SHKUP- Një ditë para zgjedhjeve presidenciale në Maqedoni situata nuk paraqitet e qetë. Edhe pse është heshtje zgjedhore, ka pasur përplasje për votuesit fiktivë. KSHZ miratoi vendimin e gjykatës administrative për përfshirjen e 112 votuesve të regjistruar në Tiranë në listën zgjedhore për zgjedhjet parlamentare. Anëtarët që më herët kishin votuar kundër këtij vendimi përsëritën qëndrimin se personat në fjalë nuk duhet të jenë në listën zgjedhore pasi votuesi mund të ketë vetëm një adresë banimi.
 
“Ata persona që u paraqitën që të votojnë në diasporë nuk i plotësojnë kushtet por vendimi i gjykatës është e tillë dhe do ta respektoj por kjo nuk do të thotë se do të ndryshoj mendim”, tha Violeta Duma, anëtare e KSHZ.
 
Ndërsa kryetari i KSHZ, Nikolla Rillkoski tha se “Këta qytetarë janë manipuluar nga pushteti, ajo i përdor si karrige. Vitin e kaluar i duheshin për zgjedhjet lokale dhe ja në Qendër, në Kërçovë, në Resnjë dhe Strugë tani ju duhen në diasporë në Tiranë dhe karrigen nga Maqedonia e transferojmë në Tiranë. Janë të manipuluar dhe janë manipulant, e dimë për çfarë çmimi ata e bëjnë këtë, mua më vjen keq janë të manipuluar por e vërteta është kjo”.
 
Anëtarët tjerë u shprehën të pakënaqur për diskutimin e sotëm rreth parashtresave të reja për votues që janë regjistruar në të dyja listat zgjedhore, në vend dhe në diasporë, në ditën e heshtjes zgjedhore. Ata e cilësuan seancën si tentim për pikë politike dhe hedhje të njollës së zezë ndaj procesit zgjedhor.
 
Po kështu, u hodhën poshtë parashtresat e partive politike për 657 votues që janë regjistruar për votim edhe në listën zgjedhore në vend dhe në Tiranë.
 
Ndërsa ministrja e Brendshme Gordana Jankullovska nuk i cilëson të jashtëlidhshme adresat fiktive të një numri të madh votuesit, të cilat i kishte denoncuar organizata “Civil”. Këto adresa rezultuan të jenë inekzistente, dhe të dhëna në vitet e ’90, dhe kjo është arsye e mjaftueshme që ministrja e brendshme Jankullovska të mos ndjehet përgjegjëse që ata vazhdojnë të figurojnë me adresa të rreme edhe në vitin 2014.
 
“Është evidente se bëhet fjalë për gjendje që LSDM-ja e kanë përdorur për qëllime që i dinë vetëm ata, viteve të 90-ta kur kanë qenë në pushtet. Por nuk pati sukses tentativa e tyre që këtë gjendje ta vënë në funksion të diskreditimit të këtyre zgjedhjeve, sepse qartë nuk bëhet fjalë për diçka të jashtëligjshme”, tha Gordana Jankullovska, Ministre e Brendshme.
 
‘Civil’ kishte denoncuar 54 votues të regjistrues në banesën nr 25 në ndërtesë me vetëm 17 banesa, dhe raste të ngjashme të adresave fiktive. Nga ana tjetër Ministrja e Brendshme Jankullovska nuk e tha asnjë fjalë për banorët e Pustecit të cilët në zgjedhjet lokale votuan në Komunën Qendër, për shkak të letërnjoftimeve me adresë në këtë komunë, ndërsa në këto zgjedhje janë paraqitur të votojnë në diasporë. Alsat M në bazë të informatave të siguruara, gjatë ditës së djeshme inspektoi disa nga këto adresa. Pamjet që xhiroi ekipi ynë treguan qartë se bëhet fjalë për banesë të pabanueshme dhe të shkatërruar, edhe pse në të janë regjistruar 8 votues nga Pusteci, me 5 mbiemra të ndryshëm.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)