Zgjedhjet europiane: Nervozitet në Berlin

Zgjedhjet europiane: Nervozitet në Berlin

Koalicioni i madh që qeveris Gjermaninë, ai midis kristiandemokratëve, kristiansocialëve dhe socialdemokratëve mund të humbasë shumë në zgjedhjet europiane që pritet të mbahen ditën e dielë. Vërtet që zgjedhjet janë për parlamentin europian, por rezultati i tyre "do të ndiqet me vëmendje në nivel kombëtar," thotë Ursula Münch, drejtoreshë e Akademisë për Formimin Politik në Tutzing. Ajo  mendon se CDU, CSU dhe SPD do të pësojnë rënie. Prandaj nervoziteti është i madh.

"Këta janë ata që do të humbasin"

Sidomos socialdemokratët rrezikohen të kenë rënie tjetër. SPD pati marrë në zgjedhjet e fundit europiane 27 përqind, kësaj here në sondazhe ata kanë nivel më të ulët. Përveç kësaj, për herë të parë që pas Luftës së Dytë Botërore, socialdemokratët nuk do të jenë më një nga dy partitë që marrin maksimumin e votave në zgjedhje që zhvillohen në nivel federate. Për SPD kjo do të ishte "dramë e pakrahasueshme", thotë Ursula Münch. Partia më e vjetër e Gjermanisë do të shihet me syrin "këta janë humbësit". Në parti do të shpërthejnë diskutimet e reja për personelin, drejtimin e partisë dhe pjesëmarrjen në Koalicionin e Madh.


/Manfred Weber dhe Frans Timmermans/

 

Münch nuk mendon se SPD do të largohet nga qeveria. "SPD mund të nervozohet vetë ose të shohë se si mund t'i ngrejë nervat CDU-së." Sepse edhe kristiandemokratët i ndjekin me shqetësim sondazhet. Disa prej tyre mendojnë se kursi konservator i shefes së re të CDU, dhe mbase pasardhëses së Merkelit, Annegret Kramp-Karrenbauer është i gabuar, kurse të tjerët mendojnë se qëndrimi i gjatë i Merkelit në postin e kancelares e dëmton partinë, prandaj bëjnë thirrje për ndryshime. E sigurt është se pas zgjedhjeve do të ketë ndryshime në disa poste ministrash.

Ndryshim i kancelares pa zgjedhje të reja?

Pasigurinë e CDU e treguan edhe fjalët që dolën javën e kaluar. Shumë vetë mendojnë madje se Merkel mund të shkojë në Bruksel dhe postin e saj mund ta marrë Kramp-Karrenbauer. Merkel i përgënjeshtroi menjëherë këto fjalë, por Ursula Münch mendon se as SPD nuk do të pranonte ndryshimin e parakohshëm të kancelares. Pra ajo që mbetet janë zgjedhjet e reja, për t'i dhënë fund erës së Merkelit? "Nëse CDU fillon të humbasë nervat," thotë Münch, atëherë do të ekzistonte edhe një mundësi tjetër. Në lojë do të futeshin Të Gjelbërit.

Këtë e konfirmon Ralf Fücks, drejtor i Qendrës për Modernen Liberale dhe ish-politikan i gjelbër. Në afrimin e Të gjelbërve me Aleancën liberale "Renaissance në Europë" të presidentit francez Macron, ai sheh një shanc që del nga "mënyra e moçme e të menduarit". Kjo krijon mundësi për të patur "alternativë kundrejt Koalicionit të Madh". Fücks mendon se si në Bruksel ashtu edhe në Berlin mund të ketë aleanca të Të Gjelbërve me liberalët dhe konservatorët ose socialdemokratët.

/Ursula Münch/
 

Fryma e kohës është e gjelbër

Presupozohet se Të Gjelbërit do të dalin shumë entuziastë nga zgjedhjet europiane, sepse për ta çdo gjë është duke ecur drejt triumfit. "Fryma e kohës i jep prioritet Të gjelbërve", thotë Fücks. Lëvizja "Fridays for Future" e ka kthyer klimën në temë të rëndësishme të politikës në Gjermani. Të gjitha partitë kanë folur kohët e fundit për ambientin, por vetëm Të Gjelbërve u besohet se edhe do ta bëjnë atë që thonë. Münch mendon se sfida për partinë ekologjike do të jetë "të mos triumfojë dhe aq shumë".

Por, çfarë do të bëjnë Të Gjelbërit në politikën e brendshme gjermane kur të marrin një rezultat të mirë në zgjedhjet europiane? Fücks beson se Të Gjelbërit do të marrin më shumë mbështetje për temat e tyre, të cilat duhet t'i fusin në axhendën politike. Por që vërtet të venë diçka në jetë, ata duhet të marrin pjesë në qeverisje. Sipas Ralf Fücks nuk mund ta imagjinojë që Të Gjelbërit "të kthehen në ndihmësa për të marrë shumicën në rast se do të ndryshohet kancelarja, pa zhvilluar zgjedhje të reja."

Faktikisht në zgjedhjet europiane, Të Gjelbërit mund ta dyfishojnë rezultatin e marrë në zgjedhjet e fundit gjermane më 2017, prej 8,9%, duke lënë mbase mbrapa edhe socialdemokratët. Por meqenëse të gjitha partitë e tjera do të kenë rezultate më të këqija se 2017, Ursula Münch thotë shkurt dhe saktë: "Të Gjelbërit janë të interesuar të ketë zgjedhje të reja, por asnjë nga partitë e tjera." As populistët e djathtë të Alternativa për Gjermaninë (AfD), që doli me fitim më 2017.

/Ralf Fücks/
 

AfD është njollosur shumë

Dy vjet më parë përfituesi i frymës së kohës ishte AfD. Politika ndaj refugjatëve e Angela Merkelit, diskutimet për terrorizmin dhe sigurinë e brendshme përcaktuan atmosferën politike. Tema e refugjatëve, që ka qenë temë kryesore e AfD, ka humbur rëndësinë në Gjermani për shkak të rënies së numrit të migrantëve. Po ashtu AfD ka probleme të tjera si afera e sponsorizimeve të partisë, afërsia me ekstremistët e djathtë, "partia thjesht është njollosur shumë", thotë politologia Münch. Kjo largon shumë zgjedhës.

Por zhvillimet e temave për AfD duhet të jenë mësim edhe për Të Gjelbërit, mendon Münch: "Pak kohë më parë ne nuk patëm menduar se tema e refugjatëve do binte kaq shumë." Ralf Fücks mendon se Të Gjelbërit duhet të kenë kujdes që pas zgjedhjeve të justifikojnë "kthimin e tyre historik në urë lidhëse" midis "lëvizjeve për klimën dhe institucioneve politike". Edhe pas zgjedhjeve është shumë e rëndësishme që brezi i ri të tregojë "aftësinë për të vepruar në demokraci parlamentare."

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Nëntor, 23:23

    A po japin rezultat protestat e PD-së?



×

Lajmi i fundit

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë

Champions League/ Man. City lëshon tre gola epërsi, barazohet për 15 minuta! Goleada nga Leverkusen, Arsenal e Atl. Madrid! Inter i falet autogolit, Milan, Bayern e Barça tri pikë