Zgjedhjet e së martës mund të krijojnë debate të reja në Uashington

Zgjedhjet e së martës mund të krijojnë debate të reja në Uashington

Kongresi

E marta është dita e zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara. Miliona amerikanë votojnë në zgjedhjet për legjislativin, që përcaktojnë trajtën filozofike të Kongresit dhe tonin për debatin politik në Uashington, përgjatë gjysmës së dytë të mandatit katërvjeçar të Presidentit Joe Biden.

Votohet për të gjitha vendet në Dhomën e Përfaqësuesve, 435, si dhe për 35 nga 100 vendet në Senat. Mbi 42 milionë persona kanë votuar tashmë nëpërmjet votimit të hershëm në person apo me postë. Disa analistë sugjerojnë se numri i përgjithshëm i votuesve do t’ia kalojë totalit prej 115 milionësh që pati në zgjedhjet e mesmandatit të vitit 2018.

Demokratët kanë aktualisht një shumicë të ngushtë në të dyja dhomat e Kongresit, por anketimet parazgjedhore tregojnë se republikanët ka gjasa të marrin shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve dhe ndoshta edhe në Senat, një rezultat ky që në të kaluarën ka sjellë ngërç të zgjatur politik, me njërën palë që ka kontrollin e Kongresit, ose të paktën njërën prej dhomave të tij, dhe me palën tjetër që ka Shtëpinë e Bardhë.

Një firmë kryesore e anketimeve në Shtetet e Bashkuara, fivethirtyeight.com, u jep tashmë republikanëve 55% shans për të marrë Senatin dhe 83% gjasa për të marrë Dhomën e Përfaqësuesve nga demokratët. Ajo parashikon se republikanët do të fitojnë 13 vende në Dhomën e Përfaqësuesve, pra me një shumicë 225 me 210, dhe një vend në Senat, duke krijuar një shumicë 51 me 49, në fuqi nga janari 2023 me Kongresin e ri.

Një tjetër firmë anketimesh, RealClearPolitics.com, i jep edhe më shumë avantazh republikanëve, duke parashikuar se do të fitojnë tre vende në Senat, si dhe nga 14 deri në 48 në Dhomën e Përfaqësuesve.

Duke parashikuar një fitore të republikanëve në Dhomën e Përfaqësuesve, drejtuesi i pakicës republikane Kevin McCarthy, kandidat kryesor për t’u bërë kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve në rast se republikanët marrin shumicën, ka premtuar se do të kërkojë ulje të shpenzimeve në programet e qeverisë të favorizuara nga Presidenti Biden. Ai i tha kanalit CNN se ligjvënësit republikanë do të shqyrtojnë më nga afër ndihmën financiare dhe në armatime që Shtetet e Bashkuara i japin Ukrainës për të luftuar sulmin e Rusisë, që ka hyrë tashmë në muajin e nëntë.

Që nga fillimi i luftës, Presidenti Biden, me pak debat në Kongres, ka dërguar në Ukrainë më shumë se 27 miliardë dollarë në municione dhe ndihma humanitare. Por zoti McCarthy tha se republikanët nuk janë të gatshëm të financojnë një "çek bosh" të vazhdueshëm pa një analizë të mëtejshme se çfarë i nevojitet më shumë Ukrainës.

Ligjvënësit e tjerë republikanë kanë premtuar të nisin hetime për punën e administratës së Presidentit Biden gjatë dy viteve të para të mandatit të tij, në veçanti për fluksin e vazhdueshëm të mijëra emigrantëve pa dokumenta përgjatë kufirit jugor me Meksikën që Presidenti Biden, ashtu si ish-Presidenti Donald Trump, nuk ka mundur t'i ndalë.

Disa ligjvënës republikanë po bëjnë thirrje për seanca dëgjimore mbi aktivitetet e biznesit të kryera nga djali i presidentit, Hunter Biden, në Ukrainë dhe në Kinë. Prokurorët amerikanë tashmë kanë kryer një hetim mbi operacionet e biznesit të Hunter Biden-it, por nuk kanë ngritur asnjë akuzë.

Ndërkohë demokratët, që po përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi Kongresin, kanë akuzuar republikanët se planifikojnë të shkurtojnë programet popullore të kujdesit shëndetësor dhe pensioneve për amerikanët e moshuar nëse marrin kontrollin e Kongresit, apo se ato do t'i nënshtrohen rishikimeve të rregullta buxhetore çdo pesë vjet.

Si Presidenti Biden ashtu edhe ish-Presidenti Trump kanë bërë fushatë javët e fundit për kandidatët demokratë dhe republikanë. Ish-Presidenti Trump, i cili humbi në vitin 2020, ende pretendon pa evidencë për manipulime dhe parregullsi në numërimin e votave.

Ish-Presidenti Trump ka sinjalizuar gjatë tubimeve se do të njoftojë pak ditë pas votimeve të së martës rikandidimin sërish për president në vitin 2024, ndërkohë që Departamenti amerikan i Drejtësisë dhe prokuroria në shtetin Xhorxhia po bëjnë hetime të gjera penale për veprimet e tij gjatë zgjedhjeve, gjatë kohës përpara lënies së detyrës dhe në periudhën pas largimit.

Presidenti Biden gjithashtu ka thënë se synon të rikandidojë në zgjedhjet presidenciale pas dy vitesh, por nuk ka marrë një vendim përfundimtar.

Presidenti Biden i ka quajtur zgjedhjet e së martës një “pikë kulmore” në demokracinë amerikane, duke sulmuar kandidatët republikanë që “mohojnë zgjedhjet”, të cilët duke përqafuar refrenin e ish-Presidentit Trump, kanë refuzuar të pranojnë legjitimitetin e fitores së zotit Biden dy vite më parë.

Ndërkohë, ish-Presidenti Trump tha gjatë një tubimi në Florida të dielën se “na duhet një fitore aq e madhe, sa e majta radikale të mos mundet ta vjedhë”.

Të dyja partitë po planifikojnë monitorim të gjerë të votimeve për ndonjë parregullsi të mundshme, megjithëse evidenca aktuale për manipulime gjatë zgjedhjeve amerikane është mikroskopike.

Departamenti i Drejtësisë tha të hënën se do të monitorojë të martën zbatimin e ligjeve federale të së drejtës së votimit në 64 juridiksione dhe 24 shtete. Por në shtetin Misuri të kontrolluar nga republikanët, zyrtarët thanë se nuk do të lejojnë monitorime të tilla, megjithëse nuk është e qartë se si mund të bllokohen zyrtarët federalë.

Zyrtarët dhe kandidatët republikanë në të paktën tre shtete të rëndësishme për betejën elektorale thanë gjithashtu se po përpiqen të çkualifikojnë nga numërimi mijëra vota të ardhura me postë, të cilat shpesh janë në masë në mbështetje të demokratëve. Kritikët demokratë po e quajnë shpesh këtë një përpjekje partiake për të shtypur të drejtën e votës. Mosmarrëveshjet për këto vota po ndodhin në shtetet Pensilvani, Miçigan dhe Uiskonsin, ku Presidenti Biden fitoi me një rezultat të ngushtë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2020./VOA

SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë