Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Kosovë ka aprovuar kalendarin dhe buxhetin për zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit,  të tretat brenda 16 muajsh,.duke përcaktuar edhe një fushatë zgjedhore të shkurtër, që zgjat vetëm 10 ditë.

Vendimi u mor në mbledhjen e së premtes, ku u bë e ditur se për organizimin e zgjedhjeve janë ndarë rreth 10 milionë e 800 mijë euro. Fushata zgjedhore do të nisë më 28 maj dhe do të zgjasë 10 ditë e 7 orë, deri në përfundim të saj një ditë para votimit.

Sa i përket procedurave, aplikimet për certifikimin e partive politike dhe iniciativave qytetare do të pranohen nga 2 deri më 10 maj. Ndërsa subjektet e certifikuara do të dorëzojnë listat e kandidatëve nga 2 deri më 12 maj. Më 16 maj do të hidhet shorti për renditjen e partive në fletëvotim, ndërsa deri më 8 maj pritet të emërohen anëtarët e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.

Lista e qendrave të votimit do të publikohet më 5 maj. Për votuesit jashtë Kosovës, regjistrimi do të bëhet nga 6 deri më 17 maj, ndërsa votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor. Votimi në përfaqësitë diplomatike është paraparë të mbahet më 6 qershor, nga ora 07:00 deri në 19:00.

Brenda vendit, qytetarët do të kenë kohë nga 6 deri më 18 maj për të kundërshtuar apo korrigjuar listën e votuesve.

Zgjedhjet e reja janë rezultat i një bllokade politike që kulmoi më 28 prill, vetëm katër muaj pas zgjedhjeve të 28 dhjetorit, kur deputetët dështuan të zgjedhin presidentin, duke aktivizuar automatikisht afatin kushtetues që e çon vendin në zgjedhje brenda 45 ditësh.

Lëvizja Vetëvendosje akuzoi opozitën për bojkotim të qëllimshëm të seancave, ndërsa partitë opozitare fajësuan pushtetin për mungesë bashkëpunimi dhe për përpjekje për përqendrim të pushtetit në një dorë të vetme.