KOSOVË - Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, e ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare - të tretat brenda rreth një viti e gjysmë.

Vendimi i Haxhiut vjen pas mbajtjes së një takimi me 12 përfaqësues të partive politike në vend për caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Pasi dëgjova propozimet e partive politike dhe pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbahen më 7 qershor”, tha Haxhiu.

Ajo tha se 15 nga 17 partitë e ftuara morën pjesë në takim për të zgjedhur mes dy datave të mundshme, 31 majit dhe 7 qershorit.

Edhe përfaqësuesit e disa prej partive më të mëdha thanë pas takimit se ishin pajtuar që zgjedhjet e reja të mbaheshin më 7 qershor.

Bedri Hamza, kreu i partisë kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), tha pas takimit se “shumica e partive politike të përfaqësuara këtu edhe prezente, kanë qenë për datën 7”.

Tani mbetet që KQZ e Kosovës të shpallë datën për nisjen e fushatës dhe kohën që do tu japë në dispozicion partive për këtë.

Zgjedhjet e reja vijnë pasi Kuvendi dështoi ta zgjedhë një president të ri brenda afatit, duke e zhytur vendin në një krizë të re politike.

Kuvendi kishte afat deri në mesnatën e së martës për ta zgjedhur kreun e shtetit, pasi mandati i presidentes Vjosa Osmani përfundoi në fillim të prillit.

Shpërndarja e Kuvendit të martën nënkupton se zgjedhjet e reja duhet të mbahen brenda 45 ditëve të ardhshme.

Si rrjedhojë, ishin vetëm dy data të mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme sipas procedurave ligjore: 31 maj dhe 7 qershor.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 16:18
Zyrtarizohet data, zgjedhjet e parakohshme në Kosovë mbahen më 7 qershor

Albulena Haxhiu ka shpallur 7 qershorin si datë për mbajtjen e zgjedhjeve të reja të parakohshme parlamentare - të tretat brenda rreth një viti e gjysmë.

Vendimi i ushtrueses së detyrës së Presidentes vjen pak pas mbajtjes së një takimi me liderë dhe përfaqësues të partive politike në vend për caktimin e datës së zgjedhjeve.

“Pasi dëgjova propozimet e partive politike dhe pas vlerësimit të afateve kushtetuese, nevojave organizative të KQZ-së dhe rëndësisë së pjesëmarrjes sa më të gjerë të qytetarëve në këtë proces, kam vendosur që zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës të mbahen më 7 qershor”, tha Haxhiu.

Ajo tha se 15 nga 17 partitë e ftuara morën pjesë në takim për të zgjedhur mes dy datave të mundshme, 31 majit dhe 7 qershorit. Edhe përfaqësuesit e disa prej partive më të mëdha thanë pas takimit se ishin pajtuar që zgjedhjet e reja të mbaheshin më 7 qershor.