Lideri i partisë GERB, Boyko Borisov, ka votuar këtë të diel në Bankya por ka dhënë një mesazh të fortë politik për atë që pritet pas zgjedhjeve.

“Për mendimin tim, nuk ka asnjë shans të formohet një qeveri pas zgjedhjeve”, deklaroi ai, duke theksuar se nuk sheh me kë mund të krijojë koalicion.

Borisov u shpreh i prerë se nuk do të bashkëpunojë me modelin që, sipas tij, përfaqësohet nga Radev dhe Koprinkov, ndërsa shtoi se partia e tij i ka bërë tashmë të gjitha kompromiset e mundshme në të kaluarën.

Ai ngriti akuza edhe për procesin zgjedhor, duke folur për dështime masive të makinave të votimit në disa zona.

“Një kompani private, me teknikë privatë dhe kaçavida në dorë, po ndërhyn te makinat. Ky është fakt”, tha Borisov, duke shtuar se paralajmërimet për probleme të tilla ishin dhënë më herët.

Sipas tij, ka edhe tentativa për manipulim të votës, duke pretenduar se janë gjetur fletë votimi të komprometuara në Dobrich dhe Shumen.

Në fund, Borisov theksoi se GERB mbetet fort në linjën pro-evropiane, duke e lidhur të ardhmen e Bullgarisë me një Evropë të fortë.


Lajmi kryesor:

Zgjedhjet parlamentare në Bullgari, 181 denoncime për manipulim votash, 3 të arrestuar! Ish-presidenti pro-rus Radev flet për ndryshim, rivali Borisov paralajmëron krizë