Zgjedhjet, Raunig: Procesi i numërimit ka nevojë për përmirësime

Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Florian Raunig, në një intervistë për TVSH-në, ka folur për zgjedhjet e ardhshme vendore.
Ambasadori Raunig thotë se shpreson për një pjesëmarrje të lartë në votime dhe që partitë të zhvillojnë një fushatë dinjitoze, duke u përqendruar te programet dhe jo te sulmi kundër kandidatëve.
Sipas tij, një nga hallkat e procesit zgjedhor që ka nevojë për përmirësim është procesi i numërimit. "Shqipëria, si një vend me numër zgjedhësish relativisht të vogël dhe me një administratë zgjedhore të trajnuar, mund t'i nxjerrë rezultatet mjaft shpejt, prandaj është detyra e administratës zgjedhore që të punojë me sa më shumë profesionalizëm e të mos ketë implikime partiake apo politike mbi procesin e numërimit", thotë ai.
Lidhur me shqetësimet e shprehura nga palë të ndryshme për blerjen e votës, të pasqyruara edhe në raportet e OSBE/ODIHR-it, Raunig thotë se është e domosdoshme që zgjedhësit të mos e lejojnë këtë fenomen të shëmtuar, që dëmton themelin e demokracinë, si dhe u bën thirrje atyre të denoncojnë raste të tilla në organet ligjore.
Ambasadori Raunig e cilëson si historik vendimin e parlamentit për një kuotë gjinore prej 50% për këshillat bashkiakë. Ai thotë se ky është një hap i madh në dy drejtime: së pari, gjysma e popullatës, gratë, kanë shansin të përfaqësohen më mirë në vendimmarrje; së dyti, me rritjen e faktorit grua në vendimmarrje, ai shpreson të ketë një ulje të nivelit të konfliktualitetit.
Raunig informon se ekspertët e parë të Misionit të OSBE/ODIHR-it për Vëzhgimin e Zgjedhjeve do të mbërrijnë këtë javë dhe se, gjithsej, është planifikuar të ketë 24 vëzhgues afatgjatë dhe 250 afatshkurtër.
Ai bën dallimin mes OSBE/ODIHR-it, organit të specializuar të OSBE-së për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, e cila nuk vëzhgon zgjedhjet, por bashkëpunon në vijimësi me Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, qeverinë, opozitën, parlamentin dhe shoqërinë civile për përmirësimin e proceseve zgjedhore. /atsh/

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Zbërthimi i SkyECC/ Mes 21 masave sigurie edhe emri i Prek Kodra, në 2021 u akuzua se do të vriste Albin Kurtin