TIRANË- Ditën e dielë në Kukës do të mbahen zgjedhjet për kryetarin e ri të Bashkisë. Teksa një natë më parë Partia Socialiste mbylli fushatën elektorale, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja u përfshi në një debat me opozitën në Kuvend. Manja u tha se Partia Socialiste do të korrë sërish fitoren, ndërsa shigjetoi edhe kandidatin e Bashkë Fitojmë, Emri Vata duke thënë se ai ka votuar për Pandeli Majkon në Tiranë.
Teksa akuzoi Partinë Demokratike se nuk ka bërë asnjë investim gjatë kohës që qeveriste, ministri njoftoi se qeveria është në diskutim e sipër me Emiratet e Bashkuara Arabe, ku i është paraqitur një master plan për financimin e turizmit malor në Shishtavec.
“Shumë shpejt qeveria shqiptare ka paraqitur një master plan për zhvillimin e turizmit malor për Shishtavecin, që është në diskutim e sipër për të financuar Emiratet e Bashkuara Arabe. Do jetë në majën dhe elitën e turizmit malor në rajon”, tha Manja.
Manja madje i kërkoi opozitës që të hënën mos të dalin me refrenin e tyre se zgjedhjet u blenë.
“Ju keni çuar një kandidat që u premton kuksianëve që do ndalojë shpopullimin. Do rikthejë kuksianët nga Tirana. Kukësi ka ardhur koha të ketë një kryetar bashkie që e ka nda mendjen me jetuar e me banuar në Kukës. Albert Halili e ndje me zemër Kukësin. Është një prind model i Kukësit, e do Kukësin sepse e ka nda mendjen me jetuar në Kukës. Kandidati që keni çuar ju ka votuar për Pandin në Tiranë. Priteni të dielën me qetësi, uroj që të hënën mos të thonë na i vodhën votat në Kukës, se ju e keni refren këtë”, tha Manja në kuvend.
Nga ana tjetër Sali Berisha dhe Flamur Noka e akuzuan si kriminel elektoral që vjedhin votat në çdo palë zgjedhje.
"Ai është një kriminel i mirëfilltë elektoral. Ai është një kriminel i damkosur elektoral. Ngrihet këtu dhe bën propagandë elektorale njëlloj sikur të ishte Shukriu apo Safeti. Ai ka dosjen e vet”, tha Berisha.
“Shtetarët dhe politikanët diferencohen, shtetarët mendojnë për brezat e ardhshëm. Pa më thuaj Ulsi keni menduar, ka ndonjë shtetar qeveria juaj, që keni menduar për ndonjë gjë. Për ta shpopulluar po. Po për brezat e ardhshëm këtu nuk ka asgjë, s’ka asnjë shenjë në horizont, vidhni një palë zgjedhje, vidhni 4 vjet, për të ardhur dita për të vjedhur prapë zgjedhjet. E nise me Shukriun ti Ulsi, ideator i skemës së vjedhjes së votave dhe ja ku jemi sot, ti dhe sulltani jot se njihni votën e lirë”, tha Noka.
Janë në total 45828 qytetarë me të drejtë vote, që të dielën i drejtohen kutive të votimit për të zgjedhur kryebashkiakun e Kukësit. Ata do të kenë vetëm një fletë votimi, ku do të jenë të renditur dy kandidatët e vetëm në garë. Numrin 1 e mban Albert Halilaj i socialistëve, ndërsa numrin 2 Emri Vata i koalicionit “Bashkë fitojmë”. Zgjedhjet në Kukës zhvillohen pas skandalit që përfshiu ish kryebashkiakun Safet Gjici, vetëm disa javë pasi fitoi zgjedhjet e 14 majit. Aktualisht Gjici ndodhet në burg.
Zgjedhjet në Kukës që do të mbahen të dielën, kanë sjellë debate në Kuvend mes Falmur Nokës dhe ministrit Ulsi Manja. Teksa lajmëroi që qeveria është në diskutime me Emiratet e Bashkuara arabe për financimin e turizmit malor në Shishtavec, Manja tha se qytetarët e Kukësit do votojnë PS se Flamur Noka vite më parë e ktheu në një bajrak privat. Ministri tha se PD s’ka bërë asnjë investim në Kukës gjatë kohës që qeveriste.
“Zgjedhjet e ditës së dielë janë të lira dhe demokratike. dëgjo me vëmendje flamur pse Kukësi duhet të na japë votën ne. Se të kanë provuar ty kaq shumë në Kukës sa kur ishe atje e ktheve në bajrak privat dhe e latë në mëshirë pa asnjë investim dhe filluar shpopullimin. Pse të na e japin ne? Se u ke ardhur t’i në majë të hundës mor Flamur. Investimet tona në Kukës nga dita që kemi ardhur në qeverisje, janë 10-fish më shumë se sa keni bërë ju. Shumë shpejt qeveria shqiptare ka paraqitur një master plan për zhvillimin e turizmit malor për Shishtavecin, që është në diskutim e sipër për t’u financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Do jetë në majën dhe elitën e turizmit malor në rajon. Saliu dhe ti, kush ju mund në beteja elektorale ju e quani kriminel elektoral”, tha Manja.
Në replikën e tij, Noka ironizoi ministrin duke thënë se kanë hapur vende pune në Angli, në kuptimin që s’kanë bërë investime.
“Edhe je për të qesh edhe për të qarë. Rrugën e kombit kush e bëri dhe kush e taksoi. Rrugën nga Kukësi në Has dhe Tropojë e Gjakove, kush e bëri, sulltani jot apo qeveria e Berishës. Rrugën nga Kukësi në Shishtavec qeveria jote apo e Berishës. Më thuaj ti një shkollë që ke ndërtuar ti në Kukës një ujësjellës, një kanalizim që ka ndërtuar qeveria jote. Kujton ti se kuksianët do hanë fasada me bojë. Më thuaj një vend pune që ke krijuar? U ke krijuar vende pune në Angli. Jeni hajdutë”, tha Noka.