Zgjedhjet Presidenciale në Moldavi
monitorim dhe nga Vëzhguesit Vendorë

Moldavia zgjedh nesër, e diel 30 Tetor, Presidentin e ri të vendit, ku në garë janë nëntë kandidatë. Ky proces do të monitorohet në tërësinë e tij nga 
3094 vëzhgues vendas dhe 504 vëzhgues ndërkombëtarë, si dhe 105 vëzhgues vendas për vëzhgimin e qendrave të votimit jashtë kufijve të vendit.

Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MVZ) i Rrjetit Europian të Organizatave Vëzhguese të Zgjedhjeve (European Network of Election Monitoring Organizations – ENEMO) publikoi sot Raportin e Ndërmjetëm, që mbulon periudhën 11 – 26 Tetor 2016. Raporti përmban gjetje dhe analiza nga Ekipi Drejtues i Misionit, në Kishinau.

Pjesë e këtij misioni janë edhe dy organizatat shqiptare Shoqata për Kulturë Demokratike dhe KRIIK Albania të cilat janë gjithashtu dy prej organizatave drejtuese të Koalicionit të Vëzhguesve Vendore (KVV).

ENEMO vë në dukje se kuadri ligjor, veçanërisht Kodi Zgjedhor, u desh të amendohej vetëm tre muaj përpara zgjedhjeve, në mënyrë që të reflektohej vendimi i 4 marsit 2016 i Gjykatës Kushtetuese mbi moskushtetueshmërinë e zgjedhjes së Presidentit prej Parlamentit. Ky amendim, në përgjithësi, është në kundërshtim me praktikat më të mira për zgjedhjet. Megjithatë, procedurat për zgjedhjen e Presidentit nuk ndryshojnë në mënyrë të konsiderueshme nga ato tanimë në fuqi për zgjedhjet parlamentare dhe lokale.

Sesionet publike dhe vendimet e marra nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve (KQZ) kanë qenë transparente dhe të aksesueshme për të gjithë vëzhguesit dhe qytetarët. KQZ ka respektuar afatet ligjore për fazat më të rëndësishme të procesit zgjedhor. ENEMO përgëzon masat e ndërmarra nga KQZ për të mundësuar vëzhguesit e verbër dhe ata me probleme në shikim, si dhe, në shumë pak qendra votimi, edhe ata me probleme në dëgjim, të votojnë në mënyrë të pavarur dhe në fshehtësi.

Nga 24 grupe iniciatorë të regjistruara, vetëm 12 kandidatë u regjistruan dhe, pas dy tërheqjesh dhe një anulimi të regjistrimit, qytetarët e Moldavisë do ta zgjedhin Kryetarin e ardhshëm të shtetit mes nëntë kandidatëve ende në garë.

Procesi i mbledhjes së firmave për kandidim u kritikua nga disa prej personave të intervistuar nga misioni, veçanërisht prej kandidatëve të pavarur të cilët u ankuan për kushte të pabarabarta mes tyre dhe kandidatëve të mbështetur nga partitë politike.

Në listat e zgjedhësve janë regjistruar 2,816,377 zgjedhës, ndërkohë që Regjistri Kombëtar i Zgjedhësve (RKZ) përmban 3.2 milionë persona me të drejtë vote. Diferenca shpjegohet nga qytetarët e Moldavisë që jetojnë në Transnistria, zgjedhësit që nuk janë të regjistruar në një rezidencë të përhershme dhe zgjedhësit me Karta Identiteti që u ka kaluar afati i vlefshmërisë. Megjithatë, KQZ-ja ka marrë një vendim që u lejoj zgjedhësve të paregjistruar në një rezidencë të përhershme të votojnë, ndërsa personat me kartë identiteti të pavlefshme mund të marrin një certifikatë të përkohshme që do t’u mundësojë të votojnë. Përfshirja e personave të vdekur në listat e votimit vazhdon të jetë një problem edhe në këto zgjedhje, siç kanë vënë në dukje bashkëbiseduesit e misionit.

Shqetësimet për kufizimin dhe polarizimin e medias, si dhe mangësia e monitorimit të duhur dhe të sanksioneve efektive për mediat që shkelin ligjin vazhdojnë të mbeten edhe për këto zgjedhje.
 
Misioni i Vëzhgimit të Zgjedhjeve të ENEMO për Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit 2016 në Moldavi përbëhet nga një Ekip Drejtues prej 6 ekspertësh, i vendosur në Kishinau, i cili mbërriti në Moldavi në 10 Tetor 2016. Dhjetë ekipe vëzhguesish afatshkurtër ju bashkuan misionit të enjten, 27 tetor, dhe do të shpërndahen në zona të ndryshme të vendit ditën e zgjedhjeve për të vëzhguar hapjen, votimin, numërimin dhe tabelimin e rezultateve.
Misioni do t’i paraqesë gjetjet dhe konkluzionet paraprake të martën, 1 Nëntor 2016, nëpërmjet një Konference për Shtyp në IPN.
Misioni Ndërkombëtar i Vëzhgimit të Zgjedhjeve i ENEMO për Zgjedhjet Presidenciale të 30 Tetorit 2016 në Moldavi mbështetet financiarisht nga Ambasada e Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, në kuadër të Programit të Fondit të Llogaridhënies; dhe Black Sea Trust, një Projekt i German Marshall Fund i Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Arta Dade koordinatore e misionit vëzhgues të OSBE-së
Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, njëkohësisht kryetare e Delegacionit Parlamentar të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Moldavinë, është ngarkuar nga kryetari i radhës së OSBE-së, Ministri i Jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmaier, në cilësinë e Kordinatores së Posaçme të Misionit të vëzhguesve zgjedhorë afatshkurtër, për zgjedhjet Presidenciale të 30 tetorit në Moldavi, i cili zgjidhet për herë të parë me votë të drejtpërdrejtë nga populli.

Sot, znj. Dade drejtoi takimin e përbashkët të delegacioneve të Asamblesë Parlamentare të KiE-së kryesuar nga znj. Elisabeth Schneider-Schneiter, të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së kryesuar nga z. Geir Jorgen Bekkevold dhe të Parlamentit Europian kryesuar nga z. Igor Soltes.
Më 28 dhe 29 tetor vëzhguesit e këtyre misioneve do të zhvillojnë takime me misionin vëzhgues të OSBE-ODIHR, me Kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve znj. Alina Russu, me përfaqësues të Shoqërisë Civile si dhe do të njihen me kandidatët për Presidentë.     


Redaksia online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Bulqizë/ Qytetari denocon: Qëlluan me armë zjarri në qytet! Policia gjen motorin e djegur

Bulqizë/ Qytetari denocon: Qëlluan me armë zjarri në qytet! Policia gjen motorin e djegur