/ATSH/.- Partia Republikane, përmes kryetarit Fatmir Mediu, shprehu sot mbështetjen për kandidaturën e Grida Dumës, të propozuar nga Partia Demokratike për bashkinë e Durrësit, ndërsa bëri të ditur arritjen e një marrëveshje me demokratët, për përfaqësim të përbashkët në 61 bashkitë.
Në një prononcim për mediat, Mediu konfirmoi se pas disa ditë negociatash intensive dy partitë kryesore të së djathtës, PD dhe PR, arritën marrëveshjen politike për zgjedhjet e 21 qershorit. Më herët republikanët kishin paralajmëruar se do të dilnin edhe të vetëm në zgjedhje në rast se nuk binin dakord për koalicionin, duke e kushtëzuar këtë me kandidimin e Agron Dukës në Durrës.
"Kemi disa ditë që jemi në diskutime intensive me PD-në, me z. Basha, PR-në dhe z. Duka. E rëndësishme është që e djathta të vendosë një figurë konkurruese në Durrës. Kemi pasur bindjen që zoti Duka do të ishte fitues. Ne do të mbështesim që të fitohet bashkia e Durrësit. Kandidatura e Dukës ka qenë e propozuar nga vetë PD, dhe mendoj se është një figurë absolute e së djathtës që do ta fitonte këtë bashki. Por, interesi i PD-së dhe PR-së është që të fitohet kjo bashki. Kandidimi i znj.Duma është me mirëkuptim, si me z. Duka dhe me strukturat e PD-së. Kemi një marrëveshje që e kemi konsideruar në parim për të mbështetur kandidatët", u shpreh Mediu per mediat.