Zgjedhjet Holandë,gazetari Triest:Po
fitoi Wilders do nxjerrë vendin nga BE

Zgjedhjet Holandë,gazetari Triest:Po<br />fitoi Wilders do nxjerrë vendin nga BE
Nëse lideri i së djathtës ekstreme Geert Wilders fiton zgjedhjet në Holandë, ai do ta mbajë premtimin për nxjerrjen e vendit nga Bashkimi Evropian.
 
I këtij mendimi është gazetari Vincent Triest, i cili komentoi në një lidhje live nga Amsterdami zgjedhjet parlamentare që u mbajtën sot në Holandë.
 
Sipas Triest, premtimi i Wilders nuk është aspak thjesht për fushatë elektorale. Madje Triest argumenton se shumë prej holandezëve janë të pakënaqur me politikat e BE-së që i imponohen atyre.
 
“Holandezët janë të pakënaqur pasi nuk duan që burokratë në Bruksel të vendosin për jetët e tyre. Ata janë të pakënaqur për një sërë politikash, veçanërisht ato ekonomike që kanë lidhje me krizën. Holandezët thonë që s’kanë pse të paguajnë për borxhin e Greqisë”, tha Triest. 
 
Gazetari bëri një panoramë të procesit të votimit, që ka qenë mjaft i qetë, me ndonjë problem të vogël, siç ka qënë pjesëmarrja e lartë e votuesve, që në ndonjë bashki i ka gjetur autoritetet të papërgatitura sa i përket bazës materiale.
 
“Parashikohet që pjesëmarrja të jetë mbi 70%, pra më e lartë se në zgjedhjet e para katër viteve. Holandezët po marrin pjesë masivisht në këto zgjedhje dhe kjo është një shenjë e mirë për vendin”, tha Triest.
  
Zgjedhjet në Holandë janë të parat nga 3 procese të rëndësishme zgjedhore të këtij viti brenda Bashkimit Evropian, ku partitë populiste, që kanë marrë zemër nga Brexit dhe fitorja e Donald Trump në SHBA, po përpiqen të fitojnë terren.
 
Sipas sondazheve, partia e kryeministrit Mark Rutte parashikohet të fitojë 24-28 vende nga parlamenti me 150 deputetë. Rivali i tij, partia e ekstremit të djathtë e populistit Geert Wilders, pritet të marrë nga 19-23 mandate, ndërsa të tretët pritet të dalin kristian demokratët.
 
Cilido qoftë rezultati, këto zgjedhje nuk pritet të prodhojnë një fitues të qartë, çka sipas analistëve do të sjellë muaj të tërë negociatash komplekse për krijimin e qeverisë së re.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit

Gjiri i Gramës, Rama: Si gjithnjë po ai magnet i parezistueshëm i Jonit