Qendrat e votimit në Mitrovicë dhe komunat e tjera në veri të Kosovës, ku qytetarët serb votuan në zgjedhjet e parakohshme parlamentare të Serbisë u mbyllën dje në orën 20:00. Zëdhënësi i misionit të OSBE-së, Nikola Gaon foli mbrëmë për agjensinë serbe të lajmeve 'Tanjug' duke thënë se asnjë incident nuk u raportua në ditën e zgjedhjeve.
Ndërkaq një eskordë makinash të OSBE-së, shoqëruar nga policia e Kosovës, transportuan materialet zgjedhore drejt Rashkës në orën 22:00, raporton 'Tanjug', ku do të bëhet edhe numërimi i votave. Në total 107.958 njerëz në Kosovë kishin të drejtë të votojnë në zgjedhjet parlamentare serbe. Ndërsa zgjedhjet në 17 komuna u vëzhguan nga 400 përfaqësues të OSBE-së.
Edhe shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jean-Claude Schlumberger, tha se grumbullimi i votave ka përfunduar në mënyrë të rregullt. “Jam i kënaqur me mënyrën se si ka përfunduar grumbullimi i votave. Dhjetë qendrat e grumbullimit të OSBE-së dhe 15 degët e tyre në Kosovë janë hapur dhe mbyllur në kohë, me përjashtim të tri prej tyre të cilat janë mbyllur me vonesë pasi ka pasur votues në radhë. Pjesëmarrja në votime ka qenë 34.42%”, tha Schlumberger për mediat kosovare.
OSBE-ja hapi dhjetë qendra për grumbullimin e votave për zgjedhjet parlamentare të cilat u mbajtën dje në Serbi. Këto qendra, me 15 degë, janë hapur në enklavat serbe në jug të Lumit Ibër, si dhe në komunat veriore.
Qeveria e Kosovës nuk i quajti dje qendra votimi, por qendra grumbullimi të votave, pasi thotë se Serbia nuk mund të organizojë zgjedhjet parlamentare në territorin e Kosovës. Për qeverinë, të drejtën e votës qytetarëve serb ia jep dyshtetësia.
"Serbia nuk është ajo që organizon zgjedhjet e saj në Kosovë. Me marrëveshjen në Brukselit, kanë përfunduar ndërhyrjet e Serbisë në punët e brendshme të Kosovës. Kushtetuta e Kosovës garanton që përmes metodologjive apo modeleve që përdoren në botë, kur qytetarët kanë dyshtetësi, atëherë dyshtetësia obligon krijimin e mekanizmave të shprehjes së lirë, dhe në këtë proces ne e kemi mundësuar përmes grumbullimit të votave. Kurrsesi jo përmes proceseve por vetëm përmes grumbullimit të votave”, ka thënë Edita Tahiri në një prononcim për gazetën "Zëri".
ORA 22:00 OSBE, NË KOSOVË VOTUAN 34 PËR QIND TË SERBËVE
Rezultati përfundimtar i Misionit i OSBE-së raportoi se 34.42% të serbëve në Kosovë kanë hedhur votat e tyre për zgjedhjen e parlamentit të ri të Serbisë.
ORA 19.00: NË BUJANOC DHE PRESHEVË KANË VOTUAR 30 PËR QIND TË VOTUESVE
Në komunën e Bujanocit deri në orën 18:00 votuan rreth 30 për qind të votuesve të regjistruar, ka thënë koordinatori i votimit, Nasim Rexhepi.
Partia për Veprim Demokratik, e Riza Halimit në zgjedhjet e sotme parlamentare, ka arritur të grumbullojë vota më shumë se asnjëherë më parë në fshatin Konçul të Bujanocit, deri në ora 19:00 në këtë vendvotim, në kutinë e votimit janë hedhur 512 vota. Në zgjedhjet e fundit, LPD në Konçul ka marrë rreth 800 vota, nga 1298 votues sa janë gjithsej të regjistruar në këtë vendvotim.
‘BujanociNet’ ka raportuar se deri në ora 19:00 në Berznicë kanë votuar 256 persona, në Letovicë 290 dhe në fshatin Turi deri në ora 19:00h, kanë votuar 68 votues.
Kryetari i BL të Zarbincës Selami Bajrami ka njoftuar BujnaociNet-in, se në Zarbincë të Malësisë së Buajnocit dyshohet për parregullësi të mëdha, sepse sipas tij, në kutin e votimit në këtë vendbanim janë hedhur mbi 500 vota, ndërkohë që në të gjitha fshatrat e Malësisë së Bujanocit nuk jetojnë më shumë se 10 familje me rreth 40 banorë duke përfshirë edhe fëmijët. Në Preshevë të drejtën për të votuar e kanë 35.743 qytetarë, në Bujanoc 40.607 qytetarë dhe në Medvegjë 10.028 qytetarë.
