TIRANE - Zgjedhjet e PD në Korçë tashmë kanë prekur pikun kur janë zgjedhur dhe rreth 430 delegatët të cilët do të votojnë kryetyarin e degës. Burimet kanë bërë të ditur se nga seksionet janë katër emrat që kanë më shumë mbështetje. Ndërsa kjo shihet dhe si një luftë, nën hije mes tre figurave të PD. Ridvan Bode, Gjergji Papa dhe Andrea Mano.

Bode prej kohësh ka qenë një nga “të fuqishmit” në PD e Korçës, ndërsa pozitat iu forcuan me marrjen e postit të ministrit të Financave. Por, me humbjen e zgjedhjeve parlamentare të vitit që shkoi, terreni në Korçë duket se ka lëvizur ndjeshëm. Por, pavarësisht se udhëzimi i PD vendos një sërë kriteresh për emrat që do të garojnë në kryesimin e degës, sigurisht që mbështetësit e Bodes do të ngulmojnë në emrin që preferojnë më shumë. Aq më tepër që në zgjedhjet e ardhshme parlamentare ish-ministrat e qeverisë “Berisha” do të jenë ata që rrezikojnë më shumë.

Burimet kanë bërë të ditur se një nga emrat më të mundshëm të propozuar për degën është ai i Ardian Shkëlqimit, i cili është gjithashtu dhe sekretar i PD në këtë qytet.
Por jashtë luftës nuk mbetet as Andrea Mano. Madje mësohet se tashmë Mano ka kërkuar të marrë mbështetjen e të pakënaqurve në këtë degë, si dhe të qendrës së selisë blu. Kjo duke qenë se Mano pak kohë më parë ka mbajtur dhe detyrën e prefektit të qytetit, si një nga të besuarit të e ish kreut të PD, Berisha.

Gjergji Grabocka është një tjetër nga emrat që ka nisur të garojë për kreun e kësaj dege. Burimet kanë bërë të ditur se Grabocka ka kërkuar votat nga mbështetës, si të Bodes, ashtu dhe të Gjergji Papës, i cili gjithashtu është kryetari aktual i kësaj dege.

Jashtë vëmendjes për kryetar të degës në Korçë nuk kanë mbetur as ish deputetët dhe as kandidatët për deputetë të zonës. Mësohet se në garë tashmë është përfshirë dhe Ledina Alolli. Ndërsa nuk mungojnë zërat që në tryezën e PD në qendër të shkojnë propozime dhe për një tjetër kandidat të PD për zonën e Korçës.

Ndarja e grupimeve, si dhe angazhimi i drejtuesve të kësaj dege në garën për kreun e degës ka sjellë dhe një amulli në llogaritjen e emrit që do të ketë më shumë mbështetje nga 430 delegatët që tashmë kanë marrë të drejtën e përfaqësimit. Burimet kanë bërë të ditur se ende nuk është vendosur se cila do të jetë data e votimit për mbledhjen e konventës së degës. Por se tashmë janë mbyllur votimet në seksionet e kësaj dege. Tashmë të 430 të deleguarit do të presin urdhëresën nga qendra për të votuar emrin që do të arrijë të mbledhë më shumë vota.

Gara

PD e Durrësit, emrat e klaneve dhe surprizat

Zgjedhjet në PD e Durrësit duket se do të jenë më problematike se në rrethet e tjera. Burimet kanë bërë të ditur se deri më tani janë katër emra që kanë më shumë mbështetje në delegatët e zgjedhur. Por se ende nuk është e qartë se cili ka më shumë vota për të pasur të drejtën e kryesimit të kësaj dege. Nga ana tjetër theksohet se ka një garë më të ashpër mes grupimeve politike në këtë zonë. Kështu Igli Cara dhe Oerd Bylykbashi thuajse e kanë bërë publik emrin që kanë “më për zemër” në kryesimin e saj. Por nga ana tjetër nuk mbetet pas as Genc Juka me drejtues të tjerë të kësaj dege. Dhe pse vetë
Juka nuk do të marrë pjesë në garën për kryetarin e ri të kësaj dege.

EMRAT
Ardian Muka, Doklead Ademi, Dritan Burgija dhe Osman Stafa, janë disa nga emrat më të përmendur nga delegatët e zgjedhur në PD e Durrësit. Ndërkohë që mësohet se Cara e Bylykbashi ka dhënë një mbështetje më të madhe për Burgijën. Madje, pak ditë më parë për këtë mbështetje u krijua dhe një përplasje mes kreut të PD Lulzim Basha dhe deputetit të kësaj partie Oerd Bylykbashi.

Kur Basha u mësua se në shenjë pakënaqësie u largua prej një pritje të shtruar prej Bylykbashit. Nga ana tjetër emrat e Ardian Mukës dhe Osman Stafës shihen më shumë si kandidatë që do të marrin vota nga mbështetësit e Genc Jukës. Ky i fundit nuk pritet që të kandidojë për degën e kësaj partie. Por lufta në Durrës duket se do të mbetet akoma dhe më e hapur.

Kjo dhe për shkak të emrave të tjerë që qarkullojnë. Kështu dhe Doklead Ademi shihet si një nga personazhet që ka nisur të lobojë për të marrë sa më shumë vota në Konventën që do të mblidhet për qytetin bregdetar. Po ashtu një formë tjetër mund të jetë ajo e zgjedhjes së një kryetari i cili dhe më parë ka kontribuar në konsensusin mes palëve.



Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)