Partia Demokratike e quan farsë zgjedhore procesin për zgjedhjen e kryesisë së komunitetit më të rëndësishëm shkencor në vend. Sipas PD,  ajo që po ndodh me Akademinë e Shkencave të Shqipërisë është e pafalshme dhe e papranueshme. PD vëren se një pjesë e kryesisë së këtij institucioni, në shkelje të plotë të statutit të Akademisë, po vepron në mënyrën më sovjetike dhe staliniste të mundshme, për ti imponuar komunitetit shkencor të Shqipërisë, vendosjen e vasalëve të pushtetit në Olimpin e shkencave shqiptare.

"Kemi të bëjmë me as më shumë dhe as më pak me një tentativë për uzurpimin e çdo hapësire për vendim-marrje demokratike në institucionin që duhet të rrezatonte dije dhe demokraci për të gjithë Shqipërinë. Përdorimi i metodave staliniste të votimit, trajtimi i personaliteteve më të larta të shkencës shqiptare sikur të jenë një tufëz bagëtish, është një atentat i tmerrshëm që i bëhet dinjitetit të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë", thuhet në deklaratën e PD.
 
PD i kërkon  Kontrollit të Lartë të Shtetit të nisë procedurën për verifikimin e kritereve statutore për kryesimin e Akademisë së Shkencave.
 
"I bëjmë thirrje të gjithë komunitetit akademik, të gjithë mendimit intelektual dhe qytetar të mbështesë të gjithë zërat e lirë që kërkojnë të ruajnë lirinë dhe pavarësinë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
 
Larg përdorimit të kësaj kauze për çfarëdolloj përfitimi politik, u bëj thirrje qytetarëve të lirë të këtij vendi të mos pranojnë përjetësimin e stalinizmit, diktaturës dhe klientelizmit në institucionin më të lartë shqiptar të shkencës.
 
Ju sigurojmë se çdo vendimmarrje e padrejtë, antistatutore dhe e jashtëligjshme që synon kontrollin antidemokratik të Akademisë së Shkencave do të marrë nga Partia Demokratike përgjigjen e duhur në mënyrën e duhur
".​

Redaksia Online
Shqiptarja.com