ORA 18:00, OSBE- NË KOSOVË PËR DEPUTETËT SERB KANË VOTUAR 28 MIJË VOTUES
OSBE-ja raporton se deri në orën 18:00 kanë votuar 28 mijë votues në 10 qendrat e votimit në Kosovë.
“Deri në orën 18:00, në Kosovë kanë votuar 28, 416 votues të regjistruar, prej të cilëve 11, 552 janë votues në veri të vendit. Të gjitha qendrat dhe degët e tyre kanë nisur punën në orën 7:00”, ka deklaruar zëdhënësi i misionit të OSBE-së,Nikola Gaon.
ORA 15.00: RAPORTI I OSBE PËR ZGJEDHJET, KANË VOTUAR MBI 15 MIJË VOTUES
OSBE raporton se votimi në Kosovë është zhvilluar pa incidente. Deri në orën 14:00, zëdhënësi i OSBE-së, NIkola Gaon thotë se kanë votuar 15,094 votues prej të cilëve 5,960 në veri të Kosovës.
Gaon tha se deri më tani procesi zgjedhor shkon pa probleme.
“Vëzhgimi ynë në terren është kryer pa ndërhyrje në ndonjë qendër votimi. Në 07:00 janë hapur 10 qendra në 15 degë. Sipas të dhënave deri në orën 14:00 kanë votuar 15 094, 5 960 prej të cilëve në veri. Qendrat do të qëndrojnë në hapura deri në orën 20:00 dhe më pas do të fillojë procesi i mbledhjes së kutive të votimit dhe transportimi i tyre në Vranjë dhe Rashkë, aty ku do të bëhet numërimi. ë të gjitha qendrat janë 400 anëtarë stafit që vëzhgojnë procesin", ka thënë Gaon.
Ai tha se OSBE-ja ka marrë disa ankesa për listat e zgjedhore.
Gaon përsëriti se modalitetet e zbatimit të operacioneve të sotme janë zhvilluar në përputhje të konsultimeve me të gjithë aktorët, përfshirë qeverinë e Beogradit dhe të Prishtinës.
INCIDENTI NE NJE QENDER GRUMBULLIMI
Në veri të Mitrovicës, në një nga qendrat e grumbullimit të votave për zgjedhjet parlamentare të Serbisë, është shënuar një incident, ku në hyrje të kësaj qendre është vendosur flamuri i Serbisë.
Siç njofton Kosovapress kjo ka shkaktuar edhe fillimin e votimit me vonesë prej rreth 20 minutash.
Pasi përfaqësuesit e OSBE-së nuk arritën të bindin organizatorët për ta larguar flamurin serb nga hyrja kryesore e shkollës teknike ‘Mihajllo Petroviç Allas’, atëherë është vendosur që kjo hyrje të mbyllet, ndërsa qytetarët mund të votojnë nga hyrja e pasme e kësaj shkolle, njofton Kosovapress.
Nga ana tjetër, zëvendës drejtori rajonal i policisë për veriun e Kosovës, Besim Hoti, ka thënë se roli i Policisë së Kosovës përveç ruajtjes së rendit dhe qetësisë publike, do të jetë edhe ofrimi i asistencës sipas nevojës për OSBE-në.
Qytetarët serbë do të mund të votojnë sot deri në orën 20:00, ndërkaq numërimi i votave do të bëhet sipas marrëveshjes me OSBE-në, në qytetet e Vranjës dhe Rashkës të Serbisë.
Për zgjedhjet parlamentare serbe, në veri të Kosovës janë hapur gjithsej 10 qendra të grumbullimit, një në veri të Mitrovicës, dy në Zubin Potok, tre në Zveçan dhe katër qendra të grumbullimiot në Leposaviç.
HAPEN QENDRAT E VOTIMIT NË SERBI
Qendrat e votimit u hapën në mëngjes në orën 07:00 në të gjithë Serbinë dhe do të që qëndrojnë në hapura deri një orën 20:00 të mbrëmjes.
Në total të drejtë vote kanë 6.767.324 votues që do të mund ta ushtrojnë të drejtën e tyre në një prej 8262 qendrave të votimit në të gjithë Serbinë.
Klima e fushatës është dominuar nga akuza të ndërsjellta, sidomos mes dy partive kryesore në vend, Progresive dhe Partisë Socialiste që kanë qenë në koalicion.
Redaksia Online
(e.c/e.sh/shqiptarja.com)