TIRANE- Basha vijon t’i qëndrojë në kokë zgjedhjeve brenda strukturave të Partisë Demokratike. Ditën e djeshme Basha ka shkuar në Tropojë dhe më pas në Librazhd dhe Peqin ku ka marrë pjesë në përzgjedhjen e kandidatëve të rijë të demokratëve. Në takimin e zhvilluar në Tropojë, Basha ishte i shoqëruar nga Agron Kuliçaj, ish-truproja e Berishës dhe nga deputeti i zonës Besnik Dushaj. Në fjalën e tij përpara demokratëve të Tropojës, kreu i PD-së theksoi se përzgjedhja e kryetarëve të rinj të partisë do të bëhet nëpërmjet votimeve nga anëtarësia dhe jo të komanduara nga vetë kryetari.

“PD ka vendosur në themel të organizimit të saj, në themel të sistemit të saj të karrierës dhe të promovimit të vlerave, një parim të shenjtë që është vota e lirë e anëtarëve të PD. Se vetëm me votë të lirë, sot e nga mot, do ta bëjmë PD-në më të madhe, më të fortë, më të bashkuar më tërheqëse për rininë, më të sigurtë në rrugën e saj të fitores si alternativa e pushtetit të së djathtës dhe qendrës në Shqipëri”, tha Basha.