partisë Socialiste edhe pse tashmë po shkon afër 9 vjet në pushtet qendror dhe zotëron 100 për qind pushtetin lokal. Pas afër një viti nga zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, zgjedhjet e pjessshme të 6 marsit janë një test luksi për Partinë Socialite për të kuptuar se sa mbështetje ka, a është në rrugë të drejtë dhe a e ka me vete të njëjtin elektorat.
  7. Zgjedhjet e 6 marsit pritet të tregojnë edhe cilësinë për mënyrën se si do realizohen këto për nga cilësia. Pretendimet e opoztës për zgjedhjet e 25 prillit janë ende në jehonën e opinionit publik dhe në këtë mënyrë qeveria dhe aktorët e tjerë pritet të tregojnë që më 6 mars të mos çedojë nga asnjë parametër që mat zgjedhjet. Larg manipulimeve, larg blerjes dhe tjetërsimit së votës dhe larg konflikteve që e karakterizuan zgjedhjet e 25 prillit, do të ishin një fitore vërtetë për PS por më shumë për demokracinë në Shqipërinë e tallazuar. Fjalët e Ramës se për PS këto zgjedhje “nuk janë për jetë e vdekje” mund ti përkthejmë se për të dhe PS-në, më shumë, zgjedhjet e 6 marsit kanë rëndësi standartet.
  8. Zgjedhjet e 6 marsit do të tregojnë cilësinë dhe mënyrën se si do përzgjidhen kandidatët. A do jenë ata brenda kontureve të ligjit të dekriminalizimit dhe a do jenë ata të pastër dhe pëlqyer nga publiku? Kujtojmë se Valdrin Pjetri në Shkdoër dhe Agim Kajmaku në Vorë u larguan nga detyra e kryetarit të Bashkisë pasi ishin zgjedhur në detyrë pikërisht sepse u prekën nga ligji i dekriminalizimit. Shkodra vijon të drejtohet nga Voltana Ademi dhe Vora nga i komanduari i kryeministrit, Genti Picari. Në Durrës kryebashkiakja Valbona Sako dha dorëheqjen pas një gafe që bëri gjatë një deklarate pas tërmetit të 26 nëntorit 2019. Në vend të saj u komandua Emirjana Sako. Lushnja është një rast edhe më i rëndë pasi kryebashkiaku Fatos Tushe u arrestua nga SPAK për një aferë korrupsioni. Në Dibër kryebashkiaku Dionis Ymeri dha dorëheqjen pasi kandidoi si deputet por nuk arriti të merrte mandatin. Në Rrogozhinë kryebashkiaku Haxhi Memolla ndërroi jetë nga një atak kardiak dhe në vend të tij u komandua Edison Memolla. Por si do jenë kandidatët përt këto gjashtë bashki? Të parët që shpejtuan të tregojnë se edhe në përgatitje janë të parët ishin socialistët. PS tashmë pothuajse i ka konfirmuar kandidatët në Durrës Emirjana Sako dhe në Shkodër është propozuar Majlinda Angoni. Edi Rama duket se po gjen më shumë garanci te gratë si figura shumë herë më të pastërta se sa burrat. Dhe për të është shumë e rëndësishme garancia që do japin kandidatët për pastërtinë e figurës së tyre. Ndërkohë edhe për shkak të mungesës së kohës në kampin opozitar ende nuk ka ndonjë kandidaturë që duket në horizont ndonëse për hir të vërtetës opozita nuk ka vuajtur nga sindromi i kriminalizimit.
  9. Zgjedhjet e 6 marsit pritet të tregojnë për klimën e tensionuar ose jo të politikës shqiptare. Nëse ne do kemi zgjedhje të qeta, pa eksese, pa incidente dhe pa konflikete të cilët janë ende të freskëta me ato që ndodhëm më 25 prill të vitit të shkuar, padyshim që do jenë një treguar domethëënie pozitive. Në të kundërt, Shqipëria do vijoijë të bëjë hapas pas që do kenë vlerën e një vendngjarje krimi.
  10. Zgjedhjet e 6 marsit pritët të tregojnë më shumë një betejë politike se sa një ndihmë për qytetarin. Vërtetë ato do zgjodhen kryetarët e gjashtë bashkive por mos të harrojmë se këto zgjedhje nuk do votohet edhe për këshillat bashkiakë. Ato zotërohen në masën 100 për qind nga Parta Socialiste të zgjedhura në garën lokale të vitit 2019. Në këtë mënyrë edhe nëse PD dhe opozita do fitojë bashkitë respektive, kurrë nuk do të ketë fuqinë reale të një kryetari përballë shumicës unanime të këshilltarëve socialistë. Prandaj këto zgjedhje nuk do jenë një ndihmë për qytetarin por një test vetëm për partitë. Thjesh do jenë zgjedhje politike.

J.GJ./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Trump do të blejë Grenlandën, Danimarka rrit shpenzimet për mbrojtjen e ishullit

Trump do të blejë Grenlandën, Danimarka rrit shpenzimet për mbrojtjen e ishullit