Në mbyllje të fushatës nga Dibra, Lulzim Basha u bëri thirrje qytetarëve të votojnë për kandidatin e PD. Fjalimin e tij kryedemokrati zgjodhi ta niste me ngjarjet në Ukrainë, duke u shprehur se zgjedhja për të qenë krah perëndimit, është rruga e duhur.
"Pushtimi që po i bën Rusia Ukrainës është një kërcënim për mbarë botën demokratike. Është një betejë midis të keqes dhe të mirës. Është një betejë që Dibra e njeh shumë mirë, sepse ashtu me numra përherë më të vegjël se ushtritë pushtuese, është gjendur gjithmonë në luftërat të pabarabarta. E pra momenti i sotëm është një moment i rëndësishëm edhe për sakrificat e stërgjyshërve tanë, e gjyshërve tanë, sepse ngjarjet që po ndodhin në Ukrainën e largët, faktikisht mund dhe kërkojnë të destabilizojnë edhe rajonin përmes aleatit dhe agresorit të Ukrainës, përmes atyre që siç e thotë kënga, i kanë lënë shapkat shpesh në pyjet e Lurës e në brigjet e Drinit. Aleatit të tyre që u nda nga bota demokratike dhe refuzoi ta dënonte agresionin serb. Por sot, sot ka një dallim të madh, sepse ka vite që shqiptarët në Shqipëri dhe në Kosovë janë të bekuar me një aleat si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Shqipëria sot është pjesë e NATO-s, ndaj askush nuk ka guximin të na kërcënojë, askush nuk ka guximin të na mësyjë, sinoret tona, kullat tona, shtëpitë tona, fëmijët tanë, krenarinë tonë, qytetet tona, sepse çdo sulm kundër Shqipërisë, është sot sulm kundër NATO-s, është sulm kundër Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe 29 vendeve të tjera anëtare. Por, vëllezër dhe motra kjo situatë e krijuar me sulmin e Rusisë mbi Ukrainën do të ndikojë në ekonominë tonë. Siç e shikoni çmimi i karburantit që ka qenë në stratosferë po vazhdon të rritet prandaj siç e keni dëgjuar edhe disa ditë më parë, thirrje ime ndaj kësaj qeverie është të marrë masa të menjëhershme", tha Basha.
Mesazhin kryesor, Basha ia adresoi të pavendosurve për votën, duke iu rikthyer edhe një herë ndarjes brenda partisë.
"Thirrja ime e parë i drejtohet rinisë dibrane anë e mbanë Peshkopisë dhe komunave të Dibrës dhe atyre që regjistrimin si votues e kanë në Dibër, por jetojnë në Tiranë, Durrës apo kudo tjetër, ejani këtë të diel në Dibrën tonë dhe votoni për Luan Hakën, kandidatin e Partisë Demokratike. Thirrja ime i drejtohet po kështu të gjithë atyre që nuk e kanë marrë vendimin, mendoni me mend dhe gjykoni me mend. Shikoni si jeni qeverisur këto kohë nëse mund ta quajmë qeverisje këtë që po ndodh nga Tirana drejt Dibrës, nga Peshkopia drejt Bashkisë dhe votoni duke përdorur mençurinë tuaj, votoni që haka të shkojë tek i zoti, që bashkia tu kthehet qytetarëve dhe për këtë zgjidhja e vetme ka vetëm një emër dhe ky është Luan Haka, kandidati i Partisë Demokratike, numri 2. Të dashur demokratë, ju drejtohem të gjithëve ju që jeni në këtë shesh dhe kudo që ndodheni", theksoi kryedemokrati.
6 marsi nuk do të jetë vetëm një garë elektorale për të marrë 6 Bashkitë, por edhe një tregues se kush gëzon mbështetjen më të madhe mes demokratëve, Lulzim Basha apo Sali Berisha, pas pretendimeve të secilit se ka në krah shumicën e tyre