Për herë të parë pas 70 vitesh komuna, tradicionalisht shqiptare, Kërçovë do të drejtohet nga shqiptarët. Fatmir Dehari ka fituar përballë kandidatit të partive maqedonase.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar në Çair të Shkupit, në Dibër të Madhe, në Saraj të Shkupit dhe me ndihmën e mijëra emigrantëve nga shumë vende të botës edhe komunën e Kërçovës, si dhe disa komuna rurale.
Mendohet se do të ketë një raund të dytë të zgjedhjeve në shumë komuna. Procesi ka kaluar i qetë, ndërsa janë shënuar disa parregullsi, të cilat, sipas autoriteteve të vendit dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, nuk pritet të ndikojnë në rezultatin e zgjedhjeve.
Sipas zyrtarëve në Maqedoni në procesin zgjedhor për zgjedhjet lokale, kanë marr pjesë 57 përqind e popullatës apo 1.7 milion e votueseve.
Në Tetovë, do të shkojnë në balotazh Teuta Arifi e BDI-së dhe Sadi Bexheti i PDSH-së. Në Gostivar Rufi Osmani i RDK dhe Nevzat Bejta i BDI-së.
Ndërkohë në Strugë do të ketë balotazh midis kandidatit të Partisë Demokratike Shqiptare dhe kandidatit maqedonas të mbështetur nga të gjitha partitë maqedonase.
NE KERCOVE FITOJNE SHQIPARET PERBALLE MAQEDONASVE
Sipas rezultateve të para preliminare, kandidati shqiptar i BDI-së, Fatmir Dehari i përkrahur nga të gjitha partitë shqiptare ka fituar me një epërsi prej mbi 1400 votave.
Fitorja e Deharit erdhi dhe nga një numër i madh shqiptarësh nga diaspora të cilët megjithë peripecitë e krijuara nga maqedonasit, për të mos i lejuar, shkuan dje në Kërçovë për të votuar për përfaqësuesin e tyre.
Fitoren në Kërçovë ia ka uruar edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti. Duke theksuar se Kërçova është fituar dhe ai ftoi qytetarët që të festojnë për fitoren, por duke u treguar të përmbajtur.
Edhe zëvendës – kryeministri Musa Xhaferri ka konfirmuar nga shtabi i BDI-së në Kërçovë për fitoren dhe se ai me këtë rast ka uruar të gjithë qytetarët që kanë dhënë votën për BDI. Ai me këtë rast theksoi se pikërisht kanë mërgimtarët që kanë sjellë fitoren për Kërçovën.
ZGJEDHJET U FITUAN NGA PARTITE NE PUSHTET VMRO- DPMNE dhe BDI
Zgjedhjet vendore të cilat u mbajtën dje në Maqedoni duket se i fituan partitë e pushtetit, VMRO-DPMNE-ja dhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Partia VMRO-DPMNE e kryeministrit Nikolla Gruevski ka fituar 54 komuna, ndërsa Lidhja Social Demokrate e opozitës maqedonase shtatë. Raundi i dytë për ato komuna ku nuk pati fitore do të mbahet pas dy javësh, informon VOA.
Vëzhguesit ndërkombëtarë kanë bërë vlerësime pozitive për procesin e zgjedhjeve vendore në Maqedoni. 420 ishte numri i pjesëtarëve të misioneve diplomatike, të OSBE-së dhe ODIHR-it, ndërsa shumë herë më i madh numri i vëzhguesve vendas.
Autoritetet e vendit theksojnë se kjo është hera e parë kur në një proces zgjedhor nuk shënohen incidente fizike as dhunë.
(sg/shqiptarja.com)