Sa i përket zgjedhjeve lokale për Kolonjën, kreu i LSI, Ilir Meta u shpreh sot se nuk do të dalë me kandidat më vete, por do ia lejë në dorë koalicionit të zgjedhë. Sipas Metës, këto zgjedhje ishin të paparashikuara, duke i cilësuar si aksidentale.

“Për ne, aq më tepër për mua personalisht kjo nuk ka rëndësi. Kjo ka qenë një humbje e parakohshme dhe e pamerituar, kështu që nuk kam as në mend të merrem me kandidatët apo kandidatet për këtë çështje, por do të ndjek edhe unë dhe kolegët e tjerë disa nga projektet që ai i nisi me shumë përkushtim e dashuri për Kolonjën. Jam i  bindur se koalicioni do të gjejë kandidatë sa më të mirë, por unë e kam të vështirë të gjej kandidatë në nivelin e tij. Dhe këto janë zgjedhje lokale të një lloji, aksidental”, u shpreh Meta. 

Bashkia e Kolonjës do të shkojë në zgjedhje të parakohshme, pasi ish-kryetari i bashkisë, Arben Malo, përfaqësues i Lëvizjes Socialiste për Integrim, u nda nga jeta javën e kaluar në moshën 46 vjeçare, pas një ataku kardiak. 

Kolonja bëhet kështu bashkia e dytë, qytetarët e së cilës thirren sërish në votime pas asaj të Dibrës, ku ish-kryebashkiaku Shukri Xhelili, u përfshi në një videoskandal, duke kërkuar favore seksuale në këmbim të vendit të punës. 

(d.b/Shqiptarja.com)