Zgjedhjet parlamentare në Izrael janë mbyllur pa një fitues të qartë, sipas sondazheve të para në dalje të votuesve. Partia Likud e kryeministrit Benjamin Netanyahu del forca më e madhe politike, por blloku opozitar i drejtuar nga Gadi Eisenkot siguron më shumë mandate se aleatët e kryeministrit.
Sipas televizionit publik izraelit Kan, Likudi pritet të marrë 25 nga 120 vendet e parlamentit, ndërsa partia Yashar e Eisenkotit 21. Megjithatë, kur llogariten të gjitha partitë aleate, blloku i Eisenkotit arrin në 53 mandate, kundrejt 50 të kampit të Netanyahut.
Asnjëri prej tyre nuk siguron shumicën prej 61 mandatesh të nevojshme për të formuar qeverinë.
Një nga zhvillimet që bie në sy është rezultati i partive arabe. Sipas sondazhit të Kan, ato sigurojnë së bashku 17 mandate, nga të cilat 10 për Listën e Bashkuar dhe 7 për Ra'am. Këto parti janë kundër Netanyahut, por nuk bëjnë pjesë në bllokun opozitar të drejtuar nga Eisenkot.
Pas publikimit të sondazheve, Eisenkot deklaroi se rezultatet tregojnë mungesë besimi ndaj kryeministrit dhe premtoi të punojë për ndryshimin e qeverisë.
“Sondazhet në dalje tregojnë një mungesë të plotë besimi ndaj Netanyahut. Do të veproj menjëherë për të zbatuar vendimin e popullit dhe për të zëvendësuar qeverinë e Netanyahut”, tha ai.
Rezultati i Likudit përbën një ndryshim nga sondazhet e muajve të fundit, të cilat e nxirrnin partinë e Netanyahut pas Yasharit. Megjithatë, kjo epërsi nuk i siguron kryeministrit shumicën parlamentare.
Sipas projeksioneve të Kan, partia e ish-kryeministrit Naftali Bennett pritet të marrë 14 mandate, ndërsa Demokratët e majtë 10 dhe partia e Avigdor Liebermanit 8. Partia e ekstremit të djathtë e Itamar Ben Gvirit parashikohet të sigurojë 7 mandate, ndërsa partitë ultraortodokse Shas dhe Judaizmi i Bashkuar i Torës, si dhe Sionizmi Fetar i Bezalel Smotrichit, nga 6 secila.
Tashmë vëmendja zhvendoset te negociatat për formimin e qeverisë. Presidenti izraelit Isaac Herzog do të duhet të vendosë se kujt do t'ia besojë këtë detyrë, pasi të dëgjojë rekomandimet e partive që hyjnë në parlament.
Nëse asnjëri kamp nuk arrin të krijojë shumicën, Izraeli mund të përballet me një tjetër ngërç politik. Një situatë e ngjashme ndodhi mes viteve 2019 dhe 2022, kur vendi zhvilloi pesë palë zgjedhje parlamentare.

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Izrael ka arritur në 74,3%, duke kaluar shifrën përfundimtare të vitit 2022, kur votuan 70,6% e qytetarëve. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 20:00 me orën lokale kishin votuar mbi 5,4 milionë izraelitë, rreth 655 mijë më shumë se në të gjithë zgjedhjet e mëparshme.
Ndërkohë, Komisioni Zgjedhor ka refuzuar kërkesën e partisë Likud të Benjamin Netanyahut për zgjatjen e votimit. Qendrat do të mbyllen sipas planit, në orën 21:00 me orën shqiptare. Qytetarët që mbërrijnë përpara mbylljes do të lejohen të votojnë.
Televizioni izraelit N12 raporton se njerëzit pranë Netanyahut po përgatisin një deklaratë për shpalljen e fitores nëse Likudi siguron më shumë mandate se çdo parti tjetër, edhe në rast se partitë e kampit të Gadi Eisenkotit marrin së bashku më shumë vende në parlament.
Në këtë rast, të dy rivalët pritet të kërkojnë të drejtën për formimin e qeverisë. Vendimin e merr presidenti izraelit Isaac Herzog, pasi dëgjon rekomandimet e partive parlamentare dhe vlerëson se kush ka më shumë mundësi të krijojë shumicën.
Pjesëmarrja e ushtarëve izraelitë në zgjedhjet parlamentare ka arritur në 68%, nga 65% që ishte në të njëjtën orë në zgjedhjet e mëparshme.
Sipas Komisionit Zgjedhor, deri në orën 17:00 kishin votuar 68% e ushtarëve izraelitë, tre pikë përqindjeje më shumë krahasuar me zgjedhjet e mëparshme.
Në një bazë ushtarake në veri të Izraelit, ushtarët kanë raportuar pritje mbi dy orë për të votuar. Për këtë arsye, autoritetet kanë hapur një qendër shtesë votimi.
Në bazat e ushtrisë izraelite janë ngritur mbi 850 qendra të përhershme votimi, si dhe qendra të lëvizshme për ushtarët që ndodhen në terren.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe aleati i tij, ministri i Financave Bezalel Smotrich, kanë mbledhur dhjetëra drejtues vendorë për të nxitur pjesëmarrjen e votuesve të djathtë në orët e fundit të zgjedhjeve parlamentare.
Netanyahu dhe Smotrich u kanë kërkuar kryebashkiakëve dhe drejtuesve të këshillave vendorë të mobilizojnë qytetarët për të votuar. Sipas medias izraelite “Arutz Sheva”, gjatë takimit ata kanë paralajmëruar se kampi i djathtë mund t'i humbasë zgjedhjet.
Ndërkohë, Netanyahu ka publikuar disa mesazhe në rrjetet sociale, duke u bërë thirrje izraelitëve të votojnë për partinë e tij, Likud.
“Kanë mbetur katër orë për të shpëtuar Izraelin. Duhet të shkoni të votoni për Likudin, është çështje jete a vdekjeje”, shkroi kryeministri.
Në një tjetër mesazh, duke treguar nga telefoni pamje të arabëve izraelitë, ai deklaroi: “Në zonën time zgjedhore tashmë po festojnë. Duhet t'i ndalim, shkoni të votoni menjëherë”.

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu dhe një përfaqësues ultraortodoks kanë kërkuar që votimi në zgjedhjet parlamentare të zgjatet përtej orës 22:00, por kërkesa ka hasur në kundërshtimin e rivalit të tij kryesor, Gadi Eisenkot. Kjo ndodh në një kohë kur pjesëmarrja në disa prej zonave që tradicionalisht mbështesin Netanyahun është më e ulët se mesatarja kombëtare.
Sipas të dhënave të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri në orën 16:00 me orën lokale, pjesëmarrja në nivel kombëtar kishte arritur në 55,7%, ndërsa në disa qytete që konsiderohen bastione të partisë Likud të Netanyahut shifrat ishin më të ulëta.
Në Afula kishin votuar 51% e zgjedhësve, në Ashkelon 49%, në Migdal HaEmek 50%, në Bat Yam 40%, në Tiberias 47% dhe në Holon 49%.
Ndërkohë, përplasja mes Netanyahut dhe Eisenkotit ka vijuar edhe përmes deklaratave publike. Kryeministri, gjatë një interviste për radion Kol Barama, tha se Izraeli ndodhet “në prag të rrënimit”, ndërsa Eisenkot e akuzoi se po përpiqet të përhapë panik për të nxitur mbështetësit e tij të votojnë.

Votuesit arabë mund të luajnë një rol vendimtar në zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen sot në Izrael, ku gara mes kryeministrit Benjamin Netanyahu dhe rivalit të tij kryesor, Gadi Eisenkot, mbetet e ngushtë. Sipas parashikimeve të sondazhistëve të raportuara nga CNN, pjesëmarrja e qytetarëve arabë mund të arrijë në 70%, nga pak më shumë se 50% që ishte në zgjedhjet e vitit 2022.
Kjo rritje e mundshme e pjesëmarrjes merr rëndësi të veçantë pasi as Netanyahu dhe as Eisenkot nuk duket se kanë një rrugë të qartë për të siguruar shumicën e nevojshme parlamentare për formimin e qeverisë së ardhshme.
Në këto kushte, dy partitë kryesore me shumicë arabe, Ra'am e Mansour Abbasit dhe Lista e Përbashkët e Yousef Jabareenit, mund të kenë një rol vendimtar në krijimin e shumicës.
Megjithëse partitë kryesore izraelite kanë përjashtuar një bashkëpunim të drejtpërdrejtë me to, sipas CNN, partitë arabe mund ta mbështesin Eisenkotin nga jashtë koalicionit, duke i siguruar numrat e nevojshëm për të formuar qeverinë.
Në fillim të këtij muaji, drejtuesi i Listës së Përbashkët, Yousef Jabareen, deklaroi se partia e tij ishte e gatshme të shërbente si një “rrjet sigurie” për të larguar Netanyahun nga pushteti.
Ndërkohë, pasi votoi sot, drejtuesi i partisë Ra'am, Mansour Abbas, u bëri thirrje qytetarëve arabë të ushtrojnë të drejtën e votës.
“Kjo është thelbësore për të ndryshuar situatën tonë dhe për të përballuar problemet me të cilat ndeshemi si komunitet arab, si dhuna, kriminaliteti, shembja e banesave, gjobat, racizmi dhe nxitja e urrejtjes. Vota është një mjet i rëndësishëm për të ndryshuar situatën politike. Një qeveri që ka ardhur në pushtet përmes votës mund të largohet po përmes votës”, deklaroi Abbas.

Gadi Eisenkot, rivali kryesor i kryeministrit Benjamin Netanyahu në zgjedhjet parlamentare që po zhvillohen sot në Izrael, ka vizituar varrin e djalit të tij përpara se të votonte, duke premtuar se do ta bashkojë vendin dhe do t'i fitojë luftërat.
Drejtuesi i partisë së djathtë Yashar dhe ish-shefi i ushtrisë izraelite shkoi në varrezat ushtarake të Herzliyas, ku prehet djali i tij, Gal, i vrarë në luftime më 7 dhjetor 2023.
Eisenkot vizitoi gjithashtu dy zona në jug të Izraelit, të goditura gjatë sulmeve të Hamasit më 7 tetor 2023. Në një mesazh të publikuar në rrjetin social X, ai kujtoi nisjen e operacionit tokësor izraelit në Gaza, tre vjet më parë, si dhe ushtarët që humbën jetën apo u kthyen të plagosur nga lufta.
“Përpara se të votoja sot, shkova te varri i djalit tim të dashur, Gal. E kujtoj mirë atë moment, mendimin dhe vendimin e rëndë për forcat tona që niseshin drejt një misioni të rëndësishëm dhe të drejtë, duke e ditur se shumë prej tyre nuk do të ktheheshin. Shumë të tjerë do të ktheheshin ndryshe, të plagosur në trup dhe në shpirt. Ndryshimi që do t'i sjellim sot popullit të Izraelit është i nevojshëm, vendimtar dhe historik. Ndryshimi duhet të ndodhë. Vetëm me të dhe me besimin tuaj do ta kthejmë Izraelin në drejtimin e duhur. Ndiej peshën e përgjegjësisë së madhe që kemi, për të qenë të denjë për ata që ranë, për sakrificën e tyre dhe jetën që lanë pas, si dhe për shtetin që u premtojmë vetes dhe brezave të ardhshëm. Angazhohem ta bashkoj sërish Izraelin, t'i fitoj luftërat dhe t'i garantoj siguri këtij populli të jashtëzakonshëm. Ky është misioni i jetës sime”, deklaroi Eisenkot.
Ish-shefi i ushtrisë izraelite ka qenë pjesë e kabinetit të luftës nga 12 tetori 2023 deri në qershor 2024.
.jpeg)
Monedha izraelite, shekeli, është forcuar me mbi 1,2% ndaj dollarit amerikan, në një kohë kur Izraeli po regjistron pjesëmarrje rekord në zgjedhjet parlamentare. Një dollar po këmbehet me 3,0419 shekelë, niveli më i lartë i monedhës izraelite që prej 6 tetorit, pra në tre javët e fundit.

Pjesëmarrja në zgjedhjet parlamentare në Izrael ka arritur në 55,7% deri në orën 16:00 me orën lokale, duke shënuar një rekord për 50 vitet e fundit. Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në të njëjtën orë në zgjedhjet e vitit 2022 kishin votuar 47,5% e qytetarëve. Të dhënat e reja konfirmojnë pjesëmarrjen rekord në votimet për parlamentin izraelit, Knesset.








Komente
Komento