Zgjedhjet, mbyllet votimi, pjesëmarrja 30.33%! Celibashi: Rezultati do dalë para orës 22:00 të së hënës! Pelinku: Në 99 % e qendrave të votimit ka pasur identifikim elektronik

Në Shkodër, Dibër, Lushnjë, Rrogozhinë, Durrës dhe Vorë ka përfunduar procesi i votimit, ku në total pjesëmarrja ka qenë 30.33%. Qytetarët e Dibrës kanë qenë më të interesuar për të votuar, ku pjesëmarrja është më e lartë, 43.35 % dhe Durrësi me pjesëmarrjen më të ulët 26.27 %. 

Ndërkohë në Shkodër kanë dalë për të votuar 29.11 % e qytetarëve me të drejtë vote, teksa një përqindje më e lartë është regjistruar në Rrogozhinë, 30.92%. Në Vorë, e vetmja bashki ku po aplikohet votimi elektronik, pjesëmarrja ka qenë 40.33 %, ndërsa në Lushnje 35.96 %.

Në një deklaratë për mediat, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi bëri me dije se procesi vijoi pa problematika dhe se incidente e regjistruara nuk janë domethënës që të cenojnë të gjithë procesin. Ai theksoi se problematikat më të shumta janë regjistruar me përdorimin e pajisjeve të identifikimit elektronik e po ashtu edhe me kamerat e vëzhgimit, e ndërsa theksoi se rezultati do dalë para orën 22:00 të së hënës.

Ndërsa nënkryetarja e KQZ, Lealba Pelinku tha se procesi i identifikimit elektronik është mbuluar në 99 % të qendrave të votimit. Ajo tha se ka pasur disa problematika në të gjithë vendin dhe se janë zëvendësuar 15 pajisje PEI të identifikimit elektronik, ndërsa aty ku nuk është bërë e mundur zëvendësimi procesi është bërë manualisht.

Ishin 654,538 shtetas shqiptarë me të drejtë vote që iu drejtuan sot kutive të votimit për të zgjedhur kryetarët e rinj të bashkive. Të zgjedhurit në këto votime do të kenë një mandat 1-vjeçar. KQZ ka bërë me dije se janë 10,134 zgjedhës që votojnë për herë të parë. Qendrat e votimit qëndruan të hapura nga ora 07:00-19:00.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 20:57
Celibashi: Rezultati do dalë para orën 22:00 të së hënës

 

Kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi ka bërë me dije se rezultati do të dalë para orën 22:00 të së hënës.

"Brenda ditës së nesërme, ndoshta në orët e vona do kemi rezultatin për numrin më të madh të Bashkive, para orës 22:00 të mbrëmjes", tha Celibashi.

Ora 17:23
Pelinku nga Vora: 99 % e qendrave të votimit ka pasur identifikim elektronik, janë zëvendësuar 15 pajisje elektronike

Nënkryetarja e KQZ, Lealba Pelinku tha se procesi i identifikimit elektronik është mbuluar në 99 % të qendrave të votimit. Ajo tha se ka pasur disa problematika në të gjithë vendin dhe se janë zëvendësuar 15 pajisje PEI të identifikimit elektronik.

“Na ndajnë 2 orë nga mbyllja e votimit në 6 bashkitë. Përdorimi i teknologjisë për identifikimin elektronik bëhet fjalë bëhet fjalë për një mbyllim 99 % të qendrave të votimit.  Për problematikat që lidhen me vështirësitë që ka krijuar moti në Shkodër bëhet fjalë për 3 qendra votimi që ka qenë e pamundur pajisja e identifikimit. Kemi një qendër në Durrës dhe Dibër që janë bërë me dije në orën 07:00 sot dhe ka qenë  e pamundur zëvendësimi i operatorit. Kemi pasur edhe dy qendra votimi ku procesi ka nisur me pajisjen PEI dhe më pas është vazhdar manualisht. Bëhet fjalë vetëm për dy qendra votimi ku nuk është arritur të bëhet zëvendësi. Në një rast nuk ka respektuar afatin prej dy orësh  për zëvendësimin e  pajisjes dhe është vendosur në kalimin manual. Kanë qenë 15 pajisje PEI që janë zëvendësuar pasi kanë shfaqur probleme. Votimi elektronik ka ecur në mënyrë të shkëlqyer dhe nuk kemi dyshim që edhe numërimi do të kryhet në qendrat e votimit dhe do të raportohet si rezultat paraprak në KQZ”, tha ajo.

Ora 15:12
Vijon pa problematika domethënëse procesi i zgjedhjeve në 6 bashki, Celibashi: Problem përdorimi i pajisjeve të identifikimit elektronik

Procesi i votimit në 6 bashkitë në vend ka vijuar pa problematika domethënëse deri në orën 15:00. Në një deklaratë për mediat, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi tha se problematika janë evidentuar kryesisht me kamerat e vëzhgimit dhe përdorimin e pajisjeve të identifikimit elektronik. Ai bëri me dije se në 5 qendra votimi, identifikimi është bërë manualisht dhe në 15 të tjera është bërë zëvendësimi i pajisjeve.

"Kemi marrë raportime mbi problematikat në disa QV. Në total 13% e këtyre problematikave lidhen me kamerat e vëzhgimit. 73% me përdorimin e PEI, 15% me çështje të administrimit të zgjedhjeve. 40% nga bashkia Shkodër, 30% Durrës, 12% Lushnjë, 9 %Dibër, 6% Rrogozhinë, nga Bashkia Vorë nuk ka raportime për problematika. Për pajisjen e identifikimit elektronik, në 5 qendra votimi identifikimi është bërë manualisht. Në 15 qendra votimi është bërë zëvendësimi i pajisjes elektronike të identifikimit elektronik. Në lidhje me kohën e hapjes së QV, 70% janë hapur në orën 7:00, 25% janë hapur deri në orën 07:30. Kemi bërë edhe verifikime në terren të situatës dhe nuk raportohen problematika domethënëse. Ka disa probleme me mënyrën e zhvillimit ët procesit ët votimit, që ka patur grumbullime të personave të paautorizuar, kemi komunikuar me KZAZ respektive dhe është raportuar që situata është kthyer në normalitet", tha ai.

Ora 10:12
Zgjedhjet, Celibashi: Për shkak të dëborës, s'ka nisur procesi në 2 qendra votimi në Shkodër! Në Dibër probleme me energjinë elektrike në 18 qendra votimi! Ja ku s'po kryhet identifikimi elektronik

 

Tre orë pas nisjes së procesit të votimit për zgjedhjet e pjesshme vendore në 6 bashki në vend, kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi ka sqaruar mbi mbarvajtjen dhe problematikat e hasura. Me një deklaratë për mediat, Celibashi bëri me dije se për shkak të dëborës, nuk ka nisur ende votimi në 2 qendra votimi në Shosh dhe Pult të Shkodërs. Po ashtu probleme janë hasur edhe në Dibër, ku për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike në 18 qendra votimi dhe identifikimi po kryhet manualisht dhe jo nëpërmjet pajisjeve elektronike. Po ashtu probleme me identifikimin elektronik ka patur edhe në një qendër votimi në Durrës.

"Problematikat e evidentuar lidhen dhe janë të tilla: 2 qendra votimi në Shosh dhe Pult ku s'ka filluar votimi për shkak të mungesës së komisionerëve që nuk kanë shkuar dot për shkak të motit të keq. Një QV në Shalë identifikimi po bëhet manualisht, pa pajisjen e identifikimit elektronik. Në Shkodër nga 250 QV ka filluar në 247, në 3 QV nuk po votohet. Në Dibër janë 101 QV dhe tek të 101 ka filluar procesi i votimit. Kemi një problem me 18 QV në lidhje me energjinë elektrike në Kastriot dhe Kalanë e Dodës për shkak të reshjeve të dëborës. Në Durrës, nga 337 ka filluar votimi te të gjitha. Në një qendër votimi në Durrës po kryhet procesi i identifikimit pa pajisjen elektronike, kështu kanë vendosur anëtarët e komisionit. Në Vorë nga 44 QV janë hapur të gjitha dhe po votohet normalisht, nuk ka asnjë problem si me identifikimin edhe me votimin elektronik. Në Rrogozhinë nga 53 qendra votimi, ka filluar te të 53. 157 QV në Lushnje, po votohet te të gjitha. Në 5 ka probleme me kamerat e vëzhgimit dhe pajisjen PEI. Në një QV identifikimi po bëhet jo nëpërmjet pajisjes së identifikimit elektronik. Në dy QV në Dibër dhe Durrës ka probleme lidhur me mënyrën si anëtarët e qendrave të votimit administrojnë situatën, por janë pa probleme me vijimin e procesit të votimit. Problematika më shumë lidhet me disa QV në Shkodër e Dibër, për shkak të situatës së motit", tha Celibashi.

/B.K./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Protesta e PD/ Përplasje te Pallati me Shigjeta,  Policia tenton të shpërndajë protestuesit

Protesta e PD/ Përplasje te Pallati me Shigjeta, Policia tenton të shpërndajë protestuesit