MOSKE- Sergei Sobyanin rikonfirmohet kryebashkiaku i Moskës duke fituar zgjedhet që u zhvilluan dje ndaj liderit të opozitës ruse Alexei Navalny.
 
Pas përfundimit të procesit të numërimit të votave, Sobyanin i besuari i Presidentit Putin, ka arritur të fitojë duke siguruar 51.3 % të votave kundrejt 27.3% që ka mundur të marrë kritikuesi Kremlinit Navalny.
 
Qytetarëve të Moskës iu rikthye e drejta për të votuar pas 10 vjetësh, por deri tani nuk janë publikuar të dhënat për pjesëmarrjen edhe pse ajo duket se ka qenë e vogël.
 
Rezultatet e arritura kanë qënë thuajsë të njëjta me ato të Exit-Polleve të nxjerra pas përfundimit të votimeve të cilat e nxirrnin Sobyanin me 53%, ndërsa kandidatin anti-Putin nga 29 deri në 32%.
 
Navalny 37-vjeçar, kritikues i ashpër i Kremlinit dhe promotor i fushatave kundër korrupsionit, ka kontesuar rezultatet.
“Ka dy orë që janë mbyllur qendrat e votimit dhe nuk janë publikuar rezultatet për sa i përket pjesëmarrjes, pavarësisht se bëhet fjalë për një proces votimi shumë të thjeshtë me vetëm një skedë. Ne besojmë se kjo që po ndodh është fallsifikim”, ka thënë Navalny.
 
Presidenti Putin ishte shprehur i sigurt për kandidatin e tij, ndërsa gjatë një interviste në vigjilje të G20 kishte akuzuar Navalnyn se kishte probleme me drejtësinë.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)