Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për emisionin 'Quo Vadis' ka sqaruar se përse nuk ka bërë konsultime me partitë politike për dekretimin e 6 marsit si një datë për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme vendore. Meta deklaroi se për të evituar çdo debat dhe polemikë me Partinë Demokratike, zgjodhi të takonte vetëm kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Ballën.
“Për te evituar çdo debat dhe polemike me PD-në, e cila bojkotoi zgjedhjet e fundit vendore, bëra zgjedhjen që në takim për zgjedhjet e 6 marsit të thërrisja kreun e grupit parlamentar të PS-së”-tha Meta.
Kreu i shtetit theksoi se asnjë nga palët nuk ka pasur interes që të hynte në zgjedhje por theksoi se është interesi i qytetarëve që të zgjedhin drejtuesin për 6 bashkitë pa kryetar.
“Asnjë nga palët nuk ka pasur interes që të hy në zgjedhje. Është interesi i qytetarëve tashmë që të zgjedhin në këto 6 bashki dhe të kemi një kryetar i cili do vendosi vetë dhe nuk do varet nga një ministër apo kryetar partie.”-theksoi Meta.
Presidenti Meta i kërkoi qytetarëve që të mos e shesin votën e tyre, në mënyrë që nesër t’u kërkojnë llogari të zgjedhurve.
“E rëndësishmja në zgjedhjet e 6 marsit, është procesi demokratik i tyre, pjesëmarrja në votime, qytetarët të mos shesin votën që, të kenë mundësi nesër tu kërkojnë llogari të zgjedhurve të tyre. Populli i 2 marsit, është ai popull që njeh respektin dhe dinjitetin e demokracisë dhe të lirisë”-deklaroi Meta.
Meta nuk la pa komentuar kryedemokratin Lulzim Basha teksa tha se është përpjekur ta ndihmojë duke i treguar të gjitha rrugët për ta shpëtuar nga rruga që ai ndoqi. Sakaq, Presidenti theksoi se Basha ka bërë të kundërtën që kreu i shtetit i ka thënë. Ndër të tjera Meta e quajti Bashën deputet.
"Për z.Basha unë jam përpjekur t'i qendroj afër dhe ta ndihmoj duke i treguar të gjitha rruget për ta shpëtuar nga rruga që ai ndoqi. Tani e kam të pamundur ta ndihmoj më sepse e paralajmërova që me "oren", me bojkotin e reformës në drejtesi, me çadren, me djegien e mandateve, me zerimin e pushtetit vendor, me prishjen e marreveshjes së 5 qershorit e shumë të tjera dhe ai nuk më dëgjoi. Tani le të vazhdoje rrugen që ka zgjedhur. Lulzim Bashën, unë e kam kuptuar herët, për marrëdhënien armiqësore që ai, ka me të vërtetën. Ai ka bërë të kundërtën e asaj që i kam kërkuar dhe që është e drejta, duke nisur që nga bojkoti i zgjedhjeve, çështja e Teatrit Kombëtar si dhe prishja marrëveshja së 5 qershorit, i cili mori udhëzimin për prishjen e kësaj marrëveshje. Gjithësesi unë jam i hapur ta pres në takim deputetin Basha"-u shpreh Meta.
Ndër të tjera, Meta, deklaroi se me ish-kryeministrin Sali Berisha ke dëshirë të bashkëpunosh pasi ai i njeh mirë rregullat e lojës.
"Me Berishën ke dëshirë të bashkëpunosh, të luftosh, i njeh rregullat e lojës, një vlerësim që s'ka njeri që nuk e di. Mund të mos jem dakord për një veprim, një sjellje, por ai ka një raport të drejtë me interesin kombëtar. Baza e bashkëpunimit tim me cilindo është me popullin e 2 marsit, popullin e dinjitetit dhe demokracisë."-tha Meta.
Më Presidenti Ilir Meta dekretoi 6 marsin si datën për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 6 bashki, përkatësisht në Durrës, Shkodër, Rrogozhinë, Lushnje, Vorë dhe Dibër.