Kryeministri Thaçi përpiqet që të qetësojë ndërgjegjen e tij dhe atë të bashkështetasve të tij, duke thënë se institucionet e Kosovës njohin standardin ndërkombëtar që i njeh të drejtën e votimit shtetasve me shtetësi të dyfishtë. Thaçi justifikohet se po respekton Konventat Ndërkombëtare. Në fakt asnjë konventë ndërkombëtare nuk e detyron një shtet të organizojë në ndonjë pjesë të territorit të vet, zgjedhje parlamentare, presidenciale apo lokale në funksion dhe si pjesë e zgjedhjeve parlamentare, presidenciale apo lokale të një shteti tjetër. Nëse kjo ndodh shteti në fjalë bëhet një shtojcë e shtetit tjetër që do të thotë, humbet sovranitet. Votimi i shtetasve serbë jashtë Serbisë për çfarëdo lloj zgjedhjesh të Serbisë duhet bërë sikundër ndodh rëndom në shtete të tjera, me anë të të ashtuquajturave votë në mungesë, votë postare, votën në internet e të tjera teknika që janë shumë të njohura. Por organizimi i qendrave të votimit në territorin e Kosovës për zgjedhje që nuk janë të Kosovës, aq më tepër nën vëzhgimin edhe të OSBE-së, është një “dallim” sa ai mes përdhunimit të një femre me prezervativ dhe përdhunimit pa prezervativ.
Ndërkaq, nëse praktika që po ndiqet në Kosovë qenka e drejtë, a nuk u lind e drejta edhe shqiptarëve në Luginën e Preshevës të kërkojnë të njëjtën gjë? Pra, të votojnë edhe ata në kuadrin e zgjedhjeve të përgjithshme apo presidenciale në Kosovë?! Për qeverinë serbe kjo kërkesë mund të tingëllojë si herezi e skajshme antisovranitet dhe integritet administrativ.
Vështirë se ndonjë qeveritar i ndonjë shteti tjetër do të bënte koncesionin që Kryeministri Thaçi ka bërë në Kosovë. Shumëkush do të preferonte dorëheqjen sesa të nënshkruante cenimin e sovranitetit shtetëror. Por shihet qartë se për Thaçin pushteti është më i rëndësishëm se sovraniteti. Shitja e pjesëve të shtetit për të rregulluar pazaret e pushtetit është tipar i kahershëm i pushtetarëve shqiptarë. Pa hyrë në histori të vjetra, mund të themi se edhe në Tiranë Kryeministri Berisha tentoi të falte “atdhetarisht” ujëra detare të shqiptarëve me një nëntokë të pasur gazi dhe nafte. Diplomacia serbe, me lidhje shumë më tradicionale e më të forta në Europë se ajo shqiptare, duket se po shfrytëzon me efektivitet këtë prirje të politikës mbarëshqiptare për të shitur shtet për pushtet. Mobilizimi thuajse paneuropian për të zbatuar zgjedhjet në Kosovë, qartazi në interes të pretendimeve serbe, e provon këtë. E provon gjithashtu edhe zbythja e diplomacisë së BE-së nga pozitat e mëparshme. Sepse jo shumë larg, Stefan Fyle, komisioneri për zgjerimin, kish deklaruar se “nuk ka vend për zhvillimin e zgjedhjeve të Serbisë në territorin e Kosovës”. Kemi të bëjmë qartazi me një devijim thelbësor të diplomacisë së BE-së, që fatkeqësisht, ndryshe nga sa shpresohet, shtyn nga kënaqja e epsheve nacionaliste serbe dhe jo drejt një projekti të një shteti të Kosovës ku do bashkëjetojnë shqiptarët dhe pakica serbe me të drejta dhe liri të garantuara. Sepse organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në veriun e Kosovës, është një tjetër përforcim i idesë se ajo pjesë e Kosovës në fakt, nuk është dhe nuk i përket Kosovës. Po në të njëjtën ditë, kur serbët do të përdhunojnë sovranitetin e Kosovës duke organizuar zgjedhje të Serbisë në territorin e saj, Kryeministri Berisha dhe Kryeministri Thaçi do të takohen në Prizren për të përuruar abetaren e përbashkët të shqiptarëve. Duket kinse si një lëvizje për ta maskuar me festën e këtij investimi për unifikim gjuhësor që përkëdhel aspiratën e bashkimit të të gjithë shqiptarëve, skandalin e zgjedhjeve serbe në veri, pas të cilave nxjerr kokën opsioni i ndarjes së Kosovës. Dhe është e vështirë që këta politikanë që po faktojnë se shesin edhe shtetin për pushtetin, të mos fanepsen befas si zbatues të vullnetit të serbit me emrin Tadiç, që pak kohë më parë thuajse e tha troç: Na jepni Mitrovicën pa pastaj bashkohuni po deshët! Projekti i fshehtë i ndarjes së Kosovës po përparon?
Marre nga gazeta "Shqip"
(sg/shqiptarja.com)