Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar Albin Kurtin si kandidat për kryeministër në zgjedhjet e parakohshme të 7 qershorit që do të zhvillohen në Kosovë.

Vendimi u mor në mbledhjen e Këshillit të Partisë, ku Kurti mori mbështetjen e delegatëve. Gjatë fjalës së tij pas mbledhjes, Kurti kërkoi mbështetjen e qytetarëve në zgjedhje, për të arritur që subjekti politik që ai drejton të marrë 60% të votave në 7 qershor.

“Prej shkurtit deri në dhjetor vitin e kaluar u rritëm për 9%, nëse rritemi po aq prej dhjetorit deri në qershor mund të prekim 60%. Nëse punojmë me sinqeritet dhe përkushtim, edhe kjo padyshim është e mundur”, tha Kurti gjatë fjalës së tij.

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje zgjodhi që edhe njëherë të fajësojë partitë opozitare për bllokadën dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme që vijnë për shkak të mungesës së konsensusit për zgjedhjen e Presidentit të ri.

Sa i përket kësaj çështjeje, Albin Kurti deklaroi se pas zgjedhjeve do bashkëpunojnë me partitë për të zgjedhur një President jopartiak.

“Pas zgjedhjeve sërish do të kërkojmë bashkëpunim për një president jopartiak, jashtë skenës aktuale politike, me integritet e kompetencë”, deklaroi më tej Kurti